Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërko Mbretërinë, jo gjërat materiale

Kërko Mbretërinë, jo gjërat materiale

«Kërkoni vazhdimisht mbretërinë e Perëndisë, dhe këto gjëra do t’ju shtohen.»​—LUKA 12:31.

KËNGËT: 40, 98

1. Ku ndryshojnë nevojat nga dëshirat tona?

GJËRAT që i nevojiten njeriut janë pak, kurse ato që dëshiron s’njohin kufij. Me sa duket, shumë veta nuk e bëjnë dot dallimin mes nevojave dhe dëshirave për gjëra materiale. Ku ndryshojnë këto? Një «nevojë» është diçka që duhet ta kesh, se prej saj varet jeta jote. Ushqimi, veshja dhe strehimi janë gjëra që na nevojiten vërtet. Një «dëshirë» është diçka që të pëlqen ta kesh, por që s’është e domosdoshme për jetën e përditshme.

2. Cilat janë disa gjëra që duan njerëzit?

2 Ajo që duan njerëzit mund të ndryshojë goxha, sipas vendit ku jetojnë. Në vendet në zhvillim, shumë veta thjesht mund të duan të kenë mjaft para për të blerë një celular, një motor ose një ngastër toke. Kurse në vendet e pasura, ndoshta dëshirojnë një gardërobë plot veshje luksoze, një shtëpi më të madhe ose një makinë më të shtrenjtë. Sido që të jetë, gjendemi para një rreziku real​—të ngecim në grackën e materializmit, të duam gjithnjë e më shumë gjëra, pavarësisht nëse na nevojiten a nëse na i mban xhepi.

KUJDES NGA GRACKA E MATERIALIZMIT

3. Çfarë është materializmi?

3 Çfarë është materializmi? Është dhënia pas gjërave materiale, e jo pas atyre që na pasurojnë miqësinë me Jehovain. Materializmi i ka rrënjët te dëshirat, te përparësitë dhe te gjërat ku e përqendron jetën dikush. Ai ngjall brenda nesh dëshirën e fortë për të pasur shumë të mira materiale. Njeriu materialist mund të mos ketë shumë para ose mund të mos blejë gjëra të shtrenjta. Edhe të varfrit mund të bien viktimë e materializmit, e kështu të bëhen neglizhentë dhe të mos kërkojnë më Mbretërinë në radhë të parë.​—Hebr. 13:5.

4. Si i shfrytëzon Satanai «dëshirat e syve»?

4 Satanai e përdor sistemin tregtar të botës së tij që të na mbushë mendjen se, për ta shijuar jetën, duhet të kemi ca gjëra materiale që s’na nevojiten vërtet. Ai është mjeshtër për të ngacmuar «dëshirat e syve». (1 Gjon. 2:15-17; Zan. 3:6; Prov. 27:20) Bota na vë para çdo lloj gjëje materiale, nga ato më të përkryerat deri te më absurdet, e disa duken goxha joshëse. A të ka ndodhur të blesh diçka thjesht ngaqë ta zuri syri në një reklamë ose vitrinë, e jo ngaqë të duhej vërtet? Mos ndoshta më vonë kuptove se mund të bëje fare mirë pa të? Gjëra të tilla jo të domosdoshme vetëm sa na e ndërlikojnë jetën dhe na bëhen barrë. Ato mund të kthehen në një grackë e mund të na shpërqendrojnë nga programi ynë që të studiojmë Biblën, të përgatitemi për mbledhje e t’i ndjekim, si edhe të dalim rregullisht në shërbim. Mos harro këtë paralajmërim të apostullit Gjon: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj.»

5. Ç’mund t’u ndodhë atyre që i harxhojnë energjitë kryesisht për të pasur më shumë gjëra materiale?

5 Satanai do që të jemi skllevër të Pasurisë, jo të Jehovait. (Mat. 6:24) Si përfundojnë ata që i harxhojnë energjitë kryesisht për të grumbulluar gjëra materiale? Bëjnë një jetë që, më e pakta, është e cekët, se përqendrohet te plotësimi i kënaqësive egoiste. Ose më keq akoma, bëjnë një jetë të zbrazët, ngaqë u është rrënuar miqësia me Jehovain, dhe kanë plot hidhërime e zhgënjime. (1 Tim. 6:9, 10; Zbul. 3:17) Ndodh siç e përshkroi Jezui në ilustrimin e mbjellësit. Kur mesazhi për Mbretërinë ‘mbillet mes gjembave . . . dëshira për gjëra të tjera futet në zemër dhe e mbyt fjalën, e ajo bëhet e pafrytshme’.​—Mar. 4:14, 18, 19.

6. Ç’mësim nxjerrim nga Baruku?

6 Të mendojmë pak për Barukun, sekretarin e profetit Jeremia. Teksa Jerusalemit i afrohej shkatërrimi i parathënë, Baruku nisi të ‘kërkonte për vete gjëra të mëdha’ që s’kishin vlerë të përhershme. Por, e vetmja gjë që duhej të shpresonte, ishte të merrte atë që i premtoi Jehovai: «Ty do të të jap jetën tënde.» (Jer. 45:1-5, Diodati i Ri) S’do mend që Perëndia nuk do të ruante të mirat materiale të ndokujt në një qytet që do të shkatërrohej. (Jer. 20:5) Sot, ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi, nuk është koha të grumbullojmë gjithnjë e më shumë gjëra materiale për vete. Nuk duhet të presim që të mirat tona materiale, sado të çmuara a të shtrenjta qofshin, të mbijetojnë bashkë me ne gjatë shtrëngimit të madh.​—Prov. 11:4; Mat. 24:21, 22; Luka 12:15.

7. Ç’do të shqyrtojmë më tej, dhe pse?

7 Jezui na dha këshillën më të shkëlqyer se si të sigurojmë gjërat e nevojshme pa u shpërqendruar, pa u bërë materialistë ose pa i krijuar vetes ankthe të kota. Këtë këshillë e dha gjatë Predikimit në Mal. (Mat. 6:19-21) Le të lexojmë dhe të analizojmë fragmentin që gjejmë te Mateu 6:25-34. Kjo do të na bindë se duhet ‘të kërkojmë vazhdimisht Mbretërinë’, jo gjërat materiale.​Luka 12:31.

JEHOVAI KUJDESET PËR NEVOJAT TONA MATERIALE

8, 9. (a) Pse nuk duhet të shqetësohemi tepër për gjërat që na nevojiten? (b) Çfarë dinte Jezui për njerëzit dhe për nevojat e tyre?

8 Lexo Mateun 6:25. Kur u tha dëgjuesve ‘të mos ishin më në ankth’ për jetën e tyre, me fjalë të tjera Jezui po u thoshte ‘të mos shqetësoheshin më’. Ata ishin në ankth për gjëra që s’kishte pse të shqetësoheshin. Jezui u tha të mos ishin më në ankth, e me të drejtë. Ankthi ose shqetësimi i kotë, qoftë edhe për gjërat që është me vend të merakosemi, mund të na shpërqendrojë nga gjërat më të rëndësishme në jetë, nga ato që lidhen me adhurimin. Jezui ishte aq në merak për dishepujt e tij, sa i paralajmëroi edhe katër herë të tjera gjatë fjalimit për këtë prirje të rrezikshme.​—Mat. 6:27, 28, 31, 34.

9 Pse na tha Jezui të mos shqetësohemi se ç’do të hamë, ç’do të pimë ose ç’do të veshim? A nuk janë këto ndër nevojat kryesore të jetës? Pa diskutim! A nuk do të na zërë vetvetiu ankthi po të mos kemi me se t’i sigurojmë këto? Patjetër që po, dhe Jezui e dinte këtë. Ai i njihte mirë nevojat e përditshme të njerëzve. Jo vetëm kaq, por dinte edhe në ç’kushte të rënda do të jetonin dishepujt e tij shekuj më vonë gjatë ‘ditëve të fundit’, të karakterizuara nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Kushte të tilla që po i përjetojnë shumë njerëz përfshijnë papunësinë, inflacionin, mungesat e ushqimit dhe varfërinë e thellë. Por, Jezui e kishte të qartë edhe se ‘shpirti [ose jeta] ka më shumë vlerë se ushqimi, dhe trupi më shumë se veshja’.

10. Cilën gjë veçoi Jezui si më të rëndësishmen në jetë kur u mësoi dishepujve si të luteshin?

10 Më parë gjatë fjalimit, Jezui u mësoi dëgjuesve t’i kërkonin Atit të tyre qiellor që t’u plotësonte nevojat fizike. U tha se mund të luteshin kështu: «Na e jep bukën për këtë ditë.» (Mat. 6:11) Ose siç u shpreh në një rast tjetër më vonë: «Na jep bukën për këtë ditë, sipas nevojës së ditës.» (Luka 11:3) Por kjo këshillë nuk nënkupton se duhet të na bëhet fiksim sigurimi i gjërave të nevojshme. Në po atë lutje model, Jezui tregoi se ka më tepër rëndësi të lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë. (Mat. 6:10; Luka 11:2) Që dëgjuesit të rrinin me zemër të qetë, më tej ai theksoi dëshmitë e pashoqe se Jehovai është Siguruesi i gjithçkaje që u nevojitet krijesave të tij.

11, 12. Ç’mësojmë nga mënyra si kujdeset Jehovai për zogjtë e qiellit? (Shih figurën hapëse.)

11 Lexo Mateun 6:26. Duhet ‘të vështrojmë me kujdes zogjtë e qiellit’. Këto krijesa, paçka se të vogla, hanë goxha fruta, farëra, insekte ose krimba. Në raport me peshën që kanë, zogjtë hanë më shumë se njerëzit. E megjithatë, nuk u duhet të punojnë tokën e të mbjellin për të pasur ushqim. Jehovai u siguron gjithçka që u nevojitet. (Psal. 147:9) Natyrisht, ai nuk ua vë ushqimin në sqep. U duhet të shkojnë e ta kërkojnë, ama ushqim ka me bollëk.

12 Për Jezuin, ishte e paimagjinueshme që Ati i tij qiellor t’u siguronte ushqim zogjve e të mos kujdesej për të njëjtat nevoja bazë të njerëzve. [1] (1 Pjet. 5:6, 7) Perëndia nuk do të na e vërë ushqimin në gojë, por mund të bekojë përpjekjet tona për të kultivuar ushqimin që na duhet ose për të fituar paratë që të blejmë ç’na nevojitet përditë. Në rast nevoje, mund të nxitë të tjerët të ndajnë me ne ato që kanë. Vërtet, Jezui nuk tha gjë se Jehovai u siguron strehë zogjve të qiellit. Megjithatë, u ka dhënë instinktet, aftësitë dhe materialet që u duhen për të ngritur fole. Jehovai mund të na ndihmojë po njësoj edhe ne që të gjejmë shtëpi të përshtatshme për familjet tona.

13. Çfarë prove kemi se ne vlejmë më shumë se zogjtë e qiellit?

13 Jezui i pyeti dëgjuesit e tij: «A nuk vleni ju më shumë se [zogjtë e qiellit]?» Pa dyshim që ai kishte ndër mend se së shpejti do të jepte jetën për njerëzimin. (Krahaso Lukën 12:6, 7.) Flijimi shpërblyes i Krishtit nuk u sigurua për asnjë krijesë tjetër. Jezui nuk vdiq për zogjtë e qiellit; vdiq për ne që të gëzojmë jetën e pafund.​—Mat. 20:28.

14. Çfarë nuk bën dot kurrë ai që është në ankth?

14 Lexo Mateun 6:27. Pse tha më pas Jezui se ai që është në ankth nuk mund ta zgjatë sadopak jetën e vet? Sepse shqetësimi i kotë për nevojat e përditshme nuk na ndihmon të jetojmë më gjatë. Përkundrazi, ka më shumë të ngjarë që ankthi mbytës të na e shkurtojë jetën.

15, 16. (a) Ç’mësojmë nga mënyra si kujdeset Jehovai për zambakët e fushës? (Shih figurën hapëse.) (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes, dhe pse?

15 Lexo Mateun 6:28-30. E kush nuk do që të ketë rroba të bukura, sidomos kur merr pjesë në aktivitete teokratike, si shërbimi, mbledhjet dhe kongreset?! Gjithsesi, a duhet të jemi «në ankth për veshjen»? Jezui na e drejton sërish vëmendjen nga veprat e duarve të Jehovait. Kësaj here mund të mësojmë shumë nga pamja e ‘zambakëve të fushës’. Jezui ndoshta kishte ndër mend lule që u ngjajnë zambakëve, si gladiolat, zymbylat dhe tulipanët​—secila me një bukuri më vete. Këtyre bimëve nuk u duhet të tjerrin dhe të qepin a të endin veshje. Ama lulet e tyre ta ka ënda t’i soditësh. Në fakt, «as Solomoni, me gjithë lavdinë që kishte, nuk ishte i veshur si një prej tyre».

16 Të mos harrojmë se ku do të dalë Jezui me këto fjalë: «Nëse Perëndia vesh kështu bimësinë e fushave . . . a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, o besëpakë?!» Pa diskutim që po! Por, dishepujve të Jezuit u mungonte disi besimi. (Mat. 8:26; 14:31; 16:8; 17:20) U duhej ta forconin besimin te Jehovai. Po ne, si jemi në këtë pikë? Sa i fortë është besimi ynë se Jehovai dëshiron të na sigurojë gjërat e nevojshme dhe është i aftë ta bëjë këtë?

17. Çfarë mund të na e dëmtojë marrëdhënien me Jehovain?

17 Lexo Mateun 6:31, 32. Nuk duhet të imitojmë njerëzit ‘e kombeve’, që nuk besojnë vërtet te një Atë i dashur qiellor i cili kujdeset për ata që vënë të parën në jetë Mbretërinë e tij. Po të mundohemi të grumbullojmë gjithë gjërat që «kërkojnë me etje kombet», do të na dëmtohet marrëdhënia me Jehovain. Në vend të kësaj, mund të jemi gjithnjë të sigurt se po të bëjmë atë që pritet nga ne​—pra, t’i japim përparësi në jetë vullnetit të Jehovait—​ai nuk do të na kursejë asgjë të mirë. «Përkushtimi hyjnor» duhet të na nxitë të jemi të kënaqur nëse kemi «ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën».​—1 Tim. 6:6-8.

A VJEN E PARA NË JETËN TËNDE MBRETËRIA E PERËNDISË?

18. Çfarë di Jehovai për secilin nga ne, dhe ç’do të bëjë për ne?

18 Lexo Mateun 6:33. Si dishepuj të Krishtit, shqetësimi kryesor në jetën tonë duhet të jetë gjithnjë Mbretëria. Atëherë, siç tha Jezui, ‘të gjitha këto gjëra të tjera do të na shtohen’. Pse ishte i sigurt për këtë? Një varg më sipër ai shpjegoi: «Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra», pra për gjërat e nevojshme të jetës. Jehovai mund t’i parashikojë fare lehtë nevojat e secilit nga ne në lidhje me ushqimin, veshjen dhe strehimin, madje që para se t’i kuptojmë ne vetë. (Filip. 4:19) Ai e di cila nga veshjet tona e ka radhën të vjetrohet. E di çfarë ushqimi na nevojitet dhe cili do të ishte strehimi i përshtatshëm për familjen tonë. Jehovai do të kujdeset të kemi atë që na nevojitet vërtet.

19. Pse s’duhet të shqetësohemi për atë që mund të ndodhë në të ardhmen?

19 Lexo Mateun 6:34. Vër re se Jezui thotë për të dytën herë: «Mos jini kurrë në ankth.» Ai do që t’i përballojmë shqetësimet tona duke i marrë ditët një nga një, me sigurinë e plotë se Jehovai do të na ndihmojë. Nëse dikush është tepër në ankth për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, atëherë mund të përpiqet të mbështetet te vetja e jo te Perëndia. Kjo mund të ndikojë për keq te miqësia e tij me Jehovain.​—Prov. 3:5, 6; Filip. 4:6, 7.

KËRKO SË PARI MBRETËRINË, DHE TË TJERAT DO T’I SHTOJË JEHOVAI

A mund ta thjeshtosh jetën që të përqendrohesh më shumë te Mbretëria? (Shih paragrafin 20.)

20. (a) Cili është një synim që mund të vësh në shërbim të Jehovait? (b) Ç’mund të bësh për ta thjeshtuar jetën?

20 Sa gjë e kotë t’i sakrifikojmë mundin dhe kohën që duhen për të kërkuar Mbretërinë vetëm e vetëm që të mbajmë një stil jete materialist! Në vend të kësaj, duhet të jepemi pas synimeve në shërbimin e Jehovait. Për shembull, a mund të transferohesh në një kongregacion ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë? A ke mundësi të shërbesh si pionier? Nëse je pionier, a ke menduar të bësh kërkesën që të ndjekësh Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë? A mund të shërbesh një a disa ditë në javë si punonjës i jashtëm në Bethel ose në një zyrë rajonale përkthimi? A mund të jesh vullnetar në Repartin Vendës të Projektim-Ndërtimit dhe të punosh në kohë të pjesshme për projektet e Sallave të Mbretërisë? Mendo ç’mund të bësh për ta thjeshtuar jetën, që të përfshihesh më tepër në aktivitetet e Mbretërisë. Shqyrto në lutje kutinë « Si ta thjeshtosh jetën» dhe fillo të bësh hapat e nevojshëm për ta arritur këtë synim.

21. Ç’do të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Jehovain?

21 Me të drejtë, Jezui na mësoi të kërkojmë Mbretërinë, jo gjërat materiale. Kur e bëjmë këtë, s’ka pse të jemi kurrë në ankth për nevojat tona materiale. Afrohemi më shumë me Jehovain, ngaqë mbështetemi tek ai plot besim dhe nuk përpiqemi të plotësojmë çdo tekë ose të blejmë çdo gjë që ofron bota, edhe nëse i kemi mundësitë. Po ta thjeshtojmë jetën sot, kjo do të na ndihmojë ‘të rrokim jetën e vërtetë’ që presim.​—1 Tim. 6:19.

^ [1] (paragrafi 12) Për të kuptuar pse hera-herës Jehovai mund të lejojë që ndonjë shërbëtor i tij të mos ketë mjaft ushqim, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 2014, f. 22.