Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A u bë Jakobi paraardhës i Mesisë ngaqë i bleu të drejtën e të parëlindurit Esaut?

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A lidhej gjithmonë linja gjenealogjike që çonte te Mesia me të drejtën e të parëlindurit në Izraelin e lashtë?

Në botimet tona e kemi bërë ndonjëherë këtë lidhje. Dukej se kjo përputhej me atë që thotë Hebrenjve 12:16. Ky varg thotë se Esau ‘nuk i vlerësoi gjërat e shenjta’ dhe se ‘vetëm në këmbim të një gjelle, i dorëzoi [Jakobit] të drejtat e tij si i parëlindur’. Kjo dukej se jepte idenë që, kur Jakobi fitoi ‘të drejtat e të parëlindurit’, fitoi edhe mundësinë të bëhej paraardhës i Mesisë.​—Mat. 1:2, 16; Luka 3:23, 34.

Mirëpo, një rishqyrtim i tregimeve biblike tregon se nuk ishte medoemos e nevojshme që një burrë të ishte i parëlindur për të qenë paraardhës i Mesisë. Le të shohim disa nga dëshmitë:

I parëlinduri i Jakobit (Izraelit) nga Lea ishte Rubeni. Më vonë, djali i parë i Jakobit nga gruaja e tij e preferuar, Rakela, ishte Jozefi. Kur Rubeni bëri një mëkat, e drejta e të parëlindurit i kaloi Jozefit. (Zan. 29:31-35; 30:22-25; 35:22-26; 49:22-26; 1 Kron. 5:1, 2) Gjithsesi, linja gjenealogjike e Mesisë nuk erdhi as nëpërmjet Rubenit, as nëpërmjet Jozefit. Erdhi përmes Judës, djalit të katërt të Jakobit nga Lea.​—Zan. 49:10.

Luka 3:32 rendit pesë hallka të mëvonshme në linjën gjenealogjike që çoi te Mesia. Me sa duket, secili nga këta burra ishte i parëlindur. Për shembull, Boazit i lindi Obedi, të cilit i lindi Jeseu.​—Rutha 4:17, 20-22; 1 Kron. 2:10-12.

Mirëpo, biri i Jeseut, Davidi, nuk ishte i parëlindur. Ai ishte më i vogli nga tetë djemtë. Prapëseprapë, linja gjenealogjike e Mesisë kaloi nga Davidi. (1 Sam. 16:10, 11; 17:12; Mat. 1:5, 6) Po kështu, hallka tjetër e linjës ishte Solomoni, ndonëse nuk ishte i parëlinduri i Davidit.​—2 Sam. 3:2-5.

Kjo s’do të thotë se të ishe i parëlindur s’kishte vlerë. Djali i parëlindur zinte një vend të nderuar dhe shpesh pasonte kreun e familjes. Veç kësaj, ai ishte djali që trashëgonte dy pjesë të zotërimeve.​—Zan. 43:33; Ligj. 21:17; Jos. 17:1.

Por e drejta e të parëlindurit mund të kalonte nga njëri te tjetri. Abrahami e dëboi Ismaelin dhe ia kaloi të drejtën e të parëlindurit Isakut. (Zan. 21:14-21; 22:2) Dhe siç e pamë, e drejta e të parëlindurit kaloi nga Rubeni te Jozefi.

Tani, le të kthehemi te Hebrenjve 12:16, që thotë: «Të mos ketë asnjë kurvar, as ndonjë që nuk i vlerëson gjërat e shenjta, si Esau, i cili vetëm në këmbim të një gjelle, dorëzoi të drejtat e tij si i parëlindur.» Çfarë po theksohej në këtë varg?

Apostulli Pavël këtu nuk po fliste për paraardhësit e Mesisë. Ai sapo i kishte nxitur të krishterët që ‘të bënin shtigje të drejta për këmbët e tyre’. Kështu nuk ‘do t’u mohohej dashamirësia e pamerituar e Perëndisë’, që mjerisht mund të ndodhte nëse ata kryenin imoralitet seksual. (Hebr. 12:12-16) Po të vepronin kështu, do të ishin si Esau. Ai nuk ‘i vlerësoi gjërat e shenjta’, pra u dha pas gjërave të paperëndishme.

Esau jetoi në kohët patriarkale dhe, me raste, mund të ketë pasur privilegjin të ofronte flijime si prift për familjen e vet. (Zan. 8:20, 21; 12:7, 8; Jobi 1:4, 5) Por ngaqë mendja e tij prirej drejt gjërave të mishit, Esau i hodhi poshtë të gjitha këto privilegje për një pjatë gjellë. Mbase donte të shmangte vuajtjet që ishin parathënë për farën e Abrahamit. (Zan. 15:13) Gjithashtu, Esau tregoi se prirej ndaj gjërave të paperëndishme, pra se nuk i çmonte gjërat e shenjta, kur u martua me dy gra pagane, çka i hidhëroi prindërit e tij. (Zan. 26:34, 35) Sa shumë ndryshonte nga Jakobi, që bëri çmos të martohej me një adhuruese të Perëndisë së vërtetë!​—Zan. 28:6, 7; 29:10-12, 18.

Atëherë ç’mund të themi si përfundim për linjën gjenealogjike të Jezuit, Mesisë? Ndonjëherë kjo linjë kalonte nga biri i parëlindur​—por jo gjithmonë. Judenjtë e kuptonin dhe e pranonin këtë fakt, siç tregohet edhe nga rasti kur pohuan se Krishti do të vinte përmes Davidit, djalit të vogël të Jeseut.​—Mat. 22:42.