Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fiksoji sytë te çështja jetësore

Fiksoji sytë te çështja jetësore

«Ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»​—PSAL. 83:18.

KËNGËT: 9, 22

1, 2. (a) Me cilën çështje të rëndësishme përballet mbarë njerëzimi? (b) Sa rëndësi ka ta vlerësojmë thellë këtë çështje?

PËR shumë njerëz sot, çështja më e rëndësishme janë paratë. Përqendrohen që si e si të vënë pasuri ose të mbajnë fort ato që kanë. Për disa të tjerë, çështja më e rëndësishme është familja, shëndeti ose arritjet personale.

2 Megjithatë, një çështje tejet e rëndësishme me të cilën përballemi të gjithë ne është shfajësimi i sovranitetit të Jehovait. Duhet të bëjmë kujdes që të mos e humbim nga sytë këtë çështje jetësore. Si mund të ndodhë kjo? Mund të na përpijnë aq shumë detyrimet e jetës së përditshme, sa të harrojmë sa rëndësi ka shfajësimi i sovranitetit të Perëndisë. Ose mund të lejojmë që barra e sprovave tona ta eklipsojë këtë çështje të madhe. Nga ana tjetër, sa më thellë ta kuptojmë rëndësinë e shfajësimit të sovranitetit të Jehovait, aq më të aftë do të jemi të përballojmë vështirësitë e jetës së përditshme. Gjithashtu, ky vlerësim i thellë do të na afrojë më shumë me Jehovain.

PSE KAQ E RËNDËSISHME?

3. Çfarë akuzash ka ngritur Satanai për qeverisjen e Perëndisë?

3 Me veprimin e tij, Satana Djalli ka ngritur çështjen nëse Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani. Ai ka hedhur akuzën se qeverisja e Perëndisë është e korruptuar dhe se Ai ua mban të mirat krijesave të tij. Sipas Djallit, njerëzit do të ishin shumë më të lumtur dhe do të gëzonin më tepër mirëqenie po të qeverisnin vetë. (Zan. 3:1-5) Gjithashtu, Satanai ka lënë të kuptohet se thellë në zemër asnjë njeri nuk është besnik ndaj Perëndisë​—se nën një presion të mjaftueshëm, kushdo do ta hedhë poshtë sovranitetin e Jehovait. (Jobi 2:4, 5) Lidhur me akuzën e Djallit, Jehovai po lë të kalojë kohë që njerëzit ta zbulojnë nga përvoja të vërtetën e hidhur se si është jeta pa qeverisjen e drejtë të Perëndisë.

4. Pse duhet të zgjidhet çështja e sovranitetit?

4 S’do mend që Jehovai e di se akuzat e Djallit janë të rreme. Atëherë, pse ka vendosur të lejojë që kjo çështje të vazhdojë, duke i dhënë kohë Satanait të përpiqet t’i provojë pohimet e tij? Përgjigjja përfshin gjithë krijesat me aftësi për të arsyetuar. (Lexo Psalmin 83:18.) Tekefundit, çifti i parë njerëzor e hodhi poshtë sovranitetin e Jehovait, dhe njësoj kanë bërë shumë të tjerë që nga ajo kohë. Si pasojë, disa mund të hamenden nëse akuza e Djallit ka ndonjë bazë. Për sa kohë që kjo çështje të mbetet e pazgjidhur në mendjet e njerëzve ose engjëjve, mes kombeve, racave, fiseve, familjeve dhe individëve do të ketë konflikte. Por, pasi të shfajësohet sovraniteti i Jehovait, të gjithë do t’i nënshtrohen përjetësisht qeverisjes së tij të drejtë. Do të rivendoset paqja universale.​—Efes. 1:9, 10.

5. Çfarë roli luajmë kur marrim anën e Jehovait në çështjen e sovranitetit?

5 E drejta e Perëndisë që të jetë Sovrani do të shfajësohet, dhe sundimi i Satanait e i njerëzve do të dështojë kokë e këmbë dhe do të marrë fund. Qeverisja e Perëndisë me anë të Mbretërisë mesianike do të jetë e suksesshme, dhe ata që mbajtën integritetin do të kenë dhënë prova se njerëzit mund ta mbështetin besnikërisht sovranitetin e Perëndisë. (Isa. 45:23, 24) A dëshiron të jesh mes atyre që njihen botërisht si përkrahës të sovranitetit të Jehovait që mbajnë integritetin? Pa dyshim që e do këtë. Për të mbajtur integritetin, duhet t’i fiksojmë sytë te kjo çështje jetësore dhe ta kuptojmë sa e rëndësishme është.

SHFAJËSIMI I SOVRANITETIT​—MË I RËNDËSISHËM SE SHPËTIMI

6. Sa i rëndësishëm është shfajësimi i sovranitetit të Jehovait?

6 Siç thamë, shfajësimi i sovranitetit të Jehovait është një çështje jetësore që përfshin njerëzimin. Ajo është më e rëndësishme se lumturia e çdo individi. Mos vallë ky fakt ia ul vlerën shpëtimit tonë a ndoshta nënkupton se Jehovai në të vërtetë nuk do t’ia dijë për ne? Aspak. Si e dimë këtë?

7, 8. Pse shfajësimi i sovranitetit të Perëndisë përfshin plotësimin e premtimeve të tij?

7 Jehovai i do me gjithë shpirt njerëzit dhe i çmon. Ai ishte i gatshëm të përdorte gjakun e Birit të vet për të bërë të mundur shpëtimin tonë një herë e përgjithmonë. (Gjoni 3:16; 1 Gjon. 4:9) Sikur Jehovai të mos i mbante premtimet e tij, Djalli do të kishte arsye ta quante Perëndinë një gënjeshtar që ua mban të mirat krijesave të veta, e kështu qeveris në mënyrë të padrejtë. Po ashtu, do t’u jepte të drejtë kundërshtarëve që pyesin me qesëndi: «Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.» (2 Pjet. 3:3, 4) Prandaj, Jehovai do të sigurohet që shfajësimi i sovranitetit të tij të përfshijë shpëtimin e njerëzve të bindur. (Lexo Isainë 55:10, 11.) Veç kësaj, sovraniteti i Jehovait karakterizohet nga dashuria. Ja pse mund të jemi të sigurt se ai do t’i dojë, do t’i vlerësojë e do t’i çmojë gjithmonë shërbëtorët e tij besnikë.​—Dal. 34:6.

8 Kur pranojmë rëndësinë e madhe që ka sovraniteti i Jehovait, nuk ia ulim rëndësinë shpëtimit tonë ose vlerës që kemi në sytë e Tij. Thjesht mbajmë pikëpamjen e duhur për sovranitetin dhe shpëtimin. Kjo pikëpamje e drejtë është e rëndësishme nëse duam t’i fiksojmë sytë te çështja jetësore dhe të mbështetim besnikërisht qeverisjen e drejtë të Jehovait.

NJË MËSIM PËR TË MBAJTUR PIKËPAMJEN E DUHUR

9. Çfarë akuze ngriti Satanai kundër Jobit? (Shih figurën hapëse.)

9 Në librin e Jobit, një nga librat më të hershëm të Biblës, del fare qartë në pah nevoja për të mbajtur pikëpamjen e duhur. Atje mësojmë që Satanai ngriti akuzën se po të pësonte vuajtje të mëdha, Jobi do ta hidhte poshtë Perëndinë. Satanai sugjeroi që vuajtjet Jobit t’ia shkaktonte vetë Perëndia. Jehovai nuk e bëri këtë, por e lejoi Satanain ta vinte në provë Jobin. Ai i tha: «Gjithçka që ka, e ke në dorë [ti].» (Lexo Jobin 1:7-12.) Brenda një kohe të shkurtër, Jobi humbi shërbëtorët, mjetet e jetesës dhe dhjetë fëmijët e tij të shtrenjtë. Satanai e realizoi këtë në një mënyrë që të dukej sikur Perëndia vetë ishte shkaku i halleve të Jobit. (Jobi 1:13-19) Pastaj Satanai e goditi me një sëmundje të dhimbshme e të pështirë. (Jobi 2:7) Dëshpërimi i Jobit u bë edhe më i thellë nga fjalët shkurajuese të gruas dhe të tre shokëve që silleshin sikur ishin miqtë e tij.​—Jobi 2:9; 3:11; 16:2.

10. (a) Si e mbajti Jobi integritetin ndaj Perëndisë? (b) Në çfarë pike çaloi Jobi?

10 Cili ishte rezultati? U provua se akuza e Satanait ishte krejtësisht e rreme. Jobi nuk pranoi t’i kthente shpinën Perëndisë. (Jobi 27:5) Megjithatë, për njëfarë kohe Jobi humbi ekuilibrin dhe nuk po i shihte më gjërat nga pikëpamja e duhur. Ai u fiksua që të provonte drejtësinë e vet, e madje pretendoi t’i thoshin arsyen përse vuante. (Jobi 7:20; 13:24) Mbase kjo na duket normale kur mbajmë parasysh gjithë ato vuajtje që hoqi Jobi. Mirëpo Perëndia e pa të udhës ta ndreqte mënyrën si mendonte Jobi. Çfarë i tha Jehovai?

11, 12. Çfarë kuptoi Jobi me ndihmën e Jehovait, dhe si reagoi?

11 Fjalët që i tha Perëndia Jobit zënë katër kapituj në librin e Jobit​—kapitujt 38 deri 41. Po askund nuk lexojmë që Perëndia t’i ketë treguar Jobit konkretisht arsyen pse po vuante. Qëllimi kryesor i fjalëve të Jehovait nuk ishte t’i sqaronte Jobit pse po vuante, sikur të ishte e nevojshme që Perëndia të jepte shpjegime. Përkundrazi, Jehovai donte ta ndihmonte Jobin të kuptonte se sa i papërfillshëm ishte karshi madhështisë së Perëndisë. Gjithashtu, e ndihmoi të dallonte se kishte çështje më me peshë që meritonin t’i kushtonte vëmendje. (Lexo Jobin 38:18-21.) Kjo e ndihmoi Jobin t’i shihte sërish gjërat nga pikëpamja e duhur.

12 A u tregua i ashpër Jehovai që dha këshilla aq të drejtpërdrejta pasi Jobi kishte hequr sprova aq të rënda? Jo, dhe as Jobi nuk mendoi kështu. Me gjithë gjendjen e tij të vajtueshme, në fund fjalët e Jobit treguan se tani kuptonte dhe i shihte gjërat me syrin e duhur. Madje ai u shpreh: «I tërheq ato që thashë, pendohem e ulem në pluhur dhe në hi.» Ky ishte ndikimi që patën këshillat e drejtpërdrejta, por zemërdhënëse të Jehovait. (Jobi 42:1-6) Më parë, edhe Elihu i ri i kishte dhënë Jobit këshilla për ta ndrequr. (Jobi 32:5-10) Pasi Jobi reagoi mirë ndaj qortimit të Perëndisë dhe e ndreqi pikëpamjen, Jehovai shprehu para të tjerëve miratimin e tij për besnikërinë e Jobit nën sprova.​—Jobi 42:7, 8.

13. Si do t’i kenë sjellë dobi Jobit këshillat e Jehovait edhe shumë kohë pas sprovave?

13 Këshillat e Jehovait do të kenë vazhduar t’i sillnin dobi Jobit edhe pasi sprovat e tij morën fund. Pse e themi këtë? Po ja, ndonëse «Jehovai i bekoi vitet e mëvonshme të jetës së Jobit më shumë se të mëparshmet», duhet të jetë dashur kohë që Jobi të merrte veten e të kthehej në gjendjen e mëparshme. Më vonë ai «pati edhe shtatë bij e tri bija». (Jobi 42:12-14) Natyrisht, Jobin e merrte malli për fëmijët që i kishin vdekur më parë nga dora e Satanait. Ka shumë të ngjarë që për njëfarë kohe t’i jenë kthyer të gjalla në mendje fragmente kujtimesh nga vuajtjet e tij. Edhe nëse e kuptoi më mirë me kalimin e kohës arsyen pse hoqi sprova, ndonjëherë mund të ketë vrarë mendjen pse duhej të vuante deri në atë pikë. Çfarëdo mendimesh ta kenë trazuar, Jobi mund të bluante në mend këshillat e Perëndisë. Kjo do ta ketë ndihmuar të vazhdonte t’i shihte gjërat nga pikëpamja e duhur, e si rrjedhojë do t’i ketë dhënë zemër.​—Psal. 94:19.

A mund të shohim përtej problemeve tona dhe të dallojmë çështjen thelbësore? (Shih paragrafin 14.)

14. Ç’mund të mësojmë nga përvoja e Jobit?

14 Tregimi i Jobit mund të na ndihmojë edhe ne t’i shohim gjërat nga pikëpamja e duhur dhe të marrim zemër. Fundja, Jehovai bëri që kjo histori të ruhej «për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, [ne] të kemi shpresë». (Rom. 15:4) Po ç’mësim nxjerrim? Në radhë të parë: të mos zhytemi aq shumë në jetën tonë, sa të humbim nga sytë çështjen jetësore​—shfajësimin e sovranitetit të Jehovait. Gjithashtu, të kuptojmë se roli ynë në këtë çështje jetësore përfshin të qëndrojmë besnikë edhe në rrethana të vështira, ashtu siç bëri Jobi.

15. Çfarë sjell si rezultat besnikëria jonë në sprova?

15 Pse marrim zemër kur meditojmë për vlerën e besnikërisë sonë? Sepse kjo nënkupton se sprovat që kalojmë shërbejnë për një qëllim. Ato nuk janë aspak një shenjë se Jehovai është i pakënaqur me ne por, përkundrazi, na japin mundësi të tregojmë se përkrahim sovranitetin e Tij. (Prov. 27:11) Qëndrueshmëria jonë sjell «një gjendje të miratuar» dhe na e bën më të fortë shpresën. (Lexo Romakëve 5:3-5.) Historia e Jobit dëshmon se «Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm». (Jak. 5:11) Ndaj mund të jemi të sigurt se ai do të na shpërblejë ne vetë dhe të gjithë ata që mbështetin sovranitetin e tij. Ky fakt na ndihmon ‘të qëndrojmë plotësisht’ me durim dhe gëzim.​—Kolos. 1:11.

T’I MBAJMË SYTË TË PËRQENDRUAR

16. Pse duhet t’i kujtojmë vetes sa i rëndësishëm është shfajësimi i sovranitetit të Jehovait?

16 Natyrisht, mund të jetë e vështirë t’i mbajmë sytë të fiksuar te shfajësimi i sovranitetit të Jehovait. Ndonjëherë mund të duket sikur problemet po na zënë frymën. Madje edhe problemet relativisht të vogla mund të na duken gjigante nëse i stërmendojmë. Prandaj, bëjmë mirë t’i kujtojmë rregullisht vetes sa e rëndësishme është të përkrahim sovranitetin e Perëndisë në situata të vështira.

17. Si na ndihmon pjesëmarrja e rregullt në veprën e Jehovait që t’i mbajmë sytë te çështja jetësore?

17 Kur vazhdojmë të marrim pjesë rregullisht në veprën e Jehovait, kjo mund të na ndihmojë t’i mbajmë sytë të përqendruar te çështja jetësore. Për shembull, një Dëshmitare që quhej René pësoi hemorragji cerebrale dhe luftoi me kancerin e me dhembjet kronike. Gjatë trajtimeve në qendra shëndetësore, ajo i dëshmonte personelit mjekësor, pacientëve dhe vizitorëve. Në një qendër, brenda vetëm dy javësh e gjysmë dha 80 orë dëshmi. Madje edhe kur po i afrohej vdekja, Reneja nuk e humbi kurrë nga sytë çështjen e sovranitetit të Jehovait. Si rrjedhojë, kjo ia lehtësoi ca vuajtjet.

18. Si dalin në pah nga shembulli i një motre dobitë që vijnë kur mbështet sovranitetin e Jehovait?

18 Natyrisht, ne duam t’i mbajmë sytë të fiksuar te sovraniteti i Jehovait edhe para presioneve e vështirësive të përditshme. Xheniferi kaloi tri ditë në një aeroport duke pritur për ndonjë avion që të kthehej në shtëpi. Fluturimet anuloheshin njëri pas tjetrit. Ndërsa ndihej e vetmuar dhe e sfilitur, fare kollaj ajo mund të fillonte të mëshironte veten. Në vend të kësaj, u lut që të kuptonte si t’u jepte zemër nga Shkrimet atyre që ishin në të njëjtën situatë acaruese. Cili ishte rezultati? U dha dëshmi shumë vetave dhe shpërndau goxha literaturë. Xheniferi thotë: «Pavarësisht nga ajo përvojë stresuese, ndjeva se Jehovai më bekoi e më dha forcë të lëvdoja emrin e tij.» E pra, ajo u përqendrua te qëllimi i Jehovait.

19. Çfarë qëndrimi mban populli i Jehovait në lidhje me sovranitetin e tij?

19 Vlerësimi për sovranitetin e Jehovait e ka dalluar fenë e vërtetë nga ajo e rreme. Populli i Perëndisë e ka mbështetur prej shumë kohësh sovranitetin e Tij. Si përkrahës të adhurimit të vërtetë, secili prej nesh duhet të përpiqet të mbajë këtë pikëpamje të bazuar te Shkrimet.

20. Si ndihet Jehovai për përpjekjet që bën për të mbështetur sovranitetin e tij?

20 Ji i sigurt se Jehovai i çmon si thesar përpjekjet që bën për të mbështetur sovranitetin e tij duke shërbyer me besnikëri e duke treguar qëndrueshmëri në sprova. (Psal. 18:25) Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë më tej pse sovraniteti i Jehovait meriton ta përkrahësh me gjithë shpirt dhe si ta bësh këtë.