Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Mësova të respektoja gratë dhe veten

Mësova të respektoja gratë dhe veten
  • LINDUR: 1960

  • VENDI I LINDJES: FRANCË

  • TË DHËNA: NARKOMAN I DHUNSHËM, S’I RESPEKTONTE GRATË

E KALUARA IME:

Linda në Muluz, një qytet në verilindje të Francës, në një lagje periferike të klasës punëtore, e cila njihej si e dhunshme. Kujtimet e fëmijërisë janë të mbushura me konflikte të dhunshme ndërmjet familjeve të asaj zone. Në familjen tonë, gratë shiheshin me përçmim dhe burrat rrallë ua merrnin mendimin. Më mësonin se gruaja e kishte vendin në kuzhinë, duke u kujdesur për burrin dhe për fëmijët.

Fëmijëria s’ishte aspak e lehtë. Kur isha dhjetë vjeç, më vdiq babai nga alkooli. Pesë vjet më vonë, njëri nga vëllezërit më të mëdhenj vrau veten. Po atë vit, pashë me sytë e mi një vrasje gjatë një sherri familjar dhe kjo më tronditi jashtë mase. Familjarët më mësonin si të përdorja thikat e armët e zjarrit dhe si të zihesha sa herë të ishte e nevojshme. Si i ri i trazuar, nisa ta mbuloja trupin me tatuazhe dhe të pija.

Në moshën 16-vjeçare pija 10 deri në 15 shishe birrë çdo ditë, dhe s’kaloi shumë e iu futa drogës. Që të siguroja paratë për veset, shisja hekur për skrap dhe vidhja. Kur isha 17 vjeç, tashmë e kisha provuar burgun. Më dënuan 18 herë gjithsej për vjedhje dhe për dhunë.

Në fillim të të 20-ave, u bëra edhe më i keq. Pija deri në 20 cigare marihuane në ditë dhe merrja heroinë, si edhe substanca të tjera të paligjshme. Disa herë për pak sa nuk vdiqa nga mbidoza. Fillova të shpërndaja drogë, prandaj mbaja gjithnjë me vete thika dhe armë zjarri. Në një rast, tentova të vrisja një burrë, por shyqyr që plumbi bëri rikoshet në tokëzën e rripit të tij. Kur isha 24 vjeç, më vdiq mamaja dhe s’e kontrolloja dot më zemërimin. Këmbësorët e frikësuar ndërronin rrugë kur kaloja. Ngaqë zihesha, shpesh i kaloja fundjavët në rajonin e policisë ose në spital duke më qepur plagët.

Në moshën 28-vjeçare u martova. Siç mund ta imagjinoni, nuk e respektoja gruan. E fyeja dhe e rrihja. Nuk bënim asgjë së bashku si çift. Mendoja se mjaftonte ta mbuloja me bizhuteri të vjedhura. Më pas ndodhi diçka e papritur. Gruaja nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Që me studimin e parë, ajo e la duhanin, nuk pranonte më para të vjedhura dhe m’i ktheu bizhuteritë. Isha i xhindosur. Nuk doja që të studionte Biblën, ia hidhja në fytyrë tymin e duhanit dhe e tallja nëpër lagje.

Një natë, kur isha xurxull, i vura zjarrin apartamentit. Gruaja na shpëtoi nga flakët mua dhe vajzën tonë pesëvjeçare. Kur u bëra esëll, më kaploi ndjenja e fajit. Thellë-thellë e ndieja se Zoti s’mund të më falte kurrë. Më kujtohet një prift që tha se të ligjtë shkojnë në ferr. Madje, edhe psikiatri më tha: «S’ka shpresë për ty! S’ka gjë që të bën derman.»

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Pas zjarrit, shkuam të jetonim me prindërit e gruas. Kur Dëshmitarët erdhën të takonin gruan, i pyeta: «A mund të më falë Zoti për të gjitha mëkatet e mia?» Më treguan në Bibël 1 Korintasve 6:9-11. Në këto vargje renditen sjelljet që dënon Zoti, megjithatë aty thuhet: «Të tillë ishit disa nga ju.» Ato fjalë më bindën se mund të ndryshoja. Pastaj, Dëshmitarët më treguan 1 Gjonit 4:8 për të më siguruar se Zoti më donte. Mora zemër, prandaj u kërkova Dëshmitarëve të studioja Biblën me ta dy herë në javë dhe fillova të ndiqja mbledhjet e tyre të krishtere. I lutesha vazhdimisht Jehovait.

Brenda një muaji vendosa ta lija drogën dhe alkoolin. Ama, shumë shpejt e ndjeva luftën që kishte shpërthyer në trupin tim. Vuajta shumë nga makthe të tmerrshme, dhembje koke, ngërçe dhe simptoma të tjera të lënies së drogës e të alkoolit. Por në të njëjtën kohë e ndieja se Jehovai më kishte kapur për dore dhe më forconte. U ndjeva si apostulli Pavël, i cili shkroi për ndihmën që i dha Perëndia: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Me kalimin e kohës, arrita ta lija edhe duhanin.​—2 Korintasve 7:1.

Përveçse më ndihmoi ta kisha nën kontroll jetën time, Bibla na përmirësoi edhe jetën familjare. Ndryshova qëndrim ndaj bashkëshortes. Fillova t’i tregoja më tepër respekt e t’i thosha «të lutem» dhe «faleminderit». Nisa të bëhesha baba i vërtetë për vajzën. Pasi studiova Biblën për një vit, ia kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova; ndoqa shembullin e gruas.

DOBITË:

Jam i sigurt se parimet e Biblës ma shpëtuan jetën. Edhe familjarët e mi që s’janë Dëshmitarë, e pranojnë se ka shumë gjasa që do të kisha vdekur nga droga ose që do të më kishin vrarë në ndonjë përleshje.

Jeta jonë familjare ndryshoi komplet kur mësova nga Bibla përgjegjësitë e mia si bashkëshort e si baba. (Efesianëve 5:25; 6:4) Filluam t’i bënim gjërat si një familje e bashkuar. Tani, në vend që të mendoj se gruaja e ka vendin në kuzhinë, e mbështes me kënaqësi ndërsa predikon në kohë të plotë. Edhe ajo më mbështet me kënaqësi në rolin që kam si plak kongregacioni.

Dashuria dhe mëshira e Perëndisë kanë ndikuar thellësisht në jetën time. Kam dëshirë të zjarrtë t’ua tregoj cilësitë e tij atyre që shihen si raste të pashpresa, pasi shumë mendonin ashtu edhe për mua. E di se Bibla ka fuqi të ndihmojë këdo të bëjë jetë të pastër e kuptimplotë. Bibla më ka ndihmuar t’i dua e t’i respektoj të tjerët, si burrat dhe gratë, por falë saj tani respektoj edhe veten.