NGA ARKIVAT TANË
«S’ka rrugë tepër të vështirë a tepër të gjatë»
MË 26 MARS 1937, dy udhëtarë të lodhur hynë dalëngadalë në Sidnei, Australi, me kamionçinën e tyre të mbuluar me pluhur. Që kur ishin larguar nga qyteti një vit më parë, kishin udhëtuar mbi 19.300 kilometra përmes disa prej rajoneve më të thella e më të ashpra të kontinentit. Këta burra nuk ishin eksplorues ose tipa në kërkim të aventurave. Artur Uillisi dhe Bill Njulendsi ishin thjesht dy pionierë të zellshëm e të vendosur për ta çuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në zonat e thella e të paana të Australisë.
Deri në fund të viteve 20, grupi i vogël i Studentëve të Biblës * në Australi kishte predikuar kryesisht në qytetet e mëdha e të vogla bregdetare dhe në rrethinat e tyre. Në brendësi të kontinentit gjendeshin zonat e thella dhe pak të populluara, një rajon i shkretë me një sipërfaqe më shumë se gjysma e Shteteve të Bashkuara. Prapëseprapë, vëllezërit e dinin mirë se dishepujt e Jezuit duhej të jepnin dëshmi për të «deri në skajin më të largët të tokës», pra edhe në zonat e thella në zemër të Australisë. (Vep. 1:8) Por, si mund ta kryenin këtë detyrë kolosale? Me besim të plotë se Jehovai do të bekonte përpjekjet e tyre, ishin të vendosur të bënin më të mirën.
PIONIERËT HAPIN RRUGËN
Për të mbuluar rajonet në brendësi të vendit, kongregacionet në Kuinsland dhe në Australinë Perëndimore ndërtuan më 1929 disa kamionçina të pajisura mirë. Këto i ngitnin pionierë të kalitur që ishin në gjendje të përballonin kushtet e vështira dhe të riparonin automjetin kur prishej. Këta pionierë vizituan shumë vende ku nuk ishte dhënë kurrë dëshmi.
Pionierët që s’kishin mundësi për një automjet, udhëtonin drejt zonave të thella me biçikleta. Për shembull, më 1932, 23-vjeçari Benet Brikëll u nis nga Rokhemptoni, Kuinsland, për një udhëtim predikimi pesëmujor përmes pjesës së thellë veriore të atij shteti. Në biçikletën e tij të ngarkuar plot e përplot mbante batanije, veshje, ushqim dhe shumë libra. Kur gomat e biçikletës iu konsumuan, ai nuk hoqi dorë, i sigurt se Jehovai do ta drejtonte. Për 320 kilometrat e fundit e shtyu biçikletën përmes zonave ku kishte ndodhur që njerëzit të vdisnin nga etja. Gjatë 30 viteve të tjera, vëllai Brikëll
bëri qindra mijë kilometra anekënd Australisë me biçikletë, motor dhe makinë. Ai hapi veprën e predikimit mes aborigjenëve dhe ndihmoi të formoheshin kongregacione të reja, e kështu ishte i njohur e i respektuar anembanë zonave të thella të Australisë.KAPËRCEJNË VËSHTIRËSITË
Australia ka një nga popullsitë me dendësi më të ulët në botë, dhe kjo vlen sidomos për zonat e thella në brendësi të vendit. Prandaj, populli i Jehovait ka treguar vendosmëri për t’i gjetur njerëzit në pjesët e thella të kontinentit.
Këtë lloj vendosmërie shfaqën edhe pionierët Stjuart Kelti dhe Uilliam Torringtoni. Më 1933, ata kaluan shkretëtirën Simpson—një shkretëtirë gjigante me duna rëre—për të predikuar në qytetin Alis-Springs mu në zemër të kontinentit. Kur makina e tyre e vogël u prish dhe iu desh ta braktisnin, vëlla Kelti, që kishte një këmbë druri, vazhdoi udhëtimin e predikimit, por tani me një deve. Përpjekjet e pionierëve dhanë fryt kur takuan një pronar hoteli në Uilliam-Krik, një stacion i largët hekurudhor. Pronari i hotelit, Çarls Bernhardi, më vonë pranoi të vërtetën, shiti hotelin dhe për 15 vjet shërbeu i vetëm si pionier në disa nga pjesët më të thata e më të izoluara të Australisë.
Patjetër, pionierëve të hershëm u duhej guxim e këmbëngulje për të përballuar vështirësitë e shumta që hasnin. Një herë, në udhëtimin e tyre të predikimit në brendësi të Australisë, Artur Uillisi dhe Bill Njulendsi që përmendëm në fillim, u stërmunduan për dy javë që të bënin 32 kilometra rrugë, ngaqë reshjet e mëdha e kishin kthyer shkretëtirën në një det balte. Hera-herës rropateshin të djersitur në vapën përvëluese që të shtynin kamionçinën e tyre nëpër duna gjigante, si edhe përshkonin luginat shkëmbore dhe shtretërit ranorë të lumenjve. Kur automjeti i tyre prishej, gjë që ndodhte shpesh, ecnin ose ngisnin biçikletën për ditë të tëra deri në qytezën më të afërt dhe pastaj prisnin disa javë sa të vinin pjesët e këmbimit. Me gjithë këto vështirësi, ata mbanin një qëndrim pozitiv. Artur Uillisi, duke parafrazuar një shprehje që doli një herë në revistën Epoka e Artë, më vonë tha: «S’ka rrugë tepër të vështirë a tepër të gjatë për dëshmitarët e Tij.»
Çarls Harrisi, një pionier prej shumë kohësh, shpjegoi se në të vërtetë izolimi dhe vështirësitë fizike në zonat e thella e afruan më shumë me Jehovain. Ai shtoi: «Sa më pak bagazhe të kesh, aq më i bukur është udhëtimi i jetës. Nëse Jezui ishte i gatshëm të flinte nën yjet e qiellit kur ishte e nevojshme, atëherë edhe ne duhet të bëjmë po njësoj me kënaqësi nëse caktimi ynë e kërkon këtë.» E kështu bënë shumë pionierë. Falë përpjekjeve të tyre të palodhura, lajmi i mirë depërtoi në çdo skutë të kontinentit dhe ndihmoi sa e sa njerëz të merrnin anën e Mbretërisë së Perëndisë.
^ par. 4 Studentët e Biblës morën emrin Dëshmitarë të Jehovait më 1931.—Isa. 43:10.