Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është praktik drejtimi i Biblës?

A është praktik drejtimi i Biblës?

DISA THONË JO. Një mjek tha se, të përdorësh Biblën për drejtim, është si të përdorësh një libër shkolle të viteve 20 të shekullit 20, për të dhënë mësim në një orë kimie. Madje, një skeptik mund të të pyeste nëse do të përdorje manualin e një kompjuteri të vjetër e jashtë funksionit për një kompjuter të ri të përditësuar. Me fjalë të tjera, për disa Bibla është komplet e dalë jashtë mode.

Ç’të duhet një udhëzues kaq i lashtë në botën e sotme moderne të teknologjisë së lartë? Fundja, site dhe blogë të panumërt japin vazhdimisht këshilla dhe udhëzime nga më të fundit. Programet televizive paraqesin plot këshilla nga psikologë, udhëheqës shpirtërorë dhe autorë të njohur. Kurse në librari gjen një lumë me libra autodidaktë, që ushqejnë një industri multimiliardere.

Me gjithë këtë informacion të minutës së fundit, pse t’i drejtohemi Biblës, një libri të shkruar rreth 2.000 vjet më parë? A nuk kanë të drejtë skeptikët kur thonë se, të drejtohesh nga një libër kaq i lashtë, është si të përdorësh një libër kimie të vjetër apo një manual kompjuteri që i ka ikur koha? Faktikisht, ky krahasim është i pavend. Shkenca dhe teknologjia ndryshojnë me shpejtësi, por a kanë ndryshuar njerëzit në thelb? Ne ende kërkojmë qëllimin e jetës, si edhe njëfarë lumturie e sigurie, marrëdhënie të mira familjare dhe miqësi të vërteta.

Sado e vjetër është, Bibla tregon si mund të plotësohen këto nevoja e shumë të tjera. Gjithashtu pohon se është e frymëzuar nga Krijuesi ynë. Ajo na ofron udhëzime për çdo aspekt të jetës dhe na pajis për çdo sfidë. (2 Timoteut 3:16, 17) Për më tepër pohon se përmban këshilla që nuk njohin kohë​—këshilla që nuk vjetrohen kurrë! Bibla thotë: «Fjala e Perëndisë është e gjallë.»​—Hebrenjve 4:12.

A mund të jenë të vërteta pohimet e Biblës? Është e dalë mode apo është vërtet libri më praktik​—një libër i gjallë? Qëllimi i këtij numri të Kullës së Rojës, i pari i një serie speciale, është të të ndihmojë të gjesh përgjigjet e këtyre pyetjeve.