JETËSHKRIM
Gjeta lumturinë që vjen kur jep
KUR isha 12 vjeç, kuptova për herë të parë se kisha diçka me vlerë për t’u dhënë të tjerëve. Gjatë një asambleje, një vëlla më pyeti nëse kisha qejf të predikoja. «Po»,—i thashë, edhe pse nuk kisha predikuar kurrë më parë. Shkuam në territor, dhe ai më dha disa broshura për Mbretërinë e Perëndisë. Më tha: «Ti fol me njerëzit në atë anë të rrugës, kurse unë po predikoj në këtë anë.» Plot emocion, nisa të shkoja shtëpi më shtëpi. Për habinë time, s’kaloi shumë e i shpërndava të gjitha broshurat. Ishte e qartë se shumë njerëz e donin atë që kisha për t’u dhënë.
Linda më 1923 në qytezën Çatam, në Kent të Anglisë, dhe u rrita në një botë plot njerëz të zhgënjyer. Lufta e Madhe s’e kishte përmbushur premtimin për ta bërë botën një vend më të mirë. Prindërit e mi ishin të zhgënjyer edhe nga priftërinjtë baptistë që dukej se shihnin vetëm interesin e vet. Kur isha rreth nëntë vjeç, mamaja nisi të shkonte te një nga sallat e Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës, ku mbanin «klasat» ose mbledhjet ata që kishin marrë emrin Dëshmitarë të Jehovait. Atje, një motër na jepte ne fëmijëve mësime të bazuara te Bibla dhe te libri Harpa e Perëndisë. Më pëlqente ajo që po mësoja.
MËSOJ NGA VËLLEZËRIT E PJEKUR
Gjatë adoleshencës, kënaqesha kur u jepja njerëzve shpresë nga Fjala e Perëndisë. Shpesh predikoja shtëpi më shtëpi i vetëm, ama mësoja edhe kur dilja me të tjerët. Për shembull, një ditë, bashkë me një vëlla të pjekur, po shkonim me biçikletë për të predikuar në territor. Rrugës u shkëmbyem me një klerik dhe thashë: «Ja një cjap.» Vëllai ndaloi, më kërkoi të uleshim në një trung aty pranë dhe më tha: «Kush ta dha autoritetin të gjykosh kush është cjap? Le t’u japim njerëzve lajmin e mirë dhe të kënaqemi me kaq. Gjykimin t’ia lëmë Jehovait.» Në ato kohë, mësova shumë për lumturinë që vjen kur jep.—Mat. 25:31-33; Vep. 20:35.
Nga një vëlla tjetër mësova se për të gjetur lumturi kur japim, ndonjëherë duhet të tregojmë durim. Gruaja e tij i kishte zët Dëshmitarët e Jehovait. Një herë, ai më ftoi në shtëpi për të pirë diçka bashkë. E shoqja ishte aq e acaruar që ai kishte dalë në shërbim, sa filloi të na hidhte kutitë e çajit. Në vend që ta qortonte, ai pa prishur qejf i vuri në
vend kutitë. Vite më vonë, durimi i tij u shpërblye kur e shoqja u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait.Dëshira që t’u jepja të tjerëve shpresë për të ardhmen shtohej dita-ditës, dhe bashkë me mamanë u pagëzuam në mars të 1940-s, në Dover. Në shtator të vitit 1939, kur isha 16 vjeç, Britania i kishte shpallur luftë Gjermanisë. Në qershor të 1940-s, nga dera e shtëpisë shihja tek kalonin kamionë me mijëra ushtarë të traumatizuar. Kishin mbijetuar nga Beteja e Dunkerkut. Në sytë e tyre nuk kishte fije shprese, prandaj vloja nga dëshira që t’u tregoja për Mbretërinë e Perëndisë. Po atë vit, Gjermania nisi bombardimet e rregullta mbi Britaninë. Çdo natë, shihja skuadrilje me aeroplanë bombardues të Gjermanisë që fluturonin mbi zonën tonë. Dëgjonim bombat që fishkëllenin ndërsa binin, dhe kjo na tmerronte. Të nesërmen në mëngjes shihnim zona të tëra me shtëpi të shkatërruara. Kuptoja gjithnjë e më shumë se Mbretëria ishte e vetmja shpresë që kisha për të ardhmen.
FILLOJ NJË JETË ME PLOT MUNDËSI PËR TË DHËNË
Ishte viti 1941 kur jeta ime mori një drejtim që më ka bërë jashtëzakonisht të lumtur. Punoja në Kantierin Detar Mbretëror në Çatam, ku mësoja të ndërtoja e të riparoja anije. Ishte punë e lakmuar me goxha avantazhe. Prej kohësh, shërbëtorët e Jehovait kishin kuptuar se të krishterët s’duhet të luftojnë për një komb kundër një tjetri. Rreth vitit 1941, po bëheshim të vetëdijshëm se nuk duhej të punonim në industrinë e armëve. (Gjoni 18:36) Meqë kantieri detar po ndërtonte nëndetëse, e ndava mendjen se ishte momenti ta lija atë punë e të filloja shërbimin e plotkohor. Caktimi im i parë ishte në Sajrënsestër, qytet piktoresk në Katsuollds.
Kur mbusha 18 vjeç, më burgosën për nëntë muaj ngaqë nuk pranova të kryeja shërbimin ushtarak. Më hyri frika kur hekurat e qelisë sime u mbyllën me zhurmë dhe mbeta i vetëm. Por, pas pak, rojat dhe të burgosurit filluan të më pyesnin pse isha atje dhe, me kënaqësi, u shpjegova besimin tim.
Kur dola nga burgu, më kërkuan që bashkë me Lenërd Smithin * të predikonim në qyteza të ndryshme të provincës së Kentit, vendlindjes sonë. Që nga 1944-a, në Kent ranë më shumë se një mijë bomba fluturuese. Gjendeshim tamam nën vijën ajrore që përshkonin aeroplanët, mes Evropës së pushtuar nga nazistët dhe Londrës. Ata aeroplanë pa pilot të mbushur me eksplozivë ishin pjesë e një fushate terrori. Kur dëgjoje motorin që fikej, siç ndodhte shpesh, e dije se pas pak sekondash aeroplani do të binte e do të shpërthente. Ne studionim me një familje prej pesë vetash. Ndonjëherë, uleshim nën një tavolinë hekuri që shërbente për t’i mbrojtur nëse shtëpia shembej. Me kohë, e gjithë familja u pagëzua.
PËRHAP LAJMIN E MIRË NË VENDE TË TJERA
Pas luftës, shërbeva si pionier për dy vjet në jug të Irlandës. S’na e priste mendja sa ndryshe ishte Irlanda nga Anglia. Shkonim shtëpi më shtëpi për të kërkuar strehim dhe thoshim se ishim misionarë, e gjithashtu ofronim revista në rrugë. «Ç’budallallëk» t’i bëje këto në një vend aq katolik! Kur një burrë na kërcënoi se do të na rrihte, iu ankova një polici që tha: «Pse, ç’prisni ju?» S’e kishim kuptuar sa pushtet kishin priftërinjtë. Ata bënin të pushohej nga puna kushdo që pranonte librat tanë. Gjithashtu, i nxitnin njerëzit të na dëbonin nga shtëpitë ku banonim.
Shpejt mësuam se, kur mbërrinim në një zonë të re, ishte më mirë të shkonim me biçikletë larg shtëpisë e të predikonim atje ku kishte një prift tjetër. Në fund fare, u predikonim njerëzve në lagjen tonë. Në Kilkéni, studionim tri herë në javë me një të ri, pavarësisht nga kërcënimet e turmave të dhunshme. Më pëlqente aq shumë t’u mësoja të tjerëve të vërtetat nga Bibla, sa vendosa të plotësoja kërkesën për Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, që të stërvitesha si misionar.
Pas kursit pesëmujor në Nju-Jork, katër nga ne të diplomuarit e Galaadit u caktuam në ishujt e vegjël të detit të Karaibeve. Në nëntor të 1948-s, u nisëm nga Nju-Jorku me një anije me vela 18 metra të gjatë që quhej Sibia. Nuk kisha lundruar asnjëherë, prandaj isha i emocionuar. Njëri prej nesh, Gast Maki, ishte kapiten i zoti. Na mësoi disa gjëra bazë për lundrimin, për shembull si të ulnim e të ngrinim velat e ndryshme, si të përdornim busullën dhe si të manovronim për të lundruar kundër erës. Gasti e drejtoi me mjeshtëri anijen tonë për 30 ditë përmes stuhive të rrezikshme, derisa mbërritëm në ishujt Bahama.
‘THUAJENI NDËR ISHUJ’
Pas disa muajsh predikimi në ishujt e vegjël Bahama, lundruam për në ishujt Liuard dhe Uinduord, midis Ishujve Virxhin dhe Trinidadit. Ato gjenden rreth 800 kilometra larg Ishujve Virxhin, që janë afër Porto-Rikos. Për pesë vjet, predikuam kryesisht në ishujt e izoluar ku nuk kishte asnjë Dëshmitar. Ndonjëherë, s’kishim mundësi të dërgonim ose të merrnim letra për javë të tëra. Ama ishim shumë të lumtur teksa thoshim fjalën e Jehovait ndër ishuj.—Jer. 31:10.
Kur ankoronim në një gji, prania jonë bënte goxha bujë, dhe banorët mblidheshin te moli për të parë kush ishim. Disa nuk kishin parë asnjëherë anije me vela ose një njeri të bardhë. Ishin miqësorë, besimtarë dhe e njihnin mirë Biblën. Shpesh na jepnin peshk të freskët, avokado dhe kikirikë. Në anijen tonë të vogël s’kishim shumë hapësirë për të fjetur, për të gatuar ose për të larë rrobat, por ia dilnim.
Mëngjeseve vozitnim për në breg dhe shkonim e bisedonim me njerëzit gjithë ditën. U thoshim se do
të mbahej një fjalim nga Bibla. Pastaj, në muzg i binim kambanës së anijes. Ishte e mrekullueshme të shihje banorët tek zbritnin nga kodrat me llamba vaji në dorë, të cilat dukeshin si yje vezulluese. Kishte raste që vinin njëqind veta dhe qëndronin deri në mbrëmje vonë duke bërë pyetje. U pëlqente të këndonin, prandaj shtypnim dhe shpërndanim fjalët e disa këngëve të Mbretërisë. Ne të katër bënim më të mirën që të këndonim meloditë dhe ata bashkonin zërat e tyre që harmonizoheshin bukur. Sa kohë të lumtura!Pasi drejtonim një studim biblik, disa studentë na shoqëronin edhe te familja tjetër, që të ndiqnin edhe studimin e tyre. Edhe pse na duhej të largoheshim pasi kishim qëndruar disa javë në një vend, shpesh u kërkonim më të interesuarve të vazhdonin studimin me të tjerët derisa të ktheheshim. Na ngrohej zemra kur shihnim sa seriozisht e merrnin caktimin disa prej tyre.
Sot, shumë nga ata ishuj janë pika turistike që gëlojnë nga njerëzit, por asokohe ishin vende të qeta që kishin vetëm laguna ngjyrë gurkali, plazhe me rërë dhe palma. Zakonisht lundronim gjatë natës nga njëri ishull në tjetrin. Delfinët notonin duke lodruar përbri anijes sonë dhe dëgjohej vetëm bashi i anijes që çante ujin. Hëna që shkëlqente mbi detin vaj të qetë krijonte një udhë të argjendtë që shtrihej gjer tej në horizont.
Pas pesë vjetësh predikimi në ishuj, lundruam për në Porto-Riko, që të linim anijen me vela e të merrnim një anije me motor. Kur mbërritëm, takova një misionare të bukur, Maksina Boidin, dhe rashë në dashuri me të. Ishte lajmëtare e zellshme e lajmit të mirë që nga fëmijëria. Më vonë, shërbeu në Republikën Domenikane derisa qeveria katolike e dëboi nga vendi më 1950. Si anëtar i ekuipazhit të anijes, kisha leje të qëndroja në Porto-Riko vetëm një muaj. Shpejt do të nisesha drejt ishujve dhe do të rrija atje edhe disa vite të tjera. Prandaj thashë me vete: «Ronald, nëse e do këtë vajzë, duhet të veprosh pa humbur kohë.» Pas tri javësh i propozova dhe pas gjashtë javësh u martuam. Bashkë me Maksinën na caktuan si misionarë në Porto-Riko, kështu nuk lundrova asnjëherë me anijen e re.
Më 1956 nisëm veprën qarkore. Mjaft vëllezër ishin të varfër, por kënaqeshim shumë kur i vizitonim. Për shembull, në fshatin Potala Pastiljo, ishin dy familje Dëshmitarësh që kishin shumë fëmijë dhe unë i bija flautit për ta. E pyeta njërën nga vajzat e vogla, Hildën, nëse kishte dëshirë të vinte në predikim me ne. Ajo tha: «Dua, por nuk mundem. S’kam këpucë.» I blemë një palë këpucë, dhe ajo erdhi të predikonte me ne. Vite më vonë, më 1972, kur unë dhe Maksina po vizitonim Bethelin e Bruklinit, na u afrua një motër që sapo ishte diplomuar në Shkollën e Galaadit. Pas pak do të nisej drejt caktimit të saj në Ekuador. Ajo tha: «Nuk po më njihni? Jam ajo vajza e vogël nga Pastiljo që nuk kishte këpucë.» Ishte Hilda! Nuk i mbajtëm dot lotët nga gëzimi.
Në vitin 1960 na kërkuan të shërbenim në degën e Porto-Rikos, që ndodhej në një shtëpi të vogël dykatëshe në Santurse, San-Huan. Në fillim, unë dhe Lenart Xhonsoni bënim pjesën më të madhe të punëve. Ai dhe e shoqja ishin Dëshmitarët e parë të Jehovait në Republikën Domenikane dhe kishin ardhur në Porto-Riko më 1957. Më vonë, me abonimet e revistave, që ishin mbi një mijë çdo javë, merrej Maksina. I pëlqente kjo punë, sepse mendonte për gjithë ata njerëz që do të merrnin ushqimin që siguron Jehovai.
Kënaqem me shërbimin në Bethel, se është një jetë plot mundësi për të dhënë. Ama, ka edhe sfida. Për shembull, më 1967, gjatë kongresit të parë ndërkombëtar në Porto-Riko, ndihesha sikur po më merrnin frymën përgjegjësitë. Në Porto-Riko erdhi Nejthën Nori, që në atë kohë drejtonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Ai mendoi gabimisht se kisha lënë pas dore organizimin e transportit të misionarëve nga vende të tjera, ndonëse s’ishte kështu. Më vonë, më dha këshilla të forta që të isha i organizuar dhe tha se e kisha zhgënjyer. S’doja të debatoja me të, por u ndjeva
i gjykuar me pa të drejtë dhe isha i mërzitur për goxha kohë. Gjithsesi, herën tjetër që takuam vëlla Norin, ai na ftoi në dhomën e tij dhe gatoi një vakt për mua dhe Maksinën.Ndërsa shërbenim në Porto-Riko, shkuam disa herë te familja ime në Angli. Babai nuk e pranoi të vërtetën kur unë dhe mamaja u bëmë Dëshmitarë. Por, kur oratorët nga Betheli vizitonin kongregacionin e mamasë, shpesh ajo i ftonte të rrinin në shtëpinë tonë. Im atë shihte sa të përulur ishin mbikëqyrësit nga Betheli, krejt ndryshe nga priftërinjtë që i kishin ngjallur neveri vite më parë. Më në fund, më 1962, ai u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait.
Gruaja ime e dashur, Maksina, vdiq në vitin 2011. Mezi pres ta shoh përsëri kur të ringjallet. Kur mendoj për këtë, ndihem shumë i lumtur. Gjatë 58 viteve që kaluam bashkë, Maksina dhe unë pamë popullin e Jehovait në Porto-Riko të rritej nga 650 veta në 26.000. Pastaj, më 2013, dega e Porto-Rikos u shkri me degën e Shteteve të Bashkuara, dhe mua më kërkuan të shërbeja në Uollkill, Nju-Jork. Pas 60 vjetësh në ishull, ndihesha po aq portorikan sa bretkosa e vogël kokí, aq e përhapur në Porto-Riko, që në muzg këndon ko-ki, ko-ki. Por, kishte ardhur koha për ndryshim.
«PERËNDIA DO NJË DHËNËS TË GËZUAR»
Ende gjej kënaqësi ndërsa i shërbej Perëndisë në Bethel. Tani jam mbi 90 vjeç, dhe caktimi im është të inkurajoj si bari i krishterë pjesëtarët e familjes Bethel. Më kanë thënë se, që kur kam ardhur në Uollkill, u kam bërë vizita baritore më shumë se 600 vetave. Disa nga ata që vijnë të më takojnë, duan të flasin për probleme personale ose familjare. Të tjerë më kërkojnë këshilla për të pasur sukses teksa shërbejnë në Bethel. Disa të tjerë që sapo janë martuar kërkojnë këshilla për martesën. Të tjerë akoma kanë marrë caktim të ri jashtë Bethelit. I dëgjoj me vëmendje, dhe kur është e përshtatshme, shpesh u them: «‘Perëndia do një dhënës të gëzuar.’ Prandaj, ji i lumtur me atë që po bën. E bën për Jehovain.»—2 Kor. 9:7.
Si në çdo vend tjetër, çelësi për të qenë i lumtur në Bethel është ky: duhet të përqendrohesh tek arsyeja pse ka rëndësi ajo që po bën. Gjithçka që bëjmë në Bethel është shërbim i shenjtë. Po ndihmojmë ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ të sigurojë ushqim për vëllazërinë mbarëbotërore. (Mat. 24:45) Kudo që i shërbejmë Jehovait, kemi mundësi ta lëvdojmë. Le ta shijojmë atë që na kërkon të bëjmë, sepse «Perëndia do një dhënës të gëzuar».
^ par. 13 Jetëshkrimi i vëlla Lenërd Smithit doli në Kullën e Rojës, 15 prill 2012.