Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Me trup të vogël, por me zemër të madhe

Me trup të vogël, por me zemër të madhe

Me trup të vogël, por me zemër të madhe

SI DO t’ju dukej t’u flitnit njerëzve të tjerë për Mbretërinë e Perëndisë, po të ishit vetëm 76 centimetra të gjatë? Laura mund të na e thotë. Ajo është 33 vjeçe dhe është pikërisht kaq e gjatë, 76 centimetra. Ajo jeton në Kuito, Ekuador, së bashku me të motrën, Maria, e cila është 24 vjeçe dhe 86 centimetra e gjatë. Le t’i lëmë që të na shpjegojnë pengesat që hasin në shërbimin e tyre të krishterë.

«Për të shkuar në territorin tonë të predikimit dhe në mbledhjet e krishtere, ecim rreth gjysmë kilometri për të marrë një autobus. Nga vendi ku na lë autobusi ecim një gjysmë kilometri tjetër për të marrë një autobus të dytë. Mjerisht, përgjatë kësaj rruge që bëjmë ka pesë qen të egër. Ne na frikësojnë shumë qentë, sepse na duken të mëdhenj si kuaj. Për t’i dëbuar po të jetë e nevojshme, marrim me vete një shkop që e fshehim diku, para se të marrim autobusin, me qëllim që ta kemi prapë gati kur të kthehemi në shtëpi.

Të hipim në autobus është me të vërtetë një hap i madh për ne. Te ndalesa e autobusit qëndrojmë në majë të një grumbulli dheu, me qëllim që ta kemi më të lehtë të hipim. Disa shoferë e afrojnë autobusin te grumbulli i dheut, kurse disa të tjerë jo. Në raste të tilla, më e gjata nga ne ndihmon më të shkurtrën për t’u ngjitur. Për të marrë autobusin e dytë, duhet të kalojmë një autostradë të ngarkuar me makina dhe kjo përbën një përpjekje të madhe për këmbët tona të shkurtra. Duke qenë se jemi me shtat të vogël, çanta e rëndë e librave paraqet një sfidë tjetër. Për ta bërë më të lehtë çantën, përdorim një Bibël me përmasa xhepi dhe e kufizojmë sasinë e literaturës që marrim me vete.

Që nga fëmijëria, kemi qenë të dyja shumë të mbyllura si tip. Fqinjët tanë e dinë që ne kemi pasur gjithnjë ndrojtje t’u flasim njerëzve të tjerë. Prandaj, habiten dhe u bën përshtypje kur na shohin që trokasim në dyert e tyre dhe zakonisht na dëgjojnë. Por aty ku nuk na njohin shumë, shpesh njerëzit shohin vetëm se jemi xhuxhe, kështu që nuk na kushtojnë gjithnjë vëmendjen serioze që meriton mesazhi ynë. Megjithatë, fakti që ndiejmë dashurinë e Jehovait na jep zemër për të vazhduar në veprën ungjillëzuese. Gjithashtu, na jep kurajë meditimi rreth Fjalëve të urta [Proverbat] 3:5, 6

Siç e kanë treguar Laura dhe Maria, ngulmimi me gjithë pengesat fizike mund t’i sjellë lavdi Perëndisë. Apostulli Pavël u lut që t’i hiqej ‘gjembi në mish’, që ndoshta ishte një dobësi fizike. Por Perëndia i tha: «Hiri [dashamirësia e pamerituar, BR] im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.» Në fakt, nuk është e nevojshme të na hiqet ndonjë dobësi fizike që kemi, për të qenë në gjendje t’i shërbejmë Perëndisë. Mbështetja e plotë te Perëndia mund të na ndihmojë që të japim më të mirën sipas rrethanave tona. Pikërisht sepse e shihte në këtë mënyrë ‘gjembin e tij në mish’, Pavli mundi të thoshte: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.» (2. Korintasve 12:7, 9, 10) Disa vjet më vonë, Pavli shkroi: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:13, BR.

Në kohët moderne Perëndia po kryen një vepër madhështore me anë të burrave, grave dhe fëmijëve që i janë dedikuar plotësisht atij. Disa nga ata kanë dobësi fizike të ndonjë lloji. Ndonëse që të gjithë ata shpresojnë për shërimin nga Perëndia në Mbretërinë e Tij, asnjëri nuk po pret derisa Perëndia t’i lirojë nga problemet, e pastaj të përpiqet të bëjë diçka në shërbim të tij.

A vuani nga ndonjë dobësi fizike? Merrni kurajë! Me anë të besimit tuaj, mund të jeni mes shërbëtorëve si Pavli, Laura dhe Maria. Për ta mund të thuhet siç u tha për burrat e gratë me besim në kohët e lashta: «Nga të dobët [ata] u bënë të fuqishëm.»​—Hebrenjve 11:34.

[Figura në faqen 8]

Maria

Laura

[Figura në faqen 9]

Maria e ndihmon Laurën të hipë në autobus

[Figurat në faqen 9]

«Qentë na frikësojnë shumë, sepse na duken të mëdhenj si kuaj»

Poshtë: Laura, Maria dhe personat që kanë studiuar Biblën me to