Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 42

KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai

Trego mirënjohje për ‘dhuratat në njerëz’

Trego mirënjohje për ‘dhuratat në njerëz’

«Kur u ngjit lart, . . . dha dhurata në njerëz.»EFES. 4:8.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si na ndihmojnë shërbëtorët e kongregacionit, pleqtë dhe mbikëqyrësit qarkorë, e si të tregojmë çmueshmëri për gjithë sa bëjnë këta vëllezër besnikë.

1. Cilat janë disa dhurata që na ka bërë Jezui?

 HISTORIA nuk ka njohur njeri më zemërgjerë se Jezui. Kur ishte në tokë, ai e përdori bujarisht fuqinë për të bërë mrekulli që të ndihmonte të tjerët. (Luka 9:12-17) Madje Jezui na bëri dhuratën më të madhe që ekziston: dha jetën për ne. (Gjoni 15:13) Edhe pas ringjalljes ai ka vazhduar të tregojë bujari. Ashtu siç premtoi, i është lutur Jehovait të derdhë mbi ne frymën e shenjtë që të na mësojë dhe të na ngushëllojë. (Gjoni 14:16, 17, shën.; 16:13) Gjithashtu, nëpërmjet mbledhjeve të kongregacionit, Jezui na jep pareshtur ç’na nevojitet për të bërë dishepuj anekënd tokës.—Mat. 28:18-20.

2. Cilët përfshihen te ‘dhuratat në njerëz’ të përmendura tek Efesianëve 4:7, 8?

2 Të mendojmë edhe për një dhuratë tjetër të Jezuit. Apostulli Pavël shkroi se pasi u ngjit në qiell, Jezui «dha dhurata në njerëz». (Lexo Efesianëve 4:7, 8.) Siç e shpjegoi Pavli, qëllimi i këtyre dhuratave ishte të mbështeste kongregacionin në mënyra të ndryshme. (Efes. 1:22, 23; 4:11-13) Sot te ‘dhuratat në njerëz’ përfshihen shërbëtorët e kongregacionit, pleqtë dhe mbikëqyrësit qarkorë. a Natyrisht, ata janë njerëz të papërsosur dhe bëjnë gabime. (Jak. 3:2) Prapëseprapë, Zotëria ynë Jezu Krisht i përdor për të na ndihmuar; këta vëllezër janë dhurata nga dora e tij.

3. Ilustroni si mund ta mbështetim të gjithë ne punën që bëjnë ‘dhuratat në njerëz’.

3 Këtyre ‘dhuratave në njerëz’ Jezui u ka caktuar detyrën e rëndësishme që të forcojnë kongregacionin. (Efes. 4:12) Por të gjithë mund t’i ndihmojmë që ta përmbushin këtë përgjegjësi me peshë. Ta ilustrojmë: disa prej nesh ndihmojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e një Salle Mbretërie. Të tjerë e mbështetin këtë vepër duke siguruar ushqim, duke ndihmuar me transportin e duke kryer shërbime të tjera. Po njësoj, me fjalët e veprimet tona, të gjithë ne mund ta mbështetim punën e shërbëtorëve të kongregacionit, pleqve dhe mbikëqyrësve qarkorë për të forcuar kongregacionin. Le të shohim si nxjerrim dobi nga puna e tyre e palodhur dhe si mund t’u tregojmë mirënjohje atyre dhe Jezuit, që na i ka dhënë këto «dhurata në njerëz».

SHËRBËTORËT E KONGREGACIONIT KRYEJNË «SHËRBIME TË DOBISHME»

4. Cilat ishin disa «shërbime të dobishme» që kryenin shërbëtorët e kongregacionit në shekullin e parë?

4 Në shekullin e parë, disa vëllezër emëroheshin shërbëtorë kongregacioni. (1 Tim. 3:8) Tamam për ta duhet ta ketë pasur fjalën Pavli kur përmendi vëllezërit që kryenin «shërbime të dobishme». (1 Kor. 12:28) Pra duket se shërbëtorët e kongregacionit kryenin mjaft detyra të nevojshme, në mënyrë që pleqtë të përqendroheshin te mësimdhënia dhe te kujdesi për delet e Jehovait. Për shembull, ka të ngjarë që shërbëtorët e kongregacionit ndihmonin të bëheshin kopje të Shkrimeve ose blinin materialet e nevojshme për kopjimin.

5. Cilat janë disa shërbime të dobishme që kryejnë sot shërbëtorët e kongregacionit?

5 Mendo për disa shërbime të dobishme që kryejnë në kongregacionin tënd shërbëtorët e kongregacionit. (1 Pjet. 4:10) Ata mund të kenë si caktim të merren me llogarinë ose me territoret, të porositin literaturë dhe t’ua vënë në dispozicion lajmëtarëve, të përdorin pajisjet audio e video, të shërbejnë si mikpritës ose të ndihmojnë në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Të gjitha këto janë shërbime të nevojshme që kongregacioni të funksionojë siç duhet. (1 Kor. 14:40) Përpos këtyre, disa shërbëtorë kongregacioni mbajnë pjesë në mbledhjen «Jeta dhe shërbimi» dhe bëjnë fjalime publike. Një shërbëtor kongregacioni mund të caktohet edhe si ndihmës i një mbikëqyrësi grupi. Veç kësaj, ndonjëherë një plak mund t’i kërkojë një shërbëtori kongregacioni ta shoqërojë në vizita baritore.

6. Cilat janë disa arsye pse i çmojmë shërbëtorët e palodhur të kongregacionit?

6 Si nxjerr dobi kongregacioni nga puna e shërbëtorëve të kongregacionit? Bebërli b, një motër në Bolivi, thotë: «Falë shërbëtorëve të kongregacionit, arrij t’i shijoj plotësisht mbledhjet. Në saje të punës së tyre, kam mundësi të këndoj, të bëj komente, të dëgjoj fjalimet e të mësoj nga videot dhe figurat e botimeve. Ata kujdesen për sigurinë tonë në Sallë dhe ndihmojnë të ndiqet programi me videokonferencë. Pas mbledhjes ndihmojnë për pastrimin e për llogarinë dhe sigurohen të kemi literaturën e nevojshme. E kam zemrën plot mirënjohje për ta!» Lesli, që jeton në Kolumbi dhe që e ka të shoqin plak kongregacioni, thotë: «Burri im ka shumë nevojë për ndihmën e shërbëtorëve të kongregacionit që të kryhen caktime të ndryshme. Pa ta, do të ishte akoma më i ngarkuar, ndaj e çmoj sa s’thuhet entuziazmin e tyre dhe gatishmërinë për të ndihmuar.» Pa dyshim që edhe ti ndien të njëjtën mirënjohje.—1 Tim. 3:13.

7. Si mund ta tregojmë mirënjohjen për shërbëtorët e kongregacionit? (Shihni edhe figurën.)

7 Ne ndiejmë mirënjohje për shërbëtorët e kongregacionit, ama Bibla na nxit: «Tregohuni mirënjohës». (Kolos. 3:15) Kshishtofi, një plak në Finlandë, e shpreh kështu mirënjohjen: «I dërgoj ndonjë kartolinë a mesazh një shërbëtori kongregacioni, ku citoj një shkrim dhe përmend një mënyrë si më ka inkurajuar ai ose pse e çmoj shërbimin e tij.» Paskali dhe Jaela, që jetojnë në Kaledoninë e Re, luten në mënyrë specifike për shërbëtorët e kongregacionit. Paskali thotë: «Kohët e fundit kemi bërë përgjërime, kërkesa dhe lutje falënderimi për këta vëllezër të emëruar në kongregacionin tonë.» Jehovai i dëgjon lutje të tilla, dhe tërë kongregacioni nxjerr dobi nga kjo.—2 Kor. 1:11.

PLEQTË «PUNOJNË PA U LODHUR» MES NESH

8. Pse Pavli tha se pleqtë në shekullin e parë ‘punonin pa u lodhur’? (1 Selanikasve 5:12, 13)

8 Në shekullin e parë, pleqtë punonin pa u lodhur për kongregacionin. (Lexo 1 Selanikasve 5:12, 13; 1 Tim. 5:17) Ata ‘drejtonin’ kongregacionin—pra drejtonin mbledhjet dhe merrnin vendime si trup pleqsh. Gjithashtu ‘këshillonin’ vëllezërit e motrat—pra jepnin këshilla specifike e të dashura për ta mbrojtur kongregacionin. (1 Sel. 2:11, 12; 2 Tim. 4:2) Sigurisht, ata vëllezër punonin pa u lodhur edhe për të mbajtur familjen e për të ruajtur një miqësi të fortë me Jehovain.—1 Tim. 3:2, 4; Titit 1:6-9.

9. Cilat janë disa përgjegjësi të pleqve sot?

9 Pleqtë sot janë goxha të ngarkuar. Ata janë ungjillëzues. (2 Tim. 4:5) Lënë shembullin duke marrë pjesë me zell në shërbim, organizojnë veprën e predikimit në territor dhe na stërvitin që të bëhemi lajmëtarë e mësues të aftë. Gjithashtu shërbejnë si gjykatës të mëshirshëm e të paanshëm. Kur dikush në kongregacion kryen një mëkat të rëndë, pleqtë bëjnë çmos ta ndihmojnë të ndreqë marrëdhënien me Jehovain. Njëkohësisht bëjnë kujdes që ta mbajnë të pastër kongregacionin. (1 Kor. 5:12, 13; Gal. 6:1) Pleqtë janë mbi të gjitha barinj. (1 Pjet. 5:1-3) Ata mbajnë fjalime të përgatitura mirë që bazohen te Shkrimet, përpiqen fort të njohin çdo pjesëtar të kongregacionit dhe bëjnë vizita baritore. Veç caktimeve të tjera, disa pleq ndihmojnë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë a në organizimin e kongreseve ose shërbejnë në Komitetet e Lidhjes me Spitalet dhe në Grupet e Vizitave te Pacientët. Sa fort punojnë pleqtë për ne!

10. Cilat janë disa arsye pse i çmojmë pleqtë tanë të palodhur?

10 Jehovai paratha se barinjtë do të kujdeseshin mirë për ne, ndaj ‘nuk do të trembeshim, as do të tmerroheshim’. (Jer. 23:4) Johana, një motër në Finlandë, e provoi sa të vërteta janë këto fjalë kur mamaja e saj u sëmur rëndë. Ajo tregon: «E kam të vështirë t’u hapem të tjerëve për ndjenjat e mia. Por një plak që nuk e njihja aq mirë, më dëgjoi me durim, u lut me mua dhe më siguroi se Jehovai më do. Nuk e kujtoj tamam çfarë tha, por kujtoj sa m’u lehtësua zemra. Besoj se Jehovai e dërgoi të më ndihmonte fiks në momentin e duhur.» Po ty si të kanë ndihmuar pleqtë e kongregacionit?

11. Si mund ta tregojmë çmueshmërinë për pleqtë? (Shihni edhe figurën.)

11 Jehovai dëshiron t’u shprehim mirënjohje nga zemra pleqve «për punën e tyre». (1 Sel. 5:12, 13) Henrieta, që jeton po ashtu në Finlandë, thotë: «Pleqtë na ndihmojnë me gatishmëri, por kjo s’do të thotë që kanë më shumë kohë a energji se të tjerët ose që nuk kanë hallet e veta. Ndonjëherë u them vetëm kaq: ‘E di që je një plak shumë i mirë? Ta them me gjithë zemër.’» Sera, një motër në Turqi, shprehet: «Pleqtë kanë nevojë për ‘karburant’ që të vazhdojnë shërbimin e tyre. Prandaj mund t’u shkruajmë një kartolinë, mund t’i ftojmë për të ngrënë diçka ose mund të dalim me ta në shërbim.» A ke në kongregacion ndonjë plak që e vlerëson në veçanti për punën e palodhur? Kërko mënyra si t’ia shprehësh vlerësimin.—1 Kor. 16:18.

Ti mund t’u japësh pleqve «karburantin» që u nevojitet për të vazhduar shërbimin (Shih paragrafët 7, 11, 15)


MBIKËQYRËSIT QARKORË NA JAPIN FORCË

12. Cilat ishin disa dhurata të tjera në njerëz që forconin kongregacionet në shekullin e parë? (1 Selanikasve 2:7, 8)

12 Krishti Jezu dha edhe «dhurata në njerëz» që e ndihmojnë kongregacionin në një mënyrë tjetër. Nën drejtimin e tij, pleqtë në Jerusalem dërguan si mbikëqyrës udhëtues Pavlin, Barnabën dhe vëllezër të tjerë. (Vep. 11:22) Pse? Për të njëjtën arsye që emëroheshin shërbëtorë kongregacioni dhe pleq: për të forcuar kongregacionet. (Vep. 15:40, 41) Ata vëllezër sakrifikonin rehatinë e tyre, e madje rrezikonin edhe jetën që të mësonin e të inkurajonin të tjerët.—Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.

13. Cilat janë disa përgjegjësi të mbikëqyrësve qarkorë?

13 Mbikëqyrësit qarkorë janë vazhdimisht në udhëtim. Disa bëjnë qindra kilometra për të vizituar kongregacionet. Çdo javë një mbikëqyrës qarkor mban disa fjalime, bën vizita baritore, drejton një mbledhje me pionierët, një mbledhje me pleqtë dhe mbledhjet e shërbimit. Po ashtu përgatit fjalime dhe organizon asamble qarkore e kongrese. Shërben si instruktor në shkollat e pionierëve, organizon një mbledhje speciale me pionierët e qarkut dhe kujdeset për detyra të tjera të rëndësishme nga zyra e degës, që ndonjëherë janë urgjente.

14. Cilat janë disa arsye pse i çmojmë mbikëqyrësit qarkorë që punojnë pa u lodhur?

14 Si nxjerrin dobi kongregacionet nga puna e vyer e mbikëqyrësve qarkorë? Ja ç’thotë një vëlla në Turqi për vizitat e mbikëqyrësve udhëtues: «Çdo vizitë më motivon të shpenzoj më shumë kohë për të mbështetur vëllezërit e motrat. Kam takuar plot mbikëqyrës qarkorë, por asnjëri prej tyre s’më ka dhënë ndonjëherë përshtypjen sikur nuk i pëlqente të fliste me mua ose ishte tepër i zënë.» Johana, që u përmend më sipër, doli në shërbim me një mbikëqyrës qarkor, por nuk gjetën njeri në territor. «Gjithsesi, s’kam për ta harruar kurrë atë ditë,—thotë ajo.—Dy motrat e mia sapo ishin transferuar diku tjetër dhe kisha shumë mall për to. Mbikëqyrësi qarkor më inkurajoi me ngrohtësi dhe më ndihmoi të kuptoja se në shërbim të Jehovait distancat janë thjesht të përkohshme, kurse në botën e re do të kemi mundësi pa fund për të ndenjur bashkë.» Shumë prej nesh kemi kujtime të tilla të bukura nga mbikëqyrësit qarkorë, dhe këta vëllezër janë bërë të dashur për ne.—Vep. 20:37–21:1.

15. (a) Në harmoni me 3 Gjonit 5-8, si mund të tregojmë mirënjohje për mbikëqyrësit qarkorë? (Shihni edhe figurën.) (b) Pse duhet t’i çmojmë bashkëshortet e vëllezërve që punojnë pa u lodhur për kongregacionin, dhe si mund ta bëjmë këtë? (Shihni kutinë « Kujto gratë e tyre».)

15 Apostulli Gjon e inkurajoi Gajin t’i mirëpriste vëllezërit që i vizitonin dhe ‘t’i përcillte për rrugë siç ishte e denjë për Perëndinë’. (Lexo 3 Gjonit 5-8.) Një mënyrë si mund ta bëjmë edhe ne këtë është duke e ftuar mbikëqyrësin qarkor për një vakt. Një mënyrë tjetër është duke mbështetur masat për shërbimin në fushë që merren gjatë vizitës së tij. Lesli, që u përmend më sipër, e shpreh mirënjohjen edhe në mënyra të tjera. Ajo thotë: «I lutem Jehovait të kujdeset për çdo gjë që u nevojitet. Veç kësaj, bashkë me tim shoq u kemi shkruar letra për t’u thënë sa shumë na kanë ndihmuar vizitat e tyre.» Të mos harrojmë se mbikëqyrësit qarkorë nuk kanë fuqi mbinjerëzore dhe kalojnë probleme si të gjithë ne. Hera-herës luftojnë me sëmundje, vuajnë nga ankthi ose edhe shkurajohen. Ndoshta dy fjalë të ngrohta ose një dhuratë e thjeshtë nga ana jote do të jenë përgjigjja e lutjeve për ndihmë që ka bërë mbikëqyrësi qarkor!—Prov. 12:25.

KEMI NEVOJË PËR ‘DHURATAT NË NJERËZ’

16. Në harmoni me Proverbat 3:27, cilat pyetje mund t’i bëjnë vetes vëllezërit?

16 Në mbarë botën ka nevojë që më shumë vëllezër të shërbejnë si «dhurata në njerëz». Nëse je vëlla i pagëzuar, a «e ke në dorë» të ndihmosh? (Lexo Proverbat 3:27.) A je i gatshëm të punosh për t’u kualifikuar si shërbëtor kongregacioni? Nëse je shërbëtor kongregacioni, a mund të vësh synimin që t’u shërbesh bashkëbesimtarëve si plak? c A ke mundësi t’i rregullosh rrethanat që të bësh kërkesën për Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë? Nëpërmjet kësaj shkolle do të bëhesh më i vlefshëm në duart e Jezuit. Nëse nuk ndihesh i kualifikuar, lutju Jehovait. Kërkoji të të ndihmojë me frymën e tij që të kryesh me sukses çdo caktim që të jepet.—Luka 11:13; Vep. 20:28.

17. Çfarë tregojnë ‘dhuratat në njerëz’ për Mbretin tonë, Krishtin Jezu?

17 Vëllezërit që Jezui i ka caktuar si «dhurata në njerëz» janë provë e gjallë se ai po na drejton në këto ditë të fundit. (Mat. 28:20) A nuk ndihesh mirënjohës që kemi një Mbret kaq të dashur, bujar e të vëmendshëm, i cili na dhuron vëllezër të kualifikuar për të na siguruar ç’na nevojitet? Atëherë kërko mundësi që ta tregosh mirënjohjen për këta vëllezër të palodhur. E mos harro kurrë të falënderosh Jehovain, Burimin e ‘çdo dhurate të mirë dhe të përsosur’.—Jak. 1:17.

KËNGA 99 Miliona vëllezër

a Edhe pleqtë që shërbejnë si anëtarë të Trupit Udhëheqës, ndihmës të Trupit Udhëheqës, anëtarë të Komitetit të Degës ose që kanë caktime të tjera në shërbim janë «dhurata në njerëz».

b Disa emra janë ndryshuar.

c Për të mësuar më shumë si ta arrish synimin që të kualifikohesh si shërbëtor kongregacioni ose si plak, shih artikujt «Vëllezër—A po synoni të bëheni shërbëtorë kongregacioni?» dhe «Vëllezër—A po synoni të shërbeni si pleq?» në Kullën e Rojës të nëntorit 2024.