Përpara dhe pas: Fjala e Perëndisë në veprim
«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»
Përpara dhe pas: Fjala e Perëndisë në veprim
NËSE do ta kishit takuar Tonin në vitet e tij të para të adoleshencës, do të kishit parë një djalë të sertë dhe agresiv që frekuentonte disa nga zonat më famëkeqe të Sidneit në Australi. Midis shokëve të tij bënin pjesë anëtarë bandash. Shpesh ata përfshiheshin në vjedhje, në sherre mes bandash dhe në shkëmbime me armë zjarri nëpër rrugë.
Toni filloi të pinte duhan në moshën nëntëvjeçare. Në moshën 14-vjeçare, merrte rregullisht marihuanë dhe bënte një jetë imorale. Në kohën kur ishte 16 vjeç, ai ishte në varësinë e heroinës, dhe kjo çoi në përdorimin e kokainës, të LSD-së, «në të vërtetë, të çdo gjëje që mund të më shkaktonte gjendje euforie»,—siç shpjegon Toni. Më vonë, ai u lidh me dy organizata të famshme kriminale që të shpërndante drogë. Shpejt Toni u bë i njohur si një nga furnizuesit më të besueshëm të drogës në bregun lindor të Australisë.
Vesi i heroinës dhe i marihuanës i kushtonte Tonit nga 160 deri në 320 dollarë në ditë. Por ky ves i kushtonte familjes së tij shumë më tepër vuajtje. Ai thotë: «Në disa raste kriminelët që na kërkonin drogën e paratë që kishim në shtëpi m’i drejtonin mua dhe gruas pushkët dhe thikat në fytyrë.» Pasi kishte qenë tri herë në burg, Toni u ndie i shtyrë të mendonte se çfarë drejtimi po merrte jeta e tij.
Megjithëse shkonte në kishë, Toni ndihej larg Perëndisë, i cili gjoja si ndëshkim i digjte mëkatarët përgjithmonë në ferr. Por kur e vizituan dy Dëshmitarë të Jehovait, Toni u habit kur mësoi se Perëndia nuk është i tillë. Toni ishte i lumtur që mund ta vinte në udhë të drejtë jetën e tij dhe të merrte në këtë mënyrë bekimet e Perëndisë. Toni u nxit nga pohimi i Jezu Krishtit: «Gjithçka është e mundur për Perëndinë.» (Marku 10:27) Sidomos atë e prekën fjalët inkurajuese: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.»—Jakovit 4:8.
Tani Tonit i duhej të përballonte sfidën e vështirë që ta përshtaste jetën me standardet e Biblës. Ai thotë: «Gjëja e parë që lashë ishte duhani, diçka që kurrë nuk munda ta bëja më parë, edhe pse e kisha provuar shumë herë. Me fuqinë e Jehovait arrita të lija heroinën dhe marihuanën, vese që më kishin mbërthyer prej 15 vjetësh. Kurrë nuk e kisha menduar se do të ishte e mundur t’i braktisja këto vese.»
Në vend që t’i frikësoheshin një Perëndie që i mundon përjetësisht njerëzit në ferr, doktrinë kjo që nuk gjendet askund në Bibël, Toni dhe gruaja e tij përqafuan shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Psalmi 37:10, 11; Fjalët e urta 2:21) Toni pranon: «M’u desh shumë kohë dhe shumë punë për ta përputhur jetën me standardet e Perëndisë, por me bekimin e Jehovait ia kam dalë mbanë.»
Po, ky ish i droguar u bë një i krishterë. Duke ofruar vullnetarisht kohën dhe pasurinë e tyre, ai dhe gruaja kanë kaluar mijëra orë në veprën e arsimimit biblik. Gjithashtu ata bëjnë shumë përpjekje për t’i rritur të dy fëmijët me frikë Perëndie. Ky ndryshim rrënjësor u krye nëpërmjet fuqisë së jashtëzakonshme të Fjalës së Perëndisë, Biblës. Vërtet, siç thotë apostulli Pavël: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.»—Me gjithë këta shembuj pozitivë, disa debatojnë në mënyrë të pajustifikueshme se vepra arsimuese e Dëshmitarëve të Jehovait, e bazuar në Bibël, prish familjet dhe gërryen vlerat e shëndosha të të rinjve. Sigurisht që rasti i Tonit e hedh poshtë këtë pohim.
Ashtu si Toni, shumë veta kanë mësuar se veset vdekjeprurëse mund të mposhten. Në ç’mënyrë? Me anë të besimit te Perëndia dhe të mbështetjes tek ai e te Fjala e tij, si dhe nëpërmjet ndihmës së të bashkëkrishterëve të dashur e që interesohen. Toni përfundon me kënaqësi: «Kam vënë re se si parimet e Biblës i kanë mbrojtur fëmijët e mi. Mësimet biblike e shpëtuan martesën time dhe fqinjët e mi flenë më rehat tani, pasi nuk jam më një kërcënim për ta.»
[Diçitura në faqen 9]
‘Me fuqinë e Jehovait, arrita të braktisja vesin e drogës i cili më kishte mbërthyer prej 15 vjetësh’
[Kutia në faqen 9]
Parimet biblike veprojnë
Shumë parime biblike kanë ndihmuar shumë të droguar që ta lënë këtë ves shkatërrimtar. Midis këtyre parimeve janë edhe këto:
«Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Marrja e drogës është kundër ligjit të Perëndisë.
«Frika e Jehovait është fillimi i mençurisë dhe njohuria për Më të Shenjtin është kuptueshmëria.» (Fjalët e urta 9:10, BR) Nderimi i thellë për Jehovain, i bazuar në njohurinë e saktë për të dhe për rrugët e tij, ka ndihmuar shumë veta që të çlirohen nga ndikimi i drogës.
«Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:5, 6) Veset shkatërrimtare mund të mposhten duke besuar me gjithë zemër te Perëndia dhe duke u mbështetur plotësisht tek ai.