A e dini?
A lejonin romakët t’i bëhej një varrim dinjitoz dikujt që e kishin ekzekutuar në shtyllë, si Jezui?
SHUMË veta e njohin mirë tregimin për varjen dhe ekzekutimin e Jezuit në shtyllë mes dy kriminelëve. (Mat. 27:35-38) Megjithatë, disa kanë debatuar se Bibla nuk është e saktë kur thotë që më pas kufomën e Jezuit e përgatitën për varrim dhe e vunë në një varr të hapur në shkëmb.—Mar. 15:42-46.
Disa kritikë të ungjijve dyshojnë nëse romakët lejonin që të ekzekutuarit t’i bëhej një varrim për të qenë. Ata mendojnë se ka më shumë gjasa që kriminelët e ekzekutuar të trajtoheshin ndryshe. Gazetari Ariel Sabar shpjegon në revistën Smithsonian pse disa kanë këtë pikëpamje: «Kryqëzimi ishte një ndëshkim i rezervuar për llumin e shoqërisë, dhe disa ekspertëve u duket qesharak mendimi që romakët lejonin t’i bëhej një varrim dinjitoz dikujt që ekzekutohej në atë mënyrë.» Romakët donin t’i poshtëronin në kulm kriminelët e dënuar, prandaj shpesh kufomat e tyre i linin në shtyllë që t’i hanin kafshët e egra. Më pas, ato mund të hidheshin në një varr të përbashkët.
Mirëpo, arkeologët kanë zbuluar prova që flasin për diçka tjetër, të paktën në lidhje me kufomat e disa judenjve të ekzekutuar. Në vitin 1968, u gjetën eshtrat e një burri të ekzekutuar në shekullin e parë. Ato u zbuluan në një varr tipik që i përkiste një familjeje judeje pranë Jerusalemit dhe ishin vënë në një eshtërore, ose në një kuti ku mbaheshin eshtrat. Mes tyre ishte një kockë thembre e gozhduar në një copë druri me një gozhdë hekuri të gjatë 11,5 centimetër (4,5 in.). Sabari thotë: «Kjo thembër e një burri që quhej Jehokanan, ndihmoi të sheshohej një debat që vlonte prej kohësh rreth besueshmërisë së tregimeve të ungjijve për varrimin e Jezuit.» Në fakt, «thembra e Jehokananit ishte shembulli i një burri të kryqëzuar nga koha e Jezuit që romakët lejuan të varrosej sipas zakonit judaik».
Mbase ka opinione të ndryshme se çfarë tregon kocka e thembrës për mënyrën si e varën Jezuin në shtyllë. Ama një gjë është e qartë: disa kriminelë të ekzekutuar nuk u hodhën në një varr të përbashkët, por iu bë një varrim normal. Pra, Bibla është e saktë kur tregon që Jezuit iu bë një varrim dinjitoz. E provat mbështetin atë që thotë Bibla.
Ç’është më e rëndësishmja, Jehovai kishte parathënë se Jezuin do ta varrosnin në varrin e një të pasuri, dhe askush nuk e pengon dot plotësimin e fjalëve të Perëndisë.—Isa. 53:9; 55:11.