Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sinqeriteti: I dëshirueshëm, por, a mjafton?

Sinqeriteti: I dëshirueshëm, por, a mjafton?

Sinqeriteti: I dëshirueshëm, por, a mjafton?

A ËSHTË sinqeriteti vërtet i dëshirueshëm në jetën e përditshme? Një fjalor e përkufizon fjalën «sinqeritet» si «mungesë shtirjeje ose hipokrizie; ndershmëri; drejtësi; çiltërsi». Është e qartë se kjo cilësi është e dobishme për të nxitur marrëdhëniet e mira me të tjerët. Apostulli Pavël dha këtë këshillë: «Jini të bindur në çdo gjë ndaj atyre që janë zotërinjtë tuaj sipas mishit, jo duke shërbyer sa për sy e faqe, sikurse t’u pëlqenit njerëzve, por me sinqeritet zemre, me frikën e Jehovait.» (Kolosianëve 3:22) Kush nuk do ta vlerësonte një punëtor të tillë të sinqertë? Sot njerëzit e sinqertë mund të kenë më shumë mundësi që të gjejnë punë e të mos e humbasin atë.

Megjithatë, ajo që e bën më të dëshirueshëm sinqeritetin është mënyra se si ndikon në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Izraelitët e lashtë gëzonin bekimin e Perëndisë kur i zbatonin me kujdes ligjet dhe i kremtonin festat. Ndërsa po fliste për pastërtinë e kongregacionit, Pavli i nxiti të krishterët: «Le ta kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me majanë e së keqes e të ligësisë, por me kuleçë të ndormë të sinqeritetit dhe të së vërtetës.» (1 Korintasve 5:8) Që adhurimi ynë të jetë i pranueshëm nga Perëndia, sinqeriteti nuk është vetëm i dëshirueshëm, por është edhe thelbësor. Prapëseprapë, vini re se vetëm sinqeriteti nuk mjafton. Ai duhet plotësuar me të vërtetën.

Ndërtuesit dhe pasagjerët e Titanikut mund të kenë besuar sinqerisht se ajo anije e madhe oqeanike nuk mund të mbytej. Gjithsesi, në udhëtimin e saj të parë në vitin 1912, ajo goditi një ajsberg dhe 1.517 veta humbën jetën. Disa judenj të shekullit të parë mund të kenë besuar sinqerisht në mënyrën e tyre të adhurimit të Perëndisë, por zelli i tyre ishte «jo sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Që të jemi të pranuar nga Perëndia, bindjet tona të sinqerta duhet të bazohen në informacion të saktë. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë që të shqyrtoni se çfarë përfshin t’i shërbesh Perëndisë me sinqeritet dhe të vërtetë.