Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ne i përkasim Jehovait

Ne i përkasim Jehovait

«Lum ai komb, që ka Perëndi Jehovain! Lum ai popull, që Ai e ka zgjedhur si trashëgiminë e tij!»​—PSAL. 33:12.

KËNGËT: 40, 50

1. Pse Jehovait i takon me të drejtë të jetë pronari i çdo gjëje? (Shih figurën hapëse.)

ÇDO gjë i përket Jehovait! Ai zotëron ‘qiejt, madje qiejt e qiejve, tokën dhe gjithçka që është në të’. (Ligj. 10:14; Zbul. 4:11) Pra, përderisa ekzistojnë, të gjithë njerëzit i përkasin Jehovait. (Psal. 100:3) Sidoqoftë, gjatë gjithë historisë njerëzore, Perëndia ka zgjedhur grupe specifike që t’i përkasin atij në një mënyrë të veçantë.

2. Për cilët thotë Bibla se i përkasin Jehovait në një mënyrë të veçantë?

2 Për shembull, Psalmi 135 i quan adhuruesit besnikë të Jehovait në Izraelin e lashtë ‘prona e tij e veçantë’. (Psal. 135:4) Veç kësaj, në librin e Hozesë parathuhej se disa joizraelitë do të bëheshin pjesë e popullit të Jehovait. (Hoz. 2:23) Profecia e Hozesë u plotësua kur Jehovai përfshiu edhe jojudenj mes atyre që zgjodhi për të qeverisur bashkë me Krishtin në të ardhmen. (Vep. 10:45; Rom. 9:23-26) Ky «komb i shenjtë» është ‘zotërim i veçantë’ i Jehovait në një mënyrë të jashtëzakonshme, pasi pjesëtarët e tij janë mirosur me frymë të shenjtë dhe janë zgjedhur për të jetuar në qiell. (1 Pjet. 2:9, 10) Ç’të themi për shumicën e të krishterëve besnikë sot, që kanë shpresë tokësore? Edhe ata Jehovai i quan ‘populli’ i tij dhe «të zgjedhurit» e tij.​—Isa. 65:22.

3. (a) Cilët gëzojnë sot një marrëdhënie të veçantë me Jehovain? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Sot, ‘kopeja e vogël’, me shpresë qiellore, dhe ‘delet e tjera’, me shpresë tokësore, përbëjnë ‘një kope të vetme’ që Jehovai e vlerëson duke e quajtur populli i tij. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Patjetër, duam t’i tregojmë Jehovait çmueshmëri të thellë për mundësinë që të gëzojmë këtë marrëdhënie të veçantë me të. Në këtë artikull do të shohim disa mënyra si mund t’i tregojmë mirënjohje Jehovait për këtë nder të veçantë.

I KUSHTOJMË JETËN JEHOVAIT

4. Cila është një mënyrë si ta falënderojmë Jehovain që na dha mundësinë të gëzojmë një marrëdhënie me të, dhe si bëri diçka të ngjashme Jezui?

4 Ne ia shprehim mirënjohjen Jehovait duke iu kushtuar me gjithë zemër. Kur pagëzohemi në ujë, pranojmë zyrtarisht dhe publikisht se Jehovai është pronari ynë dhe se jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi. (Hebr. 12:9) Jezui bëri diçka të ngjashme kur u pagëzua; me atë veprim, ishte sikur i tha Jehovait: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj [kam dëshirë të bëj, shën., NWT, botimi 2013] vullnetin tënd.» (Psal. 40:7, 8) Jezui u paraqit të bënte vullnetin e Jehovait, ndonëse kishte qenë pjesë e një kombi të kushtuar ndaj Perëndisë që kur lindi.

5, 6. (a) Si reagoi Jehovai kur u pagëzua Jezui? (b) Ilustroni pse Jehovai e çmon kushtimin tonë, ndonëse çdo gjë i përket atij.

5 Si reagoi Jehovai kur u pagëzua Jezui? Bibla thotë: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe Gjoni pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin porsi një pëllumb. U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.’» (Mat. 3:16, 17) Edhe pse Jezui i përkiste tashmë Atit të tij qiellor, Jehovait i gëzoi zemra kur pa gatishmërinë e të Birit për të bërë vetëm vullnetin e Tij. Po njësoj, Jehovai pranon me kënaqësi kushtimin tonë dhe do të na nderojë duke na bekuar.​—Psal. 149:4.

6 Për ta ilustruar, imagjino një burrë që ka mbjellë në kopshtin e tij shumë lule të bukura. Një ditë, vajza e tij e vogël këput një nga ato lule dhe ia dhuron. Po a nuk i përkiste atij ajo lule? Si mund t’i jepte vajza diçka që tashmë ishte e tija? Një babai të dashur as nuk do t’i shkonin nëpër mend këto pyetje. Përkundrazi, do ta pranonte me kënaqësi dhuratën si shenjë të dashurisë që ndien vajza për të. Me siguri do ta çmonte lulen që i dha e bija më shumë se gjithë lulet e tjera të kopshtit të tij. Po kaq shumë i gëzon zemra Jehovait kur me gatishmëri i përkushtohemi vetëm atij.​—Dal. 34:14.

7. Sipas Malakisë, si ndihet Jehovai për ata që i shërbejnë me gatishmëri?

7 Lexo Malakinë 3:16. Nëse nuk je kushtuar dhe pagëzuar akoma, mendo sa rëndësi ka ky hap. Kuptohet, që nga momenti që erdhe në jetë, i përkitje Jehovait, ashtu si gjithë njerëzit e tjerë. Megjithatë, mendo sa do të kënaqej Jehovai nëse e pranon sovranitetin e tij dhe i kushtohesh e bën vullnetin e tij. (Prov. 23:15) Jehovai i njeh ata që i shërbejnë me gatishmëri dhe ua shkruan emrat në ‘librin e tij të kujtimit’.

8, 9. Çfarë kërkon Jehovai nga ata që i kanë emrat të shkruar në ‘librin e tij të kujtimit’?

8 Ta kemi emrin të shkruar në ‘librin e kujtimit’ të Jehovait si populli i tij, sjell disa detyrime. Malakia përmendi në mënyrë specifike se duhet ‘të kemi frikë nga Jehovai dhe të mendojmë thellë për emrin e tij’. Nëse i përkushtohemi dikujt a diçkaje tjetër duke e adhuruar, emri ynë do të fshihet nga libri i jetës i Jehovait.​—Dal. 32:33; Psal. 69:28.

9 Prandaj, kushtimi ynë ndaj Jehovait përfshin shumë më tepër se një premtim solemn për të bërë vullnetin e tij dhe për t’u pagëzuar në ujë. Këto veprime zgjatin vetëm pak çaste dhe shpejt bëhen pjesë e së shkuarës. Për të qëndruar në anën e Jehovait si populli i tij, kërkohet të tregojmë vazhdimisht bindje ndaj tij sot e në të ardhmen​—gjatë gjithë jetës sonë.​—1 Pjet. 4:1, 2.

HEDHIM POSHTË DËSHIRAT E BOTËS

10. Cili dallim i qartë duhet të ekzistojë mes atyre që i shërbejnë Jehovait dhe atyre që nuk i shërbejnë?

10 Në artikullin e kaluar shqyrtuam tregimet biblike për Kainin, Solomonin dhe izraelitët. Të gjithë ata pohonin se adhuronin Jehovain, ama nuk ishin aspak të përkushtuar vetëm ndaj Tij. Këta shembuj tregojnë qartë se kush i përket vërtet Jehovait, duhet të përkrahë me vendosmëri drejtësinë dhe t’i kundërvihet ligësisë. (Rom. 12:9) Është me vend që pasi Malakia përmendi ‘librin e kujtimit’, Jehovai foli për «dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben».​—Mal. 3:18.

11. Pse të tjerët duhet ta shohin qartë se jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait?

11 Kjo, pra, është një mënyrë tjetër si mund t’i tregojmë Jehovait mirënjohje që na ka zgjedhur si populli i tij. Përparimi ynë në të vërtetën duhet «të duket qartë për të gjithë». (1 Tim. 4:15; Mat. 5:16) Pyet veten: «A e shohin qartë të tjerët se jam plotësisht besnik ndaj Jehovait? A kërkoj mundësi për të treguar se jam Dëshmitar i Jehovait?» Sa thellë do të trishtohej Jehovai nëse, pasi na ka zgjedhur si populli i tij, do të ngurronim t’u tregonim të tjerëve se i përkasim atij!​—Psal. 119:46; lexo Markun 8:38.

A të identifikon qartë si Dëshmitar i Jehovait mënyra si jeton? (Shih paragrafët 12, 13.)

12, 13. Si e kanë mjegulluar disa identitetin e tyre si Dëshmitarë të Jehovait?

12 Mjerisht, disa e kanë mjegulluar «dallimin» dhe nuk kuptohet nëse po i shërbejnë Perëndisë apo jo, ngaqë imitojnë «frymën e botës». (1 Kor. 2:12) Kjo frymë ushqen «dëshirat e trupit». (Efes. 2:3) Për shembull, pavarësisht gjithë atyre këshillave që janë dhënë, disa ende preferojnë stile jomodeste për veshjen dhe paraqitjen. Ata veshin rroba të puthitura pas trupit dhe që zbulojnë pjesë të papërshtatshme të tij, madje edhe në mbledhjet e krishtere. Ose disa imitojnë prerje dhe modele ekstravagante flokësh. (1 Tim. 2:9, 10) Si pasojë, kur janë mes shumë njerëzve, mund të jetë e vështirë të dallosh kush i përket Jehovait e kush është «mik i botës».​—Jak. 4:4.

13 Ka edhe mënyra të tjera se si disa Dëshmitarë nuk e kanë hedhur poshtë me vendosmëri sjelljen e botës. Kërcimi dhe veprimet e tyre nëpër festa nuk janë aspak të pranueshme për të krishterët. Ata postojnë në rrjete sociale fotografi ku kanë dalë vetë ose komente që nuk u kanë hije shërbëtorëve të Jehovait. Mbase nuk janë disiplinuar në kongregacion për një mëkat të rëndë, por prapë mund të ndikojnë për keq te motrat e vëllezërit që po përpiqen fort të mbajnë një sjellje të shkëlqyer mes popullit të Jehovait.​—Lexo 1 Pjetrit 2:11, 12.

Mos lejo të ndikohesh nga ata që nuk po mbajnë me vendosmëri anën e Jehovait

14. Ç’duhet të bëjmë për ta mbrojtur miqësinë e veçantë që gëzojmë me Jehovain?

14 Bota nxit me forcë ‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. (1 Gjon. 2:16) Mirëpo, ngaqë i përkasim Jehovait, ne nxitemi «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote». (Tit. 2:12) Mënyra si flasim, zakonet në të ngrënë e në të pirë, veshja dhe paraqitja jonë, etika e punës​—pra, çdo gjë që bëjmë—​duhet t’u tregojë atyre që na shohin se jemi të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait.​—Lexo 1 Korintasve 10:31, 32.

KEMI «DASHURI TË ZJARRTË PËR NJËRI-TJETRIN»

15. Pse duhet t’i trajtojmë bashkadhuruesit me mirësi dhe dashuri?

15 Mirënjohja për miqësinë e veçantë me Jehovain, tregohet te mënyra si i trajtojmë bashkadhuruesit. Edhe ata i përkasin Jehovait. Nëse nuk e harrojmë për asnjë çast këtë fakt, do t’i trajtojmë gjithmonë me mirësi dhe dashuri vëllezërit e motrat. (1 Sel. 5:15) Jezui u tha dishepujve të tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»​—Gjoni 13:35.

16. Cili shembull nga Ligji i Moisiut ilustron ndjenjat e Jehovait për popullin e tij?

16 Për ta ilustruar si duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin në kongregacion, të mendojmë për këtë: pajisjet në tempullin e Jehovait ishin kushtuar, ose veçuar, që të përdoreshin vetëm për adhurimin e pastër. Ligji i Moisiut shpjegonte me hollësi si duhej të kujdeseshin levitët për këto pajisje, dhe ata që shkelnin ligjin dënoheshin me vdekje. (Num. 1:50, 51) Nëse Jehovai i mbronte me kaq xhelozi pajisjet e pajeta që përdoreshin në adhurimin e tij, sa më shumë do t’i mbrojë adhuruesit e kushtuar besnikë që i ka zgjedhur si populli i tij! Duke folur për popullin e tij, një herë Jehovai tha: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.»​—Zak. 2:8.

17. Cilave gjëra ‘u kushton vëmendje dhe i dëgjon’ Jehovai?

17 Është interesante që Malakia tha se Jehovai ‘kushton vëmendje dhe dëgjon’ teksa pjesëtarët e popullit të tij komunikojnë me njëri-tjetrin. (Mal. 3:16) Jehovai «i njeh ata që i përkasin». (2 Tim. 2:19) Atij s’i shpëton asgjë nga ato që bëjmë dhe themi. (Hebr. 4:13) Kur nuk jemi dashamirës me bashkadhuruesit, Jehovai ‘kushton vëmendje dhe dëgjon’. Kur jemi mikpritës, bujarë, të gatshëm të falim dhe dashamirës me njëri-tjetrin, mund të jemi të sigurt se Jehovai e vëren edhe këtë.​—Hebr. 13:16; 1 Pjet. 4:8, 9.

«JEHOVAI NUK DO TA BRAKTISË POPULLIN E VET»

18. Si mund ta shprehim mirënjohjen për nderin që jemi populli i Jehovait?

18 Pa dyshim, duam me gjithë shpirt t’i shprehim mirënjohjen Jehovait që na ka nderuar duke na zgjedhur si populli i tij. E kuptojmë sa e mençur është të pranojmë se Ai është pronari ynë, pra t’ia kushtojmë jetën me dëshirë. Edhe pse jetojmë «mes një brezi dredharak e të shtrembër», duam që njerëzit ta shohin se jemi ‘të paqortueshëm dhe të pafaj . . . duke shkëlqyer si ndriçues në botë’. (Filip. 2:15) Ne i kundërvihemi me vendosmëri ligësisë. (Jak. 4:7) Veç kësaj, i duam dhe i respektojmë bashkadhuruesit, ngaqë mbajmë parasysh se edhe ata i përkasin Jehovait.​—Rom. 12:10.

19. Si i shpërblen Jehovai ata që i përkasin?

19 Bibla premton: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet.» (Psal. 94:14) Kjo është një garanci absolute dhe plotësohet gjithmonë, pavarësisht nga çdo e keqe që mund të na bjerë. Madje, as vdekja nuk e pengon dot Jehovain të na dojë. (Rom. 8:38, 39) «Edhe nëse jetojmë, jetojmë për Jehovain, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovain. Pra, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, i përkasim Jehovait.» (Rom. 14:8) E presim me zjarr ditën kur Jehovai do të kthejë në jetë të gjithë miqtë e tij besnikë që kanë vdekur. (Mat. 22:32) Ne gëzojmë plot bekime që tani. Siç thotë Bibla, ‘lum ai komb, që ka Perëndi Jehovain, lum ai popull, që Ai e ka zgjedhur si trashëgiminë e tij’!​—Psal. 33:12.