Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jozefi nga Arimatea mposht pavendosmërinë

Jozefi nga Arimatea mposht pavendosmërinë

JOZEFI NGA ARIMATEA s’e dinte as vetë si mori guximin të dilte para guvernatorit romak. Ponc Pilati njihej për kokëfortësinë e madhe. Megjithatë, që Jezuit t’i bëhej një varrim dinjitoz, dikush duhej t’ia kërkonte Pilatit trupin e tij. Ç’është e vërteta, ai takim ballë për ballë nuk doli aq i vështirë sa mund ta kishte imagjinuar Jozefi. Pasi pyeti një oficer për t’u siguruar se Jezui kishte vdekur, Pilati ia plotësoi kërkesën. Kështu Jozefi, ende shpirtvrarë, nxitoi të kthehej te vendi i ekzekutimit.​—Mar. 15:42-45.

  • Kush ishte ky Jozef nga Arimatea?

  • Çfarë lidhje kishte me Jezuin?

  • Dhe pse ia vlen t’i kushtosh vëmendje historisë së tij?

ANËTAR I SINEDRIT

Ungjilli i frymëzuar i Markut thotë se Jozefi ishte «anëtar i nderuar i Këshillit». Këshilli në këtë kontekst mund të jetë vetëm Sinedri, gjykata e lartë judaike dhe organi administrativ suprem. (Mar. 15:1, 43) Pra, Jozefi ishte një nga udhëheqësit e popullit, çka shpjegon pse iu lejua një takim me guvernatorin romak. S’është çudi që Jozefi ishte edhe pasanik.​—Mat. 27:57.

A ke guximin të pranosh haptas se Jezui është Mbreti yt?

Si grup, Sinedri mbante qëndrim armiqësor ndaj Jezuit, dhe anëtarët e tij kurdisën intriga që ai të vritej. Mirëpo Shkrimet e quajnë Jozefin «njeri i mirë dhe i drejtë». (Luka 23:50) Ndryshe nga shumica e kolegëve të Sinedrit, bënte një jetë të ndershme e të moralshme dhe bënte çmos t’u bindej urdhrave të Perëndisë. Gjithashtu, ai «priste mbretërinë e Perëndisë», e kjo mund të jetë arsyeja pse u bë dishepull i Jezuit. (Mar. 15:43; Mat. 27:57) Ka shumë të ngjarë që mesazhi i Jezuit ta ketë tërhequr ngaqë i donte sinqerisht të vërtetën dhe drejtësinë.

DISHEPULL I FSHEHTË

Gjoni 19:38 thotë se Jozefi «ishte një dishepull i fshehtë i Jezuit, nga frika e judenjve». Nga se kishte frikë Jozefi? Ai e dinte se judenjtë e përbuznin Jezuin dhe se ishin të vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që thoshte haptas se besonte tek ai. (Gjoni 7:45-49; 9:22) Të përjashtoheshe nga sinagoga nënkuptonte që judenjtë e tjerë të të përçmonin, të të mënjanonin dhe të të trajtonin si të përjashtuar nga shoqëria. Kështu, Jozefi ngurronte ta pranonte haptas se besonte te Jezui, pasi kjo do të thoshte të humbte pozitën dhe prestigjin.

Jozefi nuk ishte i vetmi që përballej me këtë dilemë. Sipas Gjonit 12:42, «shumë nga krerët treguan besim tek [Jezui], por nuk dëshmonin për të për shkak të farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagoga». Dikush tjetër që ndodhej në po atë situatë ishte Nikodemi, edhe ai anëtar i Sinedrit.​—Gjon. 3:1-10; 7:50-52.

Ama Jozefi ishte dishepull, por nuk gjente kurajën ta thoshte këtë haptas. Ky ishte një problem serioz, sidomos po të mbaje parasysh këto fjalë të Jezuit: «Për këdo që dëshmon para njerëzve se është në unitet me mua, edhe unë do të dëshmoj para Atit tim, që është në qiej, se jam në unitet me të. Por, këdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim, që është në qiej.» (Mat. 10:32, 33) Jozefi nuk është se e mohoi Jezuin, ama as nuk kishte guximin të dëshmonte për të. Po ti?

Është për t’u lavdëruar që, siç tregon Bibla, Jozefi nuk e përkrahu komplotin e Sinedrit kundër Jezuit. (Luka 23:51) Ndoshta, siç sugjerojnë disa, ai nuk ishte i pranishëm në gjyqin e Jezuit. Sido të ketë qenë, Jozefi duhet të ketë vuajtur tmerrësisht për atë shtrembërim skandaloz të drejtësisë​—por nuk bënte dot gjë për ta ndalur!

MPOSHT NGURRIMIN

Në kohën kur vdiq Jezui, duket se Jozefi e kishte mposhtur tashmë frikën dhe vendosi të bashkohej me dishepujt e Jezuit. Ky vendim del në pah nga fjalët që thuhen te Marku 15:43: «Mori guximin të shkonte para Pilatit e t’i kërkonte trupin e Jezuit.»

Me sa duket, Jozefi ishte i pranishëm në çastin e vdekjes së Jezuit. Në fakt, ai e dinte para Pilatit se Jezui kishte vdekur. Ja pse, kur Jozefi kërkoi trupin e tij, guvernatori «nuk ishte i sigurt nëse [Jezui] kishte vdekur tashmë». (Mar. 15:44) Nëse Jozefi e pa me sytë e vet agoninë e Jezuit në shtyllën e torturës, a e nxiti ajo skenë e tmerrshme të shihte thellë në ndërgjegjen e tij dhe të vendoste më në fund se duhej të merrte anën e së vërtetës? Ka shumë të ngjarë që po. Më e pakta, tani Jozefi u ndie i motivuar të vepronte. Nuk do të ishte më një dishepull i fshehtë.

JOZEFI VARROS JEZUIN

Ligji i judenjve kërkonte që të dënuarit me vdekje të varroseshin para perëndimit të diellit. (Ligj. 21:22, 23) Mirëpo romakët i linin kufomat e kriminelëve të ekzekutuar në shtyllë që të kalbeshin ose i hidhnin në një varr të përbashkët. Veçse Jozefi nuk kishte aspak ndër mend këtë për Jezuin. Afër vendit të ekzekutimit, Jozefi kishte një varr të ri të gërmuar në shkëmb. Fakti që ai varr në shkëmb nuk ishte përdorur kurrë tregon se Jozefi kishte pak kohë që ishte transferuar nga Arimatea * në Jerusalem dhe se mendonte ta përdorte atë pronë si varrezë familjare. (Luka 23:53; Gjoni 19:41) Varrosja e Jezuit në varrin që zotëronte Jozefi ishte një gjest bujar nga ana e Jozefit dhe plotësoi profecinë se Mesia do të varrosej ‘mes të pasurve’.​—Isa. 53:5, 8, 9.

A ka ndonjë gjë që ti i jep më tepër rëndësi sesa marrëdhënies tënde me Jehovain?

Të katër ungjijtë thonë se pasi trupi i Jezuit u hoq nga shtylla, Jozefi e mbështolli me li të hollë dhe e futi në varrin e vet. (Mat. 27:59-61; Mar. 15:46, 47; Luka 23:53, 55; Gjoni 19:38-40) I vetmi person i përmendur me emër që i vajti në ndihmë Jozefit ishte Nikodemi, i cili çoi erëza për varrimin. Nisur nga pozita që kishin ata të dy, nuk ka gjasa që ta kenë lëvizur vetë trupin. Ka më shumë mundësi të kenë përdorur shërbëtorë për ta transportuar dhe varrosur. Sido që të kenë vepruar, detyra që morën përsipër ata të dy s’ishte gjë e vogël. Kushdo që prekte një kufomë, ishte i papastër nga ana ceremoniale për shtatë ditë, dhe çdo gjë që prekte bëhej e papastër. (Num. 19:11; Hag. 2:13) Në një gjendje të tillë, ata duhej të rrinin veçmas të tjerëve gjatë javës së Pashkës dhe do të humbnin gjithë ceremonitë e festimet. (Num. 9:6) Veç kësaj, duke organizuar varrimin e Jezuit, Jozefi rrezikonte që kolegët ta tallnin. Ama, në atë pikë, ai ishte i gatshëm të pranonte pasojat që mund të vinin duke i bërë Jezuit një varrim dinjitoz dhe duke u shfaqur haptazi si dishepull i Krishtit.

FUNDI I HISTORISË SË JOZEFIT

Pas tregimeve të ungjijve për varrimin e Jezuit, Bibla nuk e përmend më Jozefin nga Arimatea, ndaj lind natyrshëm pyetja: ç’u bë me të? Në të vërtetë, nuk e dimë. Por, nën dritën e ngjarjeve të mësipërme, ka shumë gjasa që ai të ketë deklaruar haptas se ishte i krishterë. Tekefundit, në momentin më sprovues dhe kritik, besimi dhe guximi i tij nuk po zbeheshin, por po rriteshin, e kjo ishte shenjë e mirë.

Kjo histori ngre një pyetje për të cilën bëjmë mirë të reflektojmë të gjithë: A ka ndonjë gjë, çfarëdo qoftë ajo​—pozita, karriera, të mirat materiale, lidhjet e forta familjare ose madje edhe liria jonë—​që i japim më tepër rëndësi sesa marrëdhënies tonë me Jehovain?

^ par. 18 Arimatea ka të ngjarë të ishte Ramahu, pra Rentisi (Rantisi) i sotëm. Ky ishte qyteti i profetit Samuel dhe ndodhej rreth 35 kilometra në veriperëndim të Jerusalemit.​—1 Sam. 1:19, 20.