Të përpiqemi të njohim «mendjen e Krishtit»
Të përpiqemi të njohim «mendjen e Krishtit»
«‘Kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që të mund ta udhëzojë?’ Por ne kemi mendjen e Krishtit.»—1. KORINTASVE 2:16, BR.
1, 2. Çfarë pa të përshtatshme të zbulonte Jehovai në Fjalën e tij për Jezuin?
ÇFARË pamjeje kishte Jezui? Çfarë ngjyre i kishte flokët, lëkurën, sytë? Sa i gjatë ishte? Sa peshonte? Gjatë shekujve, paraqitjet artistike të Jezuit kanë ndryshuar, nga ato të arsyeshme deri në ato të pamundura. Disa e kanë pikturuar si burrëror dhe plot gjallëri, kurse të tjerët e kanë portretizuar si të brishtë e të zbehtë.
2 Megjithatë, Bibla nuk e përqendron vëmendjen te paraqitja e jashtme e Jezuit. Në vend të kësaj, Jehovai e pa të përshtatshme të zbulonte diçka shumë më domethënëse: llojin e personit që ishte Jezui. Tregimet e Ungjijve jo vetëm raportojnë atë që tha dhe bëri Jezui, por zbulojnë, gjithashtu, thellësinë e ndjenjave dhe mënyrën e të menduarit që qëndronte pas fjalëve dhe veprimeve të tij. Këto katër tregime të frymëzuara na japin mundësi të ndalemi e të shqyrtojmë atë që apostulli Pavël e quajti ‘mendja e Krishtit’. (1. Korintasve 2:16) Është e rëndësishme të njohim mendimet, ndjenjat dhe personalitetin e Jezuit. Përse? Ka të paktën dy arsye.
3. Çfarë mund të kuptojmë duke njohur mendjen e Krishtit?
Luka 10:22) Është sikur Jezui të ishte duke thënë: ‘Nëse dëshironi të dini se si është Jehovai, më vëzhgoni mua.’ (Gjoni 14:9) Prandaj, kur studiojmë atë që zbulojnë Ungjijtë për mënyrën se si mendonte dhe çfarë ndiente Jezui, në fakt ne po mësojmë se si mendon dhe çfarë ndien Jehovai. Një njohuri e tillë na jep mundësi t’i afrohemi më shumë Perëndisë tonë.—Jakobit 4:8.
3 Së pari, mendja e Krishtit na jep njëfarë ideje për mendjen e Perëndisë Jehova. Jezui e njihte kaq nga afër Atin e tij, saqë mundi të thoshte: «Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij që Biri do t’ia zbulojë.» (4. Nëse duam vërtet të veprojmë si Krishti, çfarë duhet të mësojmë së pari dhe përse?
4 Së dyti, njohja e mendjes së Krishtit na ndihmon të ‘ndjekim gjurmët e tija’. (1. Pjetrit 2:21, DSF) Të ndjekim Jezuin nuk do të thotë thjesht të përsëritim fjalët e tij dhe të kopjojmë veprimet e tij. Duke qenë se i foluri dhe veprimet ndikohen nga mendimet dhe ndjenjat, të ndjekim Krishtin kërkon që të zhvillojmë të njëjtin «qëndrim mendor» që kishte ai. (Filipianëve 2:5, BR) Me fjalë të tjera, nëse duam vërtet të veprojmë si Krishti, së pari duhet të mësojmë që të mendojmë e të ndiejmë si ai, domethënë, në maksimumin e mundësive tona si njerëz të papërsosur. Atëherë, le të ndalemi e të shqyrtojmë mendjen e Krishtit, me ndihmën e shkrimtarëve të Ungjijve. Do të konsiderojmë fillimisht faktorët që ndikuan në mënyrën se si mendonte dhe si ndihej Jezui.
Ekzistenca e tij paranjerëzore
5, 6. (a) Çfarë ndikimi mund të ketë te ne shoqëria? (b) Çfarë shoqërie pati Biri i parëlindur i Perëndisë në qiej para se të vinte në tokë dhe çfarë ndikimi pati kjo tek ai?
5 Shokët tanë të ngushtë mund të kenë ndikim te ne, duke influencuar për mirë ose për keq në mendimet, ndjenjat dhe në veprimet tona. * (Fjalët e urta [Proverbat] 13:20) Shqyrtoni shoqërinë që kishte Jezui në qiej para se të vinte në tokë. Ungjilli i Gjonit e tërheq vëmendjen tek ekzistenca paranjerëzore e Jezuit si «Fjala» ose Zëdhënësi i Perëndisë. Gjoni thotë: «Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi. Ky ishte në fillim me Perëndinë.» (Gjoni 1:1, 2, BR) Meqë Jehovai nuk ka fillim, fakti që Fjala ishte me Perëndinë që «në fillim» duhet t’i referohet fillimit të veprave krijuese të Perëndisë. (Psalmi 90:2) Jezui është «i parëlinduri i çdo krijese». Prandaj, ai ka ekzistuar para se të krijoheshin krijesat e tjera frymore dhe universi fizik.—Kolosianëve 1:15; Zbulesa 3:14.
6 Sipas disa përllogaritjeve shkencore, universi fizik ka të paktën 12 miliardë vjet që ekziston. Nëse këto përllogaritje janë sadopak të sakta, Biri i parëlindur i Perëndisë ka gëzuar një shoqëri të ngushtë me Atin e tij për miliarda vjet para se të krijohej Adami. (Krahaso Mikean 5:2.) Kështu, ndërmjet atyre të dyve u zhvillua një lidhje e thellë dhe e përzemërt. Si mençuria e personifikuar, ky Bir i parëlindur, në ekzistencën e tij paranjerëzore, paraqitet duke thënë: «Isha çdo ditë kënaqësia e tij [e Jehovait], duke u gëzuar çdo çast para tij.» (Fjalët e urta 8:30) Patjetër, shekujt e panumërt që kaloi në shoqëri të ngushtë me Burimin e dashurisë patën një ndikim të thellë te Biri i Perëndisë. (1. Gjonit 4:8) Ky Bir arriti t’i njihte dhe t’i pasqyronte mendimet, ndjenjat dhe udhët e Atit të tij në një mënyrë që nuk mund ta bënte askush tjetër.—Mateu 11:27.
Jeta dhe ndikimet tokësore
7. Cila është një nga arsyet që Biri i parëlindur i Perëndisë duhej të vinte në tokë?
7 Biri i Perëndisë kishte akoma për të mësuar, sepse qëllimi i Jehovait ishte ta pajiste Birin e tij për të qenë një Kryeprift i dhembshur, në gjendje që «t’i vijë keq për dobësitë tona». (Hebrenjve 4:15) Plotësimi i kërkesave për këtë rol ishte një nga arsyet për të cilat Biri erdhi në tokë si njeri. Këtu, si njeri prej mishi dhe gjaku, Jezui u gjend përballë rrethanave dhe ndikimeve që më përpara vetëm sa i kishte vëzhguar nga qielli. Tani, kishte mundësi t’i provonte drejtpërdrejt ndjenjat dhe emocionet njerëzore. Disa herë ai u ndie i lodhur, i etur dhe i uritur. (Mateu 4:2; Gjoni 4:6, 7) Për më tepër, ai duroi çdo lloj vështirësie dhe vuajtjeje. Në këtë mënyrë, «mësoi bindjen» dhe u bë plotësisht i kualifikuar për rolin e tij si Kryeprift.—Hebrenjve 5:8-10, BR.
8. Çfarë dimë për vitet e para të jetës së Jezuit në tokë?
8 Ç’të themi për ngjarjet që i ndodhën Jezuit gjatë viteve të para të jetës në tokë? Dokumentimi i fëmijërisë së tij është shumë i shkurtër. Në fakt, vetëm Mateu dhe Luka treguan ngjarjet që rrethuan lindjen e tij. Shkrimtarët e Ungjijve e dinin se Jezui kishte jetuar në qiell para se të vinte në tokë. Kjo ekzistencë paranjerëzore e shpjegonte më shumë se çdo gjë tjetër se çfarë lloj njeriu u bë ai. Megjithatë, Jezui ishte njeri në çdo aspekt. Edhe pse ishte i përsosur, atij i duhej, prapëseprapë, të kalonte nga foshnjëria në fëmijëri, në adoleshencë dhe në moshën e rritur, duke mësuar gjatë gjithë kësaj kohe. (Luka 2:51, 52) Bibla zbulon disa gjëra për vitet e para të jetës së Jezuit, që pa dyshim ndikuan tek ai.
9. (a) Nga e kuptojmë se Jezui lindi në një familje të varfër? (b) Në çfarë lloj kushtesh ka të ngjarë të jetë rritur Jezui?
9 Nga sa duket, Jezui lindi në një familje të varfër. Këtë e tregon oferta që sollën Jozefi dhe Maria në tempull, rreth 40 ditë pas lindjes së tij. Në vend që të sillnin një dash të ri si ofertë të djegur dhe një pëllumb të ri ose një turtull si ofertë për mëkatin, ata sollën «një çift turtujsh ose dy pëllumba të rinj». (Luka 2:24) Sipas Ligjit të Moisiut, kjo ofertë ishte një masë që ishte marrë për të varfrit. (Levitiku 12:6-8) Me kalimin e kohës, kjo familje e thjeshtë u rrit në numër. Pas lindjes së mrekullueshme të Jezuit, Jozefi dhe Maria patën të paktën gjashtë fëmijë të tjerë në mënyrë të natyrshme. (Mateu 13:55, 56) Kështu, Jezui u rrit në një familje të madhe, dhe ka të ngjarë në kushte modeste.
10. Nga duket se Maria dhe Jozefi ishin njerëz me druajtje Perëndie?
10 Jezui u rrit nga prindër me druajtje Perëndie, që u kujdesën për të. Mamaja e tij, Maria, ishte një grua e veçantë. Sillni ndër mend se kur e përshëndeti, engjëlli Gabriel i tha asaj: «Mirëdita, ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty.» (Luka 1:28, BR) Edhe Jozefi ishte një njeri i devotshëm. Me besim të plotë ai bënte çdo vit udhëtimin prej 150 kilometrash për në Jerusalem, që të festonte Pashkën. Edhe Maria shkonte, ndonëse kjo gjë u kërkohej vetëm meshkujve. (Eksodi [Dalja] 23:17; Luka 2:41) Në një nga këto raste, Jozefi dhe Maria, pas një kërkimi këmbëngulës, e gjetën Jezuin 12-vjeçar në tempull, mes mësuesve. Jezui u tha prindërve të tij të shqetësuar: «A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» (Luka 2:49, BR) ‘Atë’: kjo fjalë duhet të ketë pasur një ngjyrim të përzemërt e pozitiv për Jezuin e vogël. Pikësëpari, me sa duket, atij i kishin thënë se Ati i tij i vërtetë ishte Jehovai. Përveç kësaj, Jozefi duhet të ketë qenë një baba i mirë adoptues për Jezuin. Patjetër, Jehovai nuk do të kishte zgjedhur një njeri të ashpër ose mizor që të rriste Birin e Tij të dashur.
11. Çfarë zanati mësoi Jezui dhe çfarë përfshinte puna në këtë zanat në kohët biblike?
11 Gjatë viteve që kaloi në Nazaret, Jezui mësoi zanatin e zdrukthëtarit, ndoshta nga babai i tij adoptues, Jozefi. Kaq mirë e zotëronte Jezui këtë zanat, saqë e quanin ‘zdrukthëtari’. (Marku 6:3) Në kohët biblike, zdrukthëtarët punësoheshin për të ndërtuar shtëpi, për të bërë orendi (ku përfshiheshin tavolina, frone dhe stola), si edhe për të bërë vegla bujqësore. Në veprën e tij, Dialog me Trifonin, Justin Martiri i shekullit të dytë të e.s., shkruante për Jezuin: «Ai e kishte zakon të punonte si zdrukthëtar kur ishte mes njerëzve, duke bërë plugje dhe zgjedha.» Një punë e tillë nuk ishte e lehtë, sepse me sa duket në lashtësi zdrukthëtarët nuk mund ta blinin drurin. Ka më shumë të ngjarë që ata të dilnin e të zgjidhnin një pemë, ta pritnin dhe ta merrnin me vete në shtëpi. Kështu, Jezui mund ta ketë provuar se çfarë sfide është të sigurosh jetesën, të merresh me klientët dhe të mbash një shtëpi financiarisht.
12. Nga e kuptojmë që, me sa duket, Jozefi kishte vdekur para Jezuit dhe çfarë do të ketë nënkuptuar kjo për Jezuin?
12 Duke qenë djali më i madh, ka të ngjarë që Jezui të ndihmonte në kujdesjen për familjen, veçanërisht meqë duket se Jozefi vdiq para Jezuit. * Në Kullën e Rojës të Sionit, 1 janar 1900, anglisht, thuhej: «Sipas trashëgimisë gojore, Jozefi vdiq kur Jezui ishte ende i ri dhe ky i fundit mori zanatin e zdrukthëtarit, duke u bërë mbështetje për familjen. Kjo gjen njëfarë mbështetjeje në dëshminë biblike, ku vetë Jezuin e quajnë zdrukthëtar dhe ku përmenden nëna, si edhe vëllezërit e tij, por nuk përmendet Jozefi. (Marku 6:3) . . . Ka shumë të ngjarë, pra, që periudhën e gjatë prej tetëmbëdhjetë vjetësh të jetës së tij, që nga koha e ngjarjes [së dokumentuar te Luka 2:41-49] e deri në kohën e pagëzimit të tij, Zotëria ta ketë kaluar duke bërë punët normale të jetës.» Maria dhe fëmijët e saj, duke përfshirë edhe Jezuin, ka mundësi ta njihnin dhimbjen që vjen kur të vdes një bashkëshort dhe një baba i dashur.
13. Kur Jezui nisi shërbimin e tij, përse mund të themi që e bëri këtë me një njohuri, mendjehollësi dhe thellësi ndjenjash që asnjë njeri tjetër nuk mund t’i kishte pasur?
13 Qartë, pra, Jezui nuk pati një jetë të rehatshme. Përkundrazi, ai e provoi drejtpërdrejt jetën e njerëzve të thjeshtë. Pastaj, në vitin 29 të e.s., erdhi koha që Jezui të përmbushte caktimin hyjnor që e priste. Në vjeshtën e atij viti, ai u pagëzua në ujë dhe lindi si një Bir frymor i Perëndisë. ‘Qiejt iu hapën’, gjë që, me sa duket, tregoi se tani ai mund të kujtonte jetën e tij paranjerëzore në qiell, duke përfshirë edhe mendimet e ndjenjat që kishte pasur më përpara. (Luka 3:21, 22) Prandaj, kur Jezui nisi shërbimin e tij, e bëri këtë me një njohuri, mendjehollësi dhe thellësi ndjenjash që asnjë njeri tjetër nuk mund t’i kishte pasur. Shkrimtarët e Ungjijve kishin arsye të vlefshme që ia kushtuan pjesën më të madhe të shkrimeve të tyre ngjarjeve të shërbimit të Jezuit. Gjithsesi, ata nuk mundën t’i dokumentonin dot të gjitha gjërat që tha e bëri ai. (Gjoni 21:25) Por ajo që u frymëzuan të dokumentonin, na jep mundësi të ndalemi e të shqyrtojmë mendjen e njeriut më të madh që ka jetuar ndonjëherë.
Si ishte Jezui si person?
14. Në ç’mënyrë Ungjijtë e portretizojnë Jezuin si një njeri me përzemërsi të butë e me ndjenja të thella?
14 Personaliteti i Jezuit, që bëhet i qartë nga Ungjijtë, është ai i një njeriu me përzemërsi të butë e me ndjenja të thella. Ai shfaqi një shumëllojshmëri reagimesh emocionale: mëshirë për një të lebrosur (Marku 1:40, 41); pikëllim për njerëzit e pandjeshëm (Luka 19:41, 42); indinjatë me të drejtë për këmbyesit lakmitarë të parave (Gjoni 2:13-17). Duke qenë njeri me empati, Jezui mund të prekej deri aty sa të qante dhe nuk i fshihte ndjenjat e tij. Kur kishte vdekur Lazri, miku i tij i dashur, Jezui u prek kaq shumë kur pa Marinë (motrën e Lazrit) duke qarë, saqë ai vetë shpërtheu në lot dhe qau para të gjithëve.—Gjoni 11:32-36.
15. Si ishin të dukshme ndjenjat e buta të Jezuit në mënyrën se si i konsideronte dhe si i trajtonte të tjerët?
15 Ndjenjat e buta të Jezuit ishin veçanërisht të dukshme në mënyrën se si i konsideronte dhe si i trajtonte të tjerët. Ai u interesua për të varfrit dhe për të shtypurit, duke i ndihmuar që të ‘gjenin freskim për shpirtrat e tyre’. (Mateu 11:4, 5, 28-30, BR) Nuk ishte tepër i zënë që të mos u përgjigjej nevojave të të pikëlluarve, si në rastin e një gruaje me hemorragji që në heshtje i preku atij rrobën, ashtu edhe në rastin e një lypësi të verbër që nuk e bënin dot të heshtte. (Mateu 9:20-22; Marku 10:46-52) Jezui kërkonte të gjente anët e mira te të tjerët dhe i lavdëronte ata, por ishte, gjithashtu, i gatshëm të ofronte qortimin kur ky ishte i nevojshëm. (Mateu 16:23; Gjoni 1:47; 8:44) Në një kohë kur gratë gëzonin pak të drejta, Jezui i trajtoi ato me një masë të ekuilibruar dinjiteti dhe respekti. (Gjoni 4:9, 27) Është e kuptueshme përse një grup grash i shërbyen atij me dëshirë, duke përdorur pasuritë e tyre.—Luka 8:3.
16. Nga duket se Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar për jetën dhe për gjërat materiale?
16 Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar për jetën. Për të gjërat materiale nuk kishin rëndësi parësore. Duket se nga ana materiale kishte shumë pak. Ai vetë tha që ‘nuk kishte as ku të mbështeste kokën’. (Mateu 8:20) Por në të njëjtën kohë, Jezui ua shtonte gëzimin të tjerëve. Kur mori pjesë në një dasmë (që zakonisht është një festë e shoqëruar me muzikë, këngë dhe hare), kuptohet se ai nuk kishte shkuar për të mbytur entuziazmin e rastit. Në fakt, aty Jezui kreu mrekullinë e tij të parë. Kur u mbarua vera, ai e ktheu ujin në verë të shkëlqyer, pije që «gëzon zemrën e njeriut». (Psalmi 104:15; Gjoni 2:1-11) Në këtë mënyrë festa mund të vazhdonte dhe dhëndri e nusja, pa dyshim, shpëtuan nga sikleti. Ekuilibri i tij pasqyrohet më tej në faktin se janë shumë më tepër rastet e përmendura kur Jezui punoi për një kohë të gjatë dhe në mënyrë të palodhur në shërbimin e tij.—Gjoni 4:34.
17. Përse nuk na habit fakti që Jezui ishte një Mësues i Madh dhe çfarë pasqyronin mësimet e tij?
17 Jezui ishte një Mësues i Madh. Shumë nga mësimet e tij pasqyronin realitetin e jetës së përditshme, të cilën ai e njihte mirë. (Mateu 13:33; Luka 15:8) Mënyra e tij e të mësuarit ishte e pakrahasueshme—gjithnjë e qartë, e thjeshtë dhe praktike. Por, akoma më e rëndësishme është ajo që mësoi. Mësimet e tij pasqyronin dëshirën e sinqertë që kishte ai për t’i njohur dëgjuesit me mendimet, me ndjenjat dhe me udhët e Jehovait.—Gjoni 17:6-8.
18, 19. (a) Çfarë përshkrimesh të gjalla bëri Jezui për Atin e tij? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
18 Duke përdorur shpeshherë ilustrimet, Jezui e bëri të njohur Atin e tij me përshkrime të gjalla që nuk mund të harrohen me lehtësi. Të flasësh në përgjithësi për mëshirën e Perëndisë është një gjë. Por është krejt tjetër ta krahasosh Jehovain me një baba që fal, i cili preket kaq thellë kur sheh birin që po kthehet, saqë ‘vrapon, i hidhet në qafë dhe e puth me butësi’. (Luka 15:11-24, BR) Duke hedhur poshtë një kulturë të ngurtë, ku udhëheqësit fetarë i shihnin me përçmim njerëzit e thjeshtë, Jezui shpjegoi se Ati i tij ishte një Perëndi që mund t’i afrohesh, të cilit i pëlqeu më shumë përgjërimi i një taksambledhësi të përulur, sesa lutja për t’u dukur e një fariseu mburravec. (Luka 18:9-14) Jezui e portretizoi Jehovain si një Perëndi që kujdeset, i cili e di se kur një harabel i vogël bie për tokë. «Mos kini frikë,—i siguroi Jezui dishepujt e tij,—ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29, 31) Kuptohet përse njerëzit ishin të mahnitur nga «mënyra e tij e të mësuarit» dhe tërhiqeshin drejt tij. (Mateu 7:28, 29, BR) Imagjinoni, në një rast «një turmë shumë e madhe» qëndroi pranë tij për tri ditë, madje duke ndenjur edhe pa ngrënë!—Marku 8: 1, 2.
19 Mund të jemi mirënjohës që Jehovai e ka zbuluar mendjen e Krishtit në Fjalën e Tij. Por, si mund ta zhvillojmë e ta shfaqim ne mendjen e Krishtit, kur kemi të bëjmë me të tjerët? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 5 Fakti që krijesat frymore mund të ndikohen nga shoqëria e tyre tregohet te Zbulesa 12:3, 4. Aty Satanai përshkruhet si një «dragua» që ishte në gjendje ta përdorte ndikimin e tij për të bërë që ‘yje’ ose bij të tjerë frymorë të bashkoheshin me të në rebelim.—Krahaso Jobin 38:7.
^ par. 12 Për herë të fundit Jozefi përmendet drejtpërdrejt kur gjejnë Jezuin 12-vjeçar në tempull. Nuk ka referime se Jozefi ishte i pranishëm në dasmën në Kanë, në fillim të shërbimit të Jezuit. (Gjoni 2:1-3) Në vitin 33 të e.s., Jezui i vënë në shtyllë ia la nën kujdes Marinë apostullit të dashur Gjon. Ndoshta Jezui nuk do ta kishte bërë këtë, po të kishte qenë ende gjallë Jozefi.—Gjoni 19:26, 27.
A ju kujtohet?
• Përse është e rëndësishme të njohim «mendjen e Krishtit»?
• Çfarë shoqërie kishte Jezui në ekzistencën e tij paranjerëzore?
• Çfarë rrethanash dhe ndikimesh përjetoi drejtpërdrejt Jezui gjatë jetës së tij në tokë?
• Çfarë zbulojnë Ungjijtë për personalitetin e Jezuit?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 10]
Jezui u rrit në një familje të madhe, ka të ngjarë në kushte modeste
[Figurat në faqen 12]
Mësuesit u mrekulluan nga kuptueshmëria dhe nga përgjigjet e Jezuit 12-vjeçar