Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta shpallim me zell lajmin e mirë

Ta shpallim me zell lajmin e mirë

Ta shpallim me zell lajmin e mirë

«Jini të zjarrtë në frymë. Shërbejini Jehovait si skllevër.»​—ROMAKËVE 12:11, BR.

1, 2. Cilin qëndrim përpiqen të mbajnë të krishterët si predikues të lajmit të mirë?

NJË i ri është entuziast për punën e re që ka filluar. Ditën e parë të punës, ai mezi pret të marrë udhëzimet e punëdhënësit. Pret me padurim detyrën e tij të parë dhe e merr shumë seriozisht. Është i zellshëm për të bërë më të mirën e tij.

2 Në një mënyrë të ngjashme, ne si të krishterë mund ta konsiderojmë veten si punëtorë të rinj. Meqë kemi shpresën të jetojmë përgjithmonë, mund të thuhet që sapo kemi filluar të punojmë për Jehovain. Patjetër, Krijuesi ynë ka në mendje shumë punë që do të na mbajnë të zënë për gjithë përjetësinë. Por detyra e parë fare që morëm ishte shpallja e lajmit të mirë të Mbretërisë së tij. (1 Thesalonikasve [Selanikasve] 2:4) Si ndihemi për këtë caktim nga Perëndia? Ashtu si i ai i ri, duam ta përmbushim këtë caktim duke bërë më të mirën tonë, me dëshirë të zjarrtë, me gëzim, po, me zell.

3. Çfarë kërkohet për të pasur sukses si shërbëtorë të lajmit të mirë?

3 Kuptohet, mund të jetë një sfidë të mbajmë një qëndrim të tillë pozitiv. Përveç shërbimit, ne kemi shumë përgjegjësi të tjera, disa prej të cilave mund të na ngarkojnë fizikisht dhe emocionalisht. Në përgjithësi arrijmë të kujdesemi për këto gjëra, ndërkohë që i kushtojmë vëmendjen e duhur shërbimit. Megjithatë, mund të jetë një luftë e vazhdueshme. (Marku 8:34) Jezui e theksoi se suksesi ynë si të krishterë do të kërkonte përpjekje energjike.​—Luka 13:24.

4. Si mund të ndikojnë në pikëpamjen tonë frymore ankthet e përditshme?

4 Duke pasur kaq shumë gjëra për të bërë, është e lehtë që ndonjëherë të ndihemi të dërrmuar ose të mbingarkuar. «Ankthet e jetës» mund të na e mbytin zellin dhe çmueshmërinë për aktivitetet frymore. (Luka 21:34, 35, BR; Marku 4:18, 19) Për shkak të natyrës sonë të papërsosur njerëzore, mund ta lëmë ‘dashurinë tonë të parë’. (Zbulesa 2:1-4) Disa aspekte të shërbimit ndaj Jehovait mund të na bëhen disi mekanike. Si na e siguron Bibla inkurajimin e duhur që ta mbajmë gjallë zellin për shërbimin?

Si «një zjarr flakërues» në zemër

5, 6. Si e konsideronte apostulli Pavël privilegjin e tij të shërbimit?

5 Shërbimi që na ka besuar Jehovai është tepër i çmuar që ta lejojmë të bëhet si një gjë e rëndomtë. Apostulli Pavël e konsideronte predikimin e lajmit të mirë një privilegj shumë të madh dhe e mendonte veten të padenjë që t’i besohej ky privilegj. Ai tha: «Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat.»​—Efesianëve 3:8, 9.

6 Qëndrimi pozitiv i Pavlit për shërbimin është një shembull i shkëlqyer për ne. Në letrën drejtuar romakëve, ai tha: «Aq sa varet nga unë, jam gati [i zellshëm, BR] t’u predikoj ungjillin.» Ai nuk kishte turp për lajmin e mirë. (Romakëve 1:15, 16) Kishte qëndrimin e duhur dhe zellin për të kryer shërbimin e tij.

7. Kundër çfarë gjëje paralajmëroi Pavli në letrën e tij drejtuar romakëve?

7 Apostulli Pavël e kuptoi nevojën për të mbajtur një pikëpamje të zellshme, prandaj i këshilloi të krishterët në Romë: «Mos jini të përtuar në punët tuaja. Jini të zjarrtë në frymë. Shërbejini Jehovait si skllevër.» (Romakëve 12:11, BR) Fjala greke e përkthyer «i përtuar» përmban mendimin e të qenët «i plogësht, dembel». Edhe pse ndoshta aktualisht mund të mos jemi të përtuar në shërbim, që të gjithë duhet të jemi syçelë ndaj simptomave të para të plogështisë frymore dhe të bëjmë ndreqjet e duhura në qëndrimin tonë, nëse perceptojmë simptoma të tilla te vetja.​—Fjalët e urta (Proverbat) 22:3.

8. (a) Çfarë u bë si «një zjarr flakërues» në zemrën e Jeremisë dhe përse? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga përvoja e Jeremisë?

8 Edhe fryma e Perëndisë mund të na ndihmojë kur jemi të shkurajuar. Për shembull, në një rast profeti Jeremia u ndie i shkurajuar dhe mori në shqyrtim mundësinë për ta ndërprerë veprën e tij profetike. Madje, ai tha për Jehovain: «Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij.» A ishte kjo dëshmi e një mangësie të rëndë frymore te Jeremia? Jo. Në fakt, gjendja e fortë frymore e Jeremisë, dashuria për Jehovain dhe zelli për të vërtetën, e fuqizuan që të vazhdonte të profetizonte. Ai shpjegon: «Fjala e tij [e Jehovait] ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.» (Jeremia 20:9) Është e natyrshme që ndonjëherë shërbëtorët besimplotë të Perëndisë të përjetojnë shkurajim. Por, kur i luten Jehovait për ndihmë, ai do të lexojë zemrat e tyre dhe do t’u japë me bujari frymën e shenjtë nëse, ashtu si Jeremia, e kanë fjalën e tij në zemër.​—Luka 11:9-13; Veprat 15:8.

«Mos e shuani zjarrin e frymës»

9. Çfarë mund ta pengojë aktivitetin që bën fryma e shenjtë për dobinë tonë?

9 Apostulli Pavël i këshilloi selanikasit: «Mos e shuani zjarrin e frymës.» (1 Selanikasve 5:19, BR) Po, veprimet dhe qëndrimet që bien në kundërshtim me parimet hyjnore mund ta pengojnë aktivitetin që bën fryma e shenjtë për dobinë tonë. (Efesianëve 4:30) Sot të krishterët kanë caktimin të predikojnë lajmin e mirë. Për këtë privilegj tregojmë respekt të thellë. Nuk na habit fakti që ata të cilët nuk e njohin Perëndinë e shohin veprën tonë të predikimit me përçmim. Por, kur një i krishterë qëllimisht e lë pas dore shërbimin, kjo mund të sjellë si pasojë që zjarri i frymës motivuese të Perëndisë të shuhet.

10. (a) Si mund të ndikojë te ne pikëpamja e njerëzve të tjerë? (b) Cila pikëpamje e lartë për shërbimin shprehet te 2 Korintasve 2:17?

10 Disa jashtë kongregacionit të krishterë mund ta konsiderojnë shërbimin tonë vetëm si shpërndarje literature. Të tjerë mund të nxjerrin gabimisht përfundimin se ne shkojmë nga shtëpia në shtëpi thjesht për të marrë kontribute. Nëse i lejojmë pikëpamje të tilla negative të ndikojnë në qëndrimin tonë, kjo mund të na e zvogëlojë efektshmërinë në shërbim. Në vend që të lejojmë mendime të tilla të ndikojnë te ne, le të mbajmë pikëpamjen që kanë Jehovai dhe Jezui për shërbimin tonë. Apostulli Pavël e përmendi këtë pikëpamje të lartë, kur deklaroi: «Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si [të dërguar, BR] nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin.»​—2 Korintasve 2:17.

11. Çfarë u dha mundësi të krishterëve të parë të mbeteshin të zellshëm edhe nën persekutim dhe si duhet të ndikojë te ne shembulli i tyre?

11 Pak kohë pas vdekjes së Jezuit, dishepujt e tij në Jerusalem hasën një periudhë persekutimi. I kërcënuan dhe i urdhëruan të ndalonin predikimin. Gjithsesi, Bibla thotë se ata u «mbushën me frymën e shenjtë dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi [guxim, BR]». (Veprat 4:17, 21, 31) Fjalët që Pavli i drejtoi Timoteut disa vjet më vonë tregojnë prirjen pozitive që duhet të kenë të krishterët. Pavli tha: «Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë.»​—2 Timoteut 1:7, 8.

Çfarë i detyrohemi të afërmit tonë?

12. Cila është arsyeja kryesore përse e predikojmë lajmin e mirë?

12 Për të pasur qëndrimin e duhur ndaj shërbimit, duhet të kemi motivin e duhur. Përse predikojmë? Arsyen kryesore e kuptojmë nga fjalët e psalmistit: «Shenjtorët e tu do të të bekojnë [Jehova]. Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde, për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.» (Psalmi 145:10-12) Pikërisht, ne predikojmë për ta lavdëruar Jehovain publikisht dhe për ta shenjtëruar emrin e tij para gjithë njerëzimit. Edhe atëherë kur janë pak ata që na dëgjojnë, shpallja me besnikëri e mesazhit të shpëtimit i sjell lavdi Jehovait.

13. Çfarë na shtyn që t’u flasim të tjerëve për shpresën e shpëtimit?

13 Gjithashtu, ne predikojmë të shtyrë nga dashuria për njerëzit dhe që të shmangim fajin e gjakut. (Ezekieli 33:8; Marku 6:34) Me këtë lidhen fjalët e Pavlit për ata që janë jashtë kongregacionit të krishterë: «Unë u jam borxhli grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.» (Romakëve 1:14) Pavli e ndiente për detyrë t’u predikonte njerëzve lajmin e mirë, sepse vullneti i Perëndisë është që «gjithë njerëzit të shpëtohen». (1 Timoteut 2:4) Sot, ne ndiejmë të njëjtën dashuri dhe të njëjtin detyrim ndaj të afërmit tonë. Dashuria e Jehovait për njerëzit e shtyu të dërgonte Birin e tij në tokë që të vdiste për ta. (Gjoni 3:16) Kjo ishte një sakrificë e madhe. E imitojmë dashurinë e Jehovait kur harxhojmë kohë dhe përpjekje për t’u thënë të tjerëve lajmin e mirë të shpëtimit të bazuar në flijimin e Jezuit.

14. Si e përshkruan Bibla botën jashtë kongregacionit të krishterë?

14 Dëshmitarët e Jehovait i konsiderojnë njerëzit e tjerë si pjesëtarë të mundshëm të vëllazërisë së krishterë. Duhet të predikojmë me guxim, por guximi ynë nuk është agresiv. Faktikisht, Bibla përdor terma të fortë kur flet për botën në përgjithësi. Vetë fjalën «botë» Pavli e përdor në kuptim negativ, kur flet për ‘diturinë e kësaj bote’ dhe për «lakmitë e botës». (1 Korintasve 3:19; Titit 2:12) Gjithashtu, Pavli i kujtoi të krishterët efesianë se, kur ecnin «sipas ecjes së kësaj bote», ishin «të vdekur» frymësisht. (Efesianëve 2:1-3) Këto pohime, dhe të tjera si këto, janë në harmoni me fjalët e apostullit Gjon: «E gjithë bota dergjet në ligësi [nën pushtetin e të ligut, BR].»​—1 Gjonit 5:19.

15. Çfarë nuk bëjmë në lidhje me ata që janë jashtë kongregacionit të krishterë dhe përse?

15 Gjithsesi, duhet të mbajmë në mend se pohime të tilla i referohen botës në përgjithësi, e cila është e larguar nga Perëndia, jo individëve. Të krishterët nuk guxojnë të paragjykojnë se si do t’i përgjigjet një individ veprës së predikimit. Ata nuk kanë ndonjë bazë për t’i përshkruar individë të ndryshëm si cjep. Nuk na përket neve të themi cili do të jetë rezultati kur Jezui të vijë për të ndarë «delet» nga «cjeptë». (Mateu 25:31-46) Gjykatësi i emëruar është Jezui, jo ne. Për më tepër, përvoja ka treguar se disa që ishin zhytur thellë në mënyrën më të keqe të sjelljes, e kanë pranuar mesazhin e Biblës, kanë ndryshuar dhe janë bërë të krishterë me një jetë të pastër. Prandaj, edhe pse mund të mos kërkojmë shoqëri me persona të tillë, nuk ngurrojmë t’u flasim atyre për shpresën e Mbretërisë, kur na paraqitet rasti. Shkrimet flasin për disa individë, të cilët, edhe pse ishin ende jobesimtarë, «ishin të prirur siç duhet për jetën e përhershme». Me kalimin e kohës ata u bënë besimtarë. (Veprat 13:48, BR) Nuk mund ta dimë kurrë se cili është i prirur siç duhet, nëse nuk i kemi dhënë dëshmi, ndoshta edhe shumë herë me radhë. Me këtë në mendje, i trajtojmë me «butësi» dhe me «respekt të thellë» ata që nuk e kanë pranuar akoma mesazhin e shpëtimit, duke shpresuar që mes tyre të ketë disa që mund ta pranojnë ende mesazhin e jetës.​—2 Timoteut 2:25; 1 Pjetrit 3:15, BR.

16. Cila është një arsye përse dëshirojmë të zhvillojmë ‘artin e mësimdhënies’?

16 Duke zhvilluar aftësi si mësues, do të na shtohet zelli për ta shpallur lajmin e mirë. Ta ilustrojmë: një lojë ose një sport tërheqës mund të mos jetë interesant për një person që nuk di të luajë. Por atij që di të luajë mirë, i pëlqen shumë. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët që zhvillojnë ‘artin e mësimdhënies’ e rritin gëzimin e tyre në shërbim. (2 Timoteut 4:2; Titit 1:9, BR) Pavli e këshilloi Timoteun: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.» (2 Timoteut 2:15, BR) Si mund t’i zhvillojmë aftësitë e mësimdhënies?

17. Si mund të ‘ushqejmë një dëshirë të zjarrtë’ për njohuri biblike dhe si do të na sjellë dobi kjo njohuri në shërbimin tonë?

17 Një mënyrë është duke marrë më tej njohuri të saktë. Apostulli Pjetër na inkurajon: «Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort [të ushqeni një dëshirë të zjarrtë për, BR] qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij [drejt shpëtimit, BR].» (1 Pjetrit 2:2) Një foshnjë e shëndetshme e ka instinktivisht dëshirën e fortë për qumësht. Por, një të krishteri mund t’i duhet ta ‘ushqejë dëshirën e zjarrtë’ për njohurinë biblike. Kjo mund të bëhet duke zhvilluar zakone të mira studimi dhe leximi. (Fjalët e urta 2:1-6) Kërkohen përpjekje dhe vetëdisiplinë nëse duam të bëhemi mësues të aftë të Fjalës së Perëndisë, por këto përpjekje sjellin shpërblime. Kënaqësia që vjen nga shqyrtimi i Fjalës së Perëndisë do të na bëjë të zjarrtë në frymën e Perëndisë, të zellshëm për të ndarë me të tjerët gjërat që mësojmë.

18. Si mund të na pajisin mbledhjet e krishtere për ta përdorur drejt fjalën e së vërtetës?

18 Edhe mbledhjet e krishtere luajnë rol jetësor në përdorimin me aftësi të Fjalës së Perëndisë. Kur lexohen vargje biblike gjatë fjalimeve publike dhe gjatë diskutimeve të tjera nga Shkrimet, bëjmë mirë të ndjekim me Biblën tonë. Është e mençur t’u kushtojmë vëmendje të madhe pjesëve në mbledhje, duke përfshirë ato që trajtojnë në mënyrë specifike veprën tonë të predikimit. Nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë vlerën e demonstrimeve, ndoshta duke e lënë veten të shpërqendrohemi gjatë tyre. Edhe një herë nevojitet vetëdisiplinë dhe përqendrim. (1 Timoteut 4:16) Mbledhjet e krishtere na e ndërtojnë besimin, na ndihmojnë të ushqejmë dëshirë të zjarrtë për Fjalën e Perëndisë dhe na stërvitin për të qenë lajmëtarë të zellshëm të lajmit të mirë.

Mund të jemi të sigurt për mbështetjen e Jehovait

19. Përse është jetësore pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit?

19 Të krishterët që janë «të zjarrtë në frymë» dhe që janë të zellshëm për të shpallur lajmin e mirë, përpiqen të marrin pjesë rregullisht në shërbim. (Efesianëve 5:15, 16) Vërtet, rrethanat ndryshojnë dhe jo të gjithë mund të shpenzojnë të njëjtën sasi kohe në këtë vepër jetëshpëtuese. (Galatasve 6:4, 5) Gjithsesi, ndoshta më e rëndësishme se sasia e përgjithshme e kohës që kalojmë në veprën e predikimit është shpeshtësia me të cilën flasim me të tjerët për shpresën tonë. (2 Timoteut 4:1, 2) Sa më shumë të predikojmë, aq më shumë do ta vlerësojmë rëndësinë e kësaj vepre. (Romakëve 10:14, 15) Do të na shtohet dhembshuria dhe ndjenjat e përbashkëta kur takojmë rregullisht njerëz të sinqertë që psherëtijnë e rënkojnë dhe që janë pa shpresë.​—Ezekieli 9:4; Romakëve 8:22.

20, 21. (a) Cila vepër shtrihet para nesh? (b) Si po i mbështet Jehovai përpjekjet tona?

20 Jehovai na ka besuar lajmin e mirë. Kjo është detyra e parë që marrim nga ai si «bashkëpunëtorë» të tij. (1 Korintasve 3:6-9) Jemi të zellshëm për ta përmbushur me gjithë shpirt këtë përgjegjësi që na ka dhënë Perëndia, duke bërë më të mirën. (Marku 12:30; Romakëve 12:1) Në botë ka ende shumë njerëz të prirur siç duhet, të cilët janë të uritur për të vërtetën. Ka shumë punë për të bërë, por mund të jemi të sigurt për mbështetjen e Jehovait, ndërsa kryejmë plotësisht shërbimin tonë.​—2 Timoteut 4:5.

21 Jehovai na ofron frymën e tij dhe na pajis me «shpatën e frymës», me Fjalën e Perëndisë. Me këtë ndihmë, mund të flasim «lirisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit». (Efesianëve 6:17-20) Le të thuhet për ne ajo që u shkroi apostulli Pavël të krishterëve në Selanik: «Ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me frymë të shenjtë dhe me shumë bindje.» (1 Thesalonikasve 1:5) Po, le ta shpallim me zell lajmin e mirë!

Rishikim i shkurtër

• Çfarë mund të ndodhë me zellin tonë për shërbimin, për shkak të anktheve të jetës?

• Në ç’mënyrë dëshira jonë për të shpallur lajmin e mirë duhet të jetë si «një zjarr flakërues» në zemër?

• Cilat qëndrime negative ndaj shërbimit duhet të shmangim?

• Në përgjithësi, si duhet t’i konsiderojmë ata që nuk kanë të njëjtat bindje si ne?

• Si na ndihmon Jehovai për ta ruajtur zellin në veprën e predikimit?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

Të krishterët imitojnë zellin e Pavlit dhe të Jeremisë

[Figurat në faqen 10]

Zelli ynë në shërbim motivohet nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin