Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po ua rekomandoni veten të tjerëve?

A po ua rekomandoni veten të tjerëve?

A po ua rekomandoni veten të tjerëve?

‘As që më duhet fare se ç’mendojnë të tjerët!’ Në një moment zemërimi ose dëshpërimi, ndoshta e keni bërë edhe ju këtë pohim të guximshëm. Por, pasi ka kaluar vala e guximit, mund t’ju lindë një ndjenjë shqetësimi plot ankth. Përse? Sepse shumicës prej nesh në të vërtetë i intereson ajo që mendojnë të tjerët për ne.

NË FAKT, duhet të na interesojnë ndjenjat e të tjerëve. Në veçanti neve si të krishterë, shërbëtorë të emëruar zyrtarisht të Perëndisë Jehova, duhet të na interesojë, në masën e duhur, mënyra se si na konsiderojnë të tjerët. Në fund të fundit, ne jemi «një spektakël teatral për botën». (1. Korintasve 4:9, BR) Te 2. Korintasve 6:3, 4 gjejmë këshillën e vlefshme të apostullit Pavël: «Ne nuk japim asnjë shkas për skandal [pengim, BR] në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë; por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë.»

Por, çfarë do të thotë t’ua rekomandojmë veten të tjerëve? A do të thotë që duhet të nxjerrim në pah veten apo të tërheqim vëmendje të papërshtatshme ndaj nesh dhe ndaj aftësive që kemi? Jo. Por, kërkon që të zbatojmë fjalët që gjejmë te 1. Pjetrit 2:12: «Silluni mirë ndër johebrenjtë, që . . . të përlëvdojnë Perëndinë . . . për shkak të veprave tuaja të mira [për të cilat janë dëshmitarë okularë, BR].» Të krishterët e rekomandojnë veten, duke lënë që të flasë sjellja e tyre! Në fund, kjo nuk na sjell lavdi neve, por Perëndisë. Gjithsesi, duke ua rekomanduar veten të tjerëve mund të kemi dobi edhe personalisht. Le të shqyrtojmë tri fusha ku mund të dalë e vërtetë kjo.

Si bashkëshortë të mundshëm

Merrni, për shembull, çështjen e martesës. Ajo është një dhuratë e Perëndisë Jehova, «nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë». (Efesianëve 3:15) Ndoshta keni dëshirë të martoheni një ditë. Nëse po, në ç’masë po e rekomandoni veten si bashkëshortë të mundshëm? Pikërisht, çfarë reputacioni keni krijuar tani ndërsa jeni të krishterë beqarë ose të krishtere beqare?

Në disa vende, kjo është një çështje me interes të madh për familjet. Në Ganë, për shembull, kur dy persona duan të martohen bashkë, është traditë që çifti i ardhshëm të informojë prindërit. Këta, nga ana e tyre, informojnë pjesëtarët e tjerë të familjes. Pastaj, familja e djalit fillon të sigurohet për reputacionin që ka vajza në lagje. Kur prindërit binden se vajza është e përshtatshme, informojnë familjen e vajzës që djali i tyre ka ndër mend të martohet me vajzën. Tani është familja e vajzës që shqyrton reputacionin e djalit para se të japë pëlqimin për martesën. Kështu, një fjalë e urtë ganeze thotë: «Pyet ata që duhet ta njohin bashkëshortin e mundshëm, para se të martohesh.»

Ç’të themi për vendet Perëndimore, ku në përgjithësi personave u lejohet t’i zgjedhin vetë bashkëshortët e tyre? Edhe atje, një burrë ose një grua, që është i krishterë i pjekur, do të bënte mirë të kërkonte një rekomandim të ndershëm nga personat që e njohin mirë bashkëshortin e mundshëm, siç janë prindërit ose miqtë e pjekur. Sipas librit Sekreti i lumturisë familjare, një vajzë mund të pyesë: «‘Çfarë reputacioni ka ky burrë? Kush janë miqtë e tij? A shfaq vetëkontroll? Si sillet me të moshuarit? Nga ç’lloj familjeje rrjedh? Si sillet me ta? Ç’qëndrim ka për paratë? Abuzon me pijet alkoolike? A është nevrik, madje i dhunshëm? Çfarë përgjegjësish ka në kongregacion dhe si i kryen ato? A mund ta respektoj thellësisht?’​—Levitiku 19:32; Fjalët e urta (Proverbat) 22:29; 31:23; Efesianëve 5:3-5, 33; 1. Timoteut 5:8; 6:10; Titit 2:6, 7 *

Në mënyrë të ngjashme, një djalë do të dëshirojë të pyesë për një vajzë të krishterë me të cilën po mendon të martohet. Sipas Biblës, Boazi tregoi një interes të tillë për Ruthën, gruan me të cilën më vonë u martua. Kur Rutha e pyeti: «Për çfarë arsye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?», Boazi i tha: «Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë.» (Ruthi 2:10-12) Tamam, Boazi jo vetëm që e vërejti personalisht se Rutha ishte një grua besnike, e dedikuar dhe e palodhur, por mori komente të favorshme edhe nga të tjerët.

Në mënyrë të ngjashme, sjellja juaj do të ketë rëndësi nëse të tjerët do t’ju konsiderojnë apo jo si bashkëshortë të përshtatshëm. Faktikisht, si po ua rekomandoni veten të tjerëve në këtë aspekt?

Si punonjës

Vendi i punës është një fushë tjetër ku mund të nxirrni dobi duke mbajtur një sjellje të mirë. Konkurrenca për punë mund të jetë shumë e madhe. Punonjësit që i njohin se janë të pabindur, se e kanë zakon të vonohen dhe se janë të pandershëm, shpeshherë i pushojnë nga puna. Gjithashtu, firmat mund të nxjerrin përkohësisht nga puna punonjës me përvojë, për të ulur shpenzimet. Kur personat e papunë kërkojnë ndonjë punë tjetër, mund të zbulojnë se firmat kontaktojnë me punëdhënësit e mëparshëm për t’u siguruar për zakonet e punës, qëndrimin dhe për përvojën e këtyre punonjësve. Shumë të krishterë ua kanë rekomanduar me sukses veten punëdhënësve, me anë të sjelljes së respektueshme, veshjes modeste, edukatës së këndshme dhe cilësive të dallueshme të krishtere.

Ndershmëria është një cilësi e tillë dhe shumë punëdhënës i japin përparësi të lartë asaj. Ashtu si apostulli Pavël, ne dëshirojmë të «sillemi me ndershmëri në çdo gjë». (Hebrenjve 13:18, BR) Në një shoqëri minerare në Ganë, u raportua një vjedhje. Mbikëqyrësin në impiantin e rafinimit, një Dëshmitar, e mbajtën në punë, kurse të tjerët i pushuan. Përse? Administrata e kishte vërejtur ndershmërinë e tij gjatë viteve. Gjithashtu, e njihnin mirë punën e tij të palodhur dhe respektin që kishte për autoritetin. Pikërisht, sjellja e tij e ndershme i shpëtoi punën.

Cilat janë disa gjëra të tjera që mund të bëjë një i krishterë për ta rekomanduar veten e tij në tregun e punës? Mësoni të fitoni aftësi në çfarëdo pune që ju jepet. (Fjalët e urta 22:29) Punoni me zell dhe me vetëdije. (Fjalët e urta 10:4; 13:4) Trajtojeni me respekt punëdhënësin dhe mbikëqyrësin e punës. (Efesianëve 6:5) Përpikmëria, ndershmëria, rendimenti dhe puna e palodhur janë cilësi që punëdhënësit i vlerësojnë dhe këto mund t’ju ndihmojnë të gjeni punë edhe kur ka me pakicë.

Privilegjet në kongregacion

Tani nevojiten, më shumë se kurrë, burra të pjekur që të marrin drejtimin në kongregacionin e krishterë. Arsyeja? Isaia profetizoi: «Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim.» (Isaia 54:2) Në përmbushje të kësaj profecie, kongregacioni mbarëbotëror i Jehovait vazhdon të përjetojë rritje.

Prandaj, nëse jeni burra të krishterë, si mund ta rekomandoni veten si persona të kualifikuar për të shërbyer në një emërim? Shqyrtoni shembullin e të riut Timote. Luka raporton se për Timoteun «jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit». Tamam, nëpërmjet sjelljes së tij të shkëlqyer, ky i ri ua kishte rekomanduar veten të krishterëve në dy qytete. Prandaj, Pavli e ftoi Timoteun të bashkohej me të në shërbimin udhëtues.​—Veprat 16:1-4.

Si mundet një burrë sot ‘të ketë si synim pozitën si mbikëqyrës’ në mënyrë të përshtatshme e të perëndishme? Sigurisht jo duke bërë fushata për të marrë një emërim, por duke kultivuar cilësitë frymore që nevojiten për përgjegjësi të tilla. (1. Timoteut 3:1-10, 12, 13, BR; Titit 1:5-9) Gjithashtu, ai mund ta tregojë se ka «dëshirë për një vepër të shkëlqyer», duke marrë pjesë në mënyrë të plotë në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ata që e rekomandojnë veten si burra të krishterë të përgjegjshëm interesohen sinqerisht për mirëqenien e vëllezërve të tyre frymorë. Ata ndjekin këshillën e apostullit Pavël: «Ndihmoni të krishterët që kanë nevojë, ushtroni mikpritjen.» (Romakëve 12:13, DSF) Duke bërë gjëra të tilla, një burrë i krishterë vërtet mund ta ‘rekomandojë veten si shërbëtor i Perëndisë’.

Në çdo kohë

T’ua rekomandojmë veten të tjerëve nuk do të thotë të vëmë një maskë shtirjeje ose të bëhemi si ata «që duan t’u pëlqejnë njerëzve». (Efesianëve 6:6) Në thelb, do të thotë t’ia rekomandojmë veten Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova, duke ndjekur me ndërgjegje ligjet dhe parimet e tij. Nëse e zhvilloni gjendjen tuaj frymore dhe nëse e forconi marrëdhënien tuaj me Perëndinë Jehova, të tjerët do të vënë re një përmirësim në mënyrën se si i trajtoni pjesëtarët e familjes, kolegët e punës dhe të krishterët e tjerë. Gjithashtu, do të vërejnë stabilitetin dhe ekuilibrin tuaj, gjykimin e shëndoshë, aftësinë tuaj për të mbajtur mbi supe përgjegjësitë dhe përulësinë tuaj. Kjo do t’ju bëjë të fitoni dashurinë dhe respektin e tyre dhe, ç’është më e rëndësishmja, do t’ju bëjë të fitoni miratimin e Perëndisë Jehova, sepse ua rekomandoni veten të tjerëve!

[Shënimi]

^ par. 8 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 19]

Me mençuri, shumë prindër pyesin për reputacionin e personit me të cilin vajza ose djali i tyre dëshiron të martohet

[Figura në faqen 20]

Një vëlla e rekomandon veten për privilegje shërbimi, duke u treguar i vëmendshëm ndaj të tjerëve