«Tre mbretërit»: Kush ishin ata?
«Tre mbretërit»: Kush ishin ata?
Skenat e lindjes së Jezuit zakonisht paraqesin tre burra të veshur me petka të gjata e me deve, që shkojnë tek stalla ku në një koritë gjendet i shtrirë foshnja Jezu. Këta vizitorë të veshur plot shkëlqim zakonisht quhen tre mbretërit. Çfarë thotë Bibla për ta?
Sipas Biblës, të ashtuquajturit mbretër ishin ‘nga vendet lindore’ dhe pikërisht atje kishin marrë vesh për lindjen e Jezuit. (Mateu 2:1, 2, 9) Këtyre burrave duhet t’u jetë dashur një kohë e gjatë që të udhëtonin për në Jude. Kur më në fund e gjetën Jezuin, ai nuk ishte më një foshnjë e sapolindur në një stallë. Përkundrazi, kur burrat erdhën, Maria dhe ‘fëmija i vogël’ jetonin në një shtëpi.—Mateu 2:11.
Bibla i quan këta burra magjistarë ose «astrologë» dhe nuk thotë se sa veta ishin. Botimi The Oxford Companion to the Bible shpjegon: «Lidhja mes magjisë dhe astrologjisë pasqyrohet në faktin se vizitorët ishin të tërhequr nga ylli që i kishte drejtuar ata për në Betlehem.» Bibla dënon hapur të gjitha format e magjisë dhe praktikën babilonase për të marrë informacione nëpërmjet yjeve.—Ligji i përtërirë 18:10-12; Isaia 47:13.
Informacioni që morën këta burra nuk solli asnjë të mirë. Ai shkaktoi zemërimin xheloz të mbretit të lig Herod. Kjo nga ana tjetër, bëri që Jozefi, Maria dhe Jezui të iknin në Egjipt dhe që të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj në Betlehem «nga dy vjeç e poshtë». Herodi e kishte zbuluar me kujdes kohën kur kishte lindur Jezui nga ajo që kishte mësuar prej astrologëve. (Mateu 2:16) Duke parë të gjitha telashet që shkaktoi vizita e tyre, është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se ylli që panë dhe mesazhi për ‘atë që kishte lindur mbret i judenjve’, ishin nga armiku i Perëndisë, Satana Djalli, i cili donte ta vriste Jezuin.—Mateu 2:1, 2.