Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpjekjet e zellshme: Kur i bekon Jehovai?

Përpjekjet e zellshme: Kur i bekon Jehovai?

Përpjekjet e zellshme: Kur i bekon Jehovai?

«LËRMË të shkoj, se po lind agimi.

​—Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!

​—Cili është emri yt?

​—Jakob.

​—Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Izrael, sepse ti ke luftuar [je ndeshur, BR] bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit dhe ke fituar.»​—Zanafilla 32:26-28.

Ky dialog interesant qe pasojë e shfaqjes së jashtëzakonshme të zhdërvjelltësisë atletike nga ana e 97-vjeçarit Jakob. Edhe pse Bibla nuk e përshkruan si atlet, ai u mund apo u ndesh gjatë gjithë natës me një engjëll. Pse? Jakobi ishte thellësisht i shqetësuar për premtimin që Jehovai i kishte bërë paraardhësit të tij, pra, për trashëgiminë e tij frymore.

Disa vjet më parë vëllai i Jakobit, Esau, humbi të drejtën e të parëlindurit në këmbim të një tasi me gjellë. Por tani Jakobit i mbërrin fjala se Esau po afrohet me 400 burra. Siç mund të kuptohet, Jakobi është në ankth dhe kërkon ripohimin e premtimit të Jehovait se familjes së tij do t’i shkojë mbarë në tokën përtej lumit Jordan. Në përputhje me lutjet e tij, Jakobi ndërmerr një veprim vendimtar. Ai i dërgon dhurata bujare Esaut që po afrohet. Po ashtu, merr masa mbrojtëse, duke e ndarë kampin e tij në dy pjesë, si dhe duke e çuar gruan dhe fëmijët përtej vaut të Jabokut. Me përpjekje energjike dhe shumë lot, tani po përpiqet më tej, me qëllim që ‘të kërkojë hir për veten’ duke u ndeshur gjithë natën me një engjëll.​—Hozea 12:4, BR; Zanafilla 32:1-32.

Shqyrtoni një shembull më të hershëm, atë të Rakelës, gruaja e dytë e Jakobit dhe më e dashura për të. Rakela e di mirë premtimin e Jehovait për të bekuar Jakobin. Motra e saj Lea, gruaja e parë e Jakobit, është bekuar me katër djem, kurse Rakela ka mbetur shterpë. (Zanafilla 29:31-35) Në vend që të mëshirojë veten, ajo vazhdon t’i përgjërohet Jehovait në lutje dhe merr hapa vendimtarë në përputhje me lutjet e saj. Ashtu siç bëri paraardhësja e saj Sara me Agarën, Rakela merr shërbyesen e saj Bilhanë dhe ia jep Jakobit si grua të dytë, në mënyrë që, siç thotë Rakela, «nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë». * Bilhaja i lind dy djem Jakobit, Danin dhe Neftalin. Kur lind Neftali Rakela shprehet se sa shumë përpjekje emocionale ka bërë: «Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare.» Rakela bekohet më tej duke lindur dy djemtë e saj, Jozefin dhe Beniaminin.​—Zanafilla 30:1-8; 35:24.

Përse i bekoi Jehovai përpjekjet fizike dhe emocionale të Jakobit dhe të Rakelës? Ata mbajtën në vend të parë vullnetin e Jehovait dhe e çmuan trashëgiminë e tyre frymore. U lutën me ngulm për të pasur bekimin e tij në jetë dhe ndërmorën veprimin e nevojshëm në përputhje me vullnetin e Perëndisë e me vetë kërkesat e tyre.

Ashtu si Jakobi dhe Rakela, shumë veta sot mund të dëshmojnë se për të marrë bekimin e Jehovait kërkohet një përpjekje e zellshme. Shpesh përpjekjet e tyre shoqërohen me lotë, shkurajim dhe zhgënjim. Një motër e krishterë, Elizabeta, kujton përpjekjet e zellshme që bëri për të rifilluar të ndiqte rregullisht mbledhjet e krishtere pas një mungese të gjatë. Kjo ishte një sfidë, pasi kishte pesë djem të vegjël, burrin jobesimtar, si dhe 30 kilometra rrugë me makinë për në Sallën më të afërt të Mbretërisë. «Përpjekja për të shkuar rregullisht në mbledhje kërkonte shumë vetëdisiplinim, gjë që e dija se ishte e dobishme për mua dhe për djemtë. Kjo gjë i ndihmoi ata që të shihnin se ishte një udhë që ia vlente ta ndiqje.» Jehovai i bekoi përpjekjet e saj. Nga tre djem që i ka aktivë në kongregacionin e krishterë dy janë në shërbimin e plotkohor. E gëzuar për përparimin e tyre frymor, ajo thotë: «Ata ma kanë kaluar në rritjen frymore.» Çfarë bekimi për përpjekjet e saj të zellshme!

Përpjekje të zellshme që Jehovai i bekon

Kur bëjmë përpjekje të zellshme dhe kur punojmë fort sigurisht që vijnë shpërblime. Sa më shumë përpiqemi për një detyrë ose për një caktim, aq më shumë kënaqësi marrim si rrjedhim. Jehovai na ka krijuar kështu. «Çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqënie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë»,​—shkroi mbreti Solomon. (Predikuesi 3:13; 5:18, 19) Megjithatë, që të marrim një bekim nga Perëndia, duhet të sigurohemi se përpjekjet tona janë në drejtimin e duhur. Për shembull, a është e arsyeshme të presim bekimin e Jehovait ndaj një mënyre jetese që i vë gjërat frymore në vend të dytë? A mundet një i krishterë i kushtuar të shpresojë për miratimin e Jehovait, nëse pranon një punë ose një ngritje në detyrë që do të nënkuptonte të humbasë rregullisht mësimdhënien dhe shoqërinë besimndërtuese në mbledhjet e krishtere?​—Hebrenjve 10:23-25.

Një individ mund të bëjë një jetë me punë të mundimshme për të ndjekur një karrierë në botë ose për të pasur begati materiale. Por kjo nuk do të thotë medoemos se ‘do të gëzojë mirëqenie’, në qoftë se ai e bën këtë pa lënë vend për gjërat frymore. Jezui përshkroi në ilustrimin e mbjellësit pasojat e përpjekjeve të keqdrejtuara. Në lidhje me farën ‘e mbjellë mes gjembave’, Jezui shpjegoi se «ky është ai që e dëgjon fjalën, por ankthi i këtij sistemi dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën dhe ai bëhet i pafrytshëm». (Mateu 13:22) Edhe Pavli paralajmëroi për të njëjtën grackë dhe shtoi se ata që ndjekin një udhë materialiste «bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim». Cila është rrugëdalja nga një mënyrë e tillë jetese që është shkatërrimtare nga ana frymore? Pavli vazhdon: ‘Ikjuni këtyre gjërave e mos e varni shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë.’​—1 Timoteut 6:9, 11, 17.

Pavarësisht nga mosha që kemi apo për sa kohë i kemi shërbyer Jehovait, të gjithë mund të nxjerrim dobi duke imituar përpjekjet e zellshme të Jakobit dhe Rakelës. Kur kërkuan miratimin e Perëndisë, ata nuk e humbën kurrë nga sytë trashëgiminë e tyre frymore, sado frikësuese dhe zhgënjyese që mund të kenë qenë rrethanat e tyre. Sot, presionet dhe vështirësitë që hasim mund të jenë po aq frikësuese, zhgënjyese ose madje edhe dëshpëruese. Mund të tundohemi që të braktisim betejën dhe të bëhemi një tjetër viktimë e sulmit të Satanait. Për të arritur qëllimet e tij, ai mund të përdorë ndonjë nga mjetet që ka në dispozicion, si për shembull: zbavitjen ose dëfrimin, sportet ose veprimtaritë që na pëlqejnë, karrierat ose begatinë materiale. Rezultatet e dëshiruara shpesh vetëm sa premtohen, por rrallë arrihen. Ata që mashtrohen ose që joshen për t’u dhënë pas këtyre kërkimeve shumë shpesh shohin se ato në përgjithësi përfundojnë në zhgënjim. Ashtu si Jakobi dhe Rakela në kohët e lashta, le të kultivojmë frymën e atyre që luftojnë me zell dhe ngadhënjejnë mbi intrigat e Satanait.

Djalli nuk do të donte asgjë më shumë, sesa të na shihte që e pranojmë humbjen, duke menduar se ‘gjendja është e pashpresë. Nuk mund të bëhet asgjë. Nuk ia vlen më’. Sa jetësore është, pra, për ne që të ruhemi të mos zhvillojmë një qëndrim prej dështaku, duke menduar se ‘askush s’më do’ dhe se ‘Jehovai më ka harruar’. Të biesh pre e mendimeve të tilla është vetëshkatërruese. A mund të tregojë kjo se jemi dorëzuar dhe nuk po luftojmë më deri sa të marrim një bekim? Kujtoni, Jehovai bekon përpjekjet tona të zellshme.

Le të vazhdojmë të luftojmë për bekimin e Jehovait

Mirëqenia jonë frymore varet në një masë të madhe nga kuptueshmëria që kemi për dy të vërtetat themelore rreth jetës sonë si shërbëtorë të Jehovait. (1) Askush nuk i ka nën kontroll absolut problemet, sëmundjet ose rrethanat e vështira në jetë, si dhe (2) Jehovai i dëgjon klithmat e atyre që i drejtohen me ngulm atij për ndihmë dhe bekim.​—Eksodi 3:7-10; Jakovit 4:8, 10; 1 Pjetrit 5:8, 9.

Sado të vështira që të jenë rrethanat tuaja ose sado të kufizuar që mund të ndiheni, mos ju dorëzoni ‘mëkatit në të cilin ngecim lehtësisht’ domethënë mungesës së besimit. (Hebrenjve 12:1) Vazhdoni të luftoni derisa të merrni një bekim. Ushtroni durim, duke kujtuar Jakobin e moshuar, i cili u ndesh gjithë natën për një bekim! Ashtu si bujku që mbjell në pranverë dhe pret për korrjen, kërkoni me durim bekimin e Jehovait për veprimtarinë tuaj frymore, sado e kufizuar që mund t’ju duket ajo! (Jakovi 5:7, 8) Gjithashtu, mbani gjithmonë në mendje fjalët e psalmistit: «Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.» (Psalmi 126:5; Galatasve 6:9) Jini të patundur dhe qëndroni në radhët e atyre që luftojnë!

[Shënimi]

^ par. 9 Statusi i konkubinave ekzistonte përpara besëlidhjes së Ligjit dhe u bë i njohur e u rregullua nga Ligji. Perëndia nuk e pa të përshtatshme që të rivendoste normën fillestare të monogamisë, të cilën ai e kishte vendosur në kopshtin e Edenit derisa të shfaqej Jezu Krishti, por megjithatë e mbronte vërtet konkubinën me anë të ligjeve. Patjetër, konkubinat ndihmuan që të kishte një rritje më të shpejtë në popullsinë e Izraelit.