Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

• A është fjala Lucifer një emër që Bibla e përdor për Satanain?

Emri Lucifer shfaqet një herë në Shkrime dhe vetëm në disa versione të Biblës. Për shembull, në përkthimin Diodati i ri Isainë 14:12 thuhet: «Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer bir i agimit?»

Fjala hebreje e përkthyer «Lucifer» do të thotë «i shndritshëm». Në Septuagintë përdoret fjala greke e cila do të thotë «sjellës i agimit». Prandaj disa përkthime fjalën origjinale hebreje e përkthejnë «yll i mëngjesit» ose «yll i ditës». Por në Vulgatën latine të Jeronimit përdoret fjala «Lucifer» (mbartës drite) dhe kjo gjë shpjegon arsyen pse ky term shfaqet në versione të ndryshme të Biblës.

Kush është ky Luciferi? Fjala «i shndritshëm» ose «Lucifer», gjendet në atë që Isaia në mënyrë profetike u urdhëroi izraelitëve për ta shqiptuar si «këngë përqeshëse kundër mbretit të Babilonit». Pra, ajo është pjesë e një thënieje drejtuar kryesisht dinastisë babilonase. Fakti se përshkrimi «i shndritshëm» i bëhet një njeriu dhe jo një krijese frymore shihet më tej nga deklarata: «Do të hidhesh në Sheol.» Sheoli është varri i përbashkët i njerëzimit dhe jo një vend ku ndodhet Satana Djalli. Për më tepër, ata që e shohin Luciferin të katandisur në këtë gjendje pyesin: «Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej?» Është e qartë pra se fjala «Lucifer» i referohet një qenieje njerëzore dhe jo një krijese frymore.​—Isaia 14:4, DSF, 15, 16.

Përse i bëhet një përshkrim i tillë i shquar dinastisë babilonase? Duhet të kuptojmë se mbreti i Babilonisë do të quhej i shndritshëm vetëm pas rënies së tij dhe në mënyrë përqeshëse. (Isaia 14:3) Krenaria egoiste i shtyu mbretërit e Babilonisë që ta ngrinin veten mbi ata që i rrethonin. Arroganca e dinastisë ishte aq e madhe saqë përshkruhet sikur me mburrje thotë: «Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; . . . do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin.»​—Isaia 14:13, 14.

«Yjet e Perëndisë» janë mbretërit e linjës mbretërore të Davidit. (Numrat 24:17) Që nga Davidi e më tej, këto ‘yje’ sunduan nga mali Sion. Pasi Solomoni ndërtoi tempullin në Jerusalem, emri Sion filloi të përdorej për të gjithë qytetin. Nën besëlidhjen e Ligjit, të gjithë meshkujve izraelitë u ishte urdhëruar që të shkonin në Sion tri herë në vit. Kështu ai u bë ‘mali i asamblesë’. Duke vendosur që t’i nënshtrojë mbretërit judenj dhe pastaj t’i heqë nga ai mal, Nabukodonosori po shpall qëllimin e tij për ta vënë veten mbi këto ‘yje’. Në vend që t’ia japë Jehovait meritën për fitoren mbi ta, ai me arrogancë e vë veten në vend të Jehovait. Kështu pasi hidhet për tokë dinastia babilonase quhet në mënyrë tallëse si «i shndritshmi».

Arroganca e sundimtarëve babilonas, në të vërtetë pasqyron qëndrimin e ‘perëndisë së këtij sistemi’​—Satana Djallit. (2 Korintasve 4:4) Edhe ai dëshiron shumë të ketë pushtet dhe digjet nga dëshira për ta vendosur veten mbi Perëndinë Jehova. Por fjala Lucifer nuk është një emër që përdoret në Shkrime për Satanain.

• Përse në 1 Kronikave 2:13-15 Davidi quhet biri i shtatë i Isait, ndërsa në 1 Samuelit 16:10, 11 tregohet se ishte i teti?

Pasi mbreti Saul i Izraelit të lashtë u largua nga adhurimi i vërtetë, Perëndia Jehova dërgoi profetin Samuel për të mirosur si mbret një nga bijtë e Isait. Dokumentimi biblik i kësaj ngjarjeje historike, i shkruar nga vetë Samueli në shekullin e 11-të p.e.s., e paraqet Davidin si birin e tetë të Isait. (1 Samuelit 16:10-13) Megjithatë, në tregimin e shkruar nga prifti Ezdra rreth 600 vjet më vonë thuhet: «Isait i lindi Eliabi, i parëlinduri i tij, Abinadabi i dyti, Shemiahu i treti, Nethaneeli, i katërti, Radai i pesti, Otsemi i gjashti dhe Davidi i shtati.» (1 Kronikave 2:13-15) Çfarë i ndodhi njërit prej vëllezërve të Davidit dhe përse Ezdra nuk e përmend emrin e tij?

Në Shkrime thuhet se Isai «kishte tetë bij». (1 Samuelit 17:12) Me sa duket një nga djemtë e tij nuk jetoi aq sa të martohej e të kishte fëmijë. Duke mos pasur pasardhës, ai nuk mund të pretendonte as trashëgimi nga fisi, as përkatësi në regjistrimet gjenealogjike të linjës së Isait.

Tani le të mendojmë për ditët e Ezdrës. Të shqyrtojmë në ç’rrethanë përpiloi Kronikat. Mërgimi në Babiloni kishte përfunduar rreth 77 vjet më parë dhe judenjtë ishin rivendosur në tokën e tyre. Mbreti i Persisë e kishte autorizuar Ezdrën që të caktonte gjykatës dhe mësues të Ligjit të Perëndisë dhe të zbukuronte shtëpinë e Jehovait. Ekzistonte nevoja për një listë të saktë gjenealogjike për të vërtetuar trashëgiminë e fiseve dhe për t’u siguruar që si priftërinj të shërbenin vetëm njerëz të autorizuar. Prandaj Ezdra përgatiti një tregim të plotë të historisë së kombit, përfshirë një dokumentim të saktë e të besueshëm të linjës së Judës dhe të Davidit. Emri i birit të Isait, i cili vdiq pa pasur fëmijë, nuk do të ishte shumë i rëndësishëm. Prandaj Ezdra nuk e përmendi atë.