Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Mësoji fëmijës vetëkontrollin

Mësoji fëmijës vetëkontrollin

VËSHTIRËSIA

Fëmija yt 6-vjeçar duket se nuk e njeh vetëpërmbajtjen. Nëse i zë syri diçka që e do, e do në moment! Nëse nuk ia jep, nevrikoset dhe ndonjëherë fillon të të gërthasë. Ti mendon: «A është normale për një fëmijë kjo? A është thjesht një fazë që do t’i kalojë apo duhet t’ia mësoj vetëkontrollin që tani?» *

Ç’DUHET TË DISH

Sot vetëkontrollit nuk i jepet rëndësi. Dr. Dejvid Uolshi shkruan: «Në kulturën e sotme tepër tolerante, prindërve e fëmijëve shpesh u përçohet mesazhi se duhet të bëjmë ç’të duam. Që nga gurut qëllimmirë e deri te sharlatanët që të zhvatin edhe qindarkën e fundit, marrim vazhdimisht këshilla se duhet t’u lëmë vend dëshirave tona.» *

Është e rëndësishme t’i mësosh vetëkontrollin që në moshë të njomë. Studiuesit vëzhguan për një kohë të gjatë sjelljen e disa fëmijëve 4-vjeçarë. U dhanë nga një karamele dhe u thanë se mund ta hanin në moment, ose të prisnin pak e të merrnin një tjetër si shpërblim për durimin. Më vonë, kur ishin në shkollë të mesme, fëmijët që kishin treguar durim në moshën 4-vjeçare ishin më mirë nga ana emocionale, në shoqëri e në shkollë.

Pasojat mund të jenë të rënda nëse nuk i mëson vetëkontrollin. Studiuesit besojnë se mënyra si funksionon truri i fëmijës ndikohet nga përvojat në jetë. Sipas dr. Dan Kindlonit, kjo do të thotë se «nëse i llastojmë fëmijët dhe nëse nuk u mësojmë të presin radhën, të presin për gjërat që duan dhe t’i rezistojnë tundimit, mund të mos ndodhin ndryshimet në sistemin nervor që lidhen me ndërtimin e një karakteri të qëndrueshëm». *

Ç’MUND TË BËSH

Mësoje me shembullin tënd. Po ti, si je me vetëkontrollin? A të sheh fëmija që e humbet toruan në trafik, që futesh pa radhë në dyqan ose që i ndërpret të tjerët ndërsa flasin? «Mënyra më e drejtpërdrejtë për t’i mësuar fëmijës vetëkontrollin, është duke e shfaqur ne vetë»,—shkruan Kindloni.Parimi biblik: Romakëve 12:9.

Mësoji fëmijës se ka pasoja. Duke pasur parasysh moshën e fëmijës, ndihmoje të kuptojë se po t’u rezistojë dëshirave të forta, rezultati do të jetë veçse i mirë, kurse po të mos u rezistojë, do t’i kushtojë. Për shembull, kur fëmija xhindoset sepse dikush e ka keqtrajtuar, ndihmoje të frenohet dhe të pyesë veten: «Po të hakmerrem, do të më dalë për mirë apo për keq? A ka ndonjë mënyrë më të mirë për të vepruar në këtë situatë, ndoshta duke numëruar deri në dhjetë që të më bien nervat? Mos do të ishte më mirë të largohesha?»—Parimi biblik: Galatasve 6:7.

Lavdëroje. Kur fëmija tregon vetëkontroll, mos ia kurse lavdërimin. Bëji të ditur se mund të mos e ketë gjithnjë të lehtë t’i mbajë nën kontroll impulset, por se kjo tregon forcë karakteri. Bibla thotë: «Njeriu që nuk e mban nën fre frymën e tij, është si një qytet me mure të çara.» (Proverbat 25:28) Kurse «kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm».Proverbat 16:32.

Praktikohuni së bashku. Bëni një lojë me titull «Çfarë do të bëje?», «Veprim i mirë, veprim i keq» ose diçka të ngjashme. Mendoni për rrethana që mund të krijohen dhe demonstroni reagimet e mundshme, duke i cilësuar «të mira» ose «të këqija». Vini në punë imagjinatën: nëse doni, përdorni kukulla, vizatime ose ndonjë mënyrë tjetër për ta bërë lojën sa më të këndshme dhe informuese për fëmijën. Qëllimi yt është ta ndihmosh fëmijën të kuptojë se të ushtrosh vetëkontroll është më mirë se të jesh impulsiv.—Parimi biblik: Proverbat 29:11.

Ki durim. Bibla thotë se «marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës». (Proverbat 22:15, Diodati i Ri) Prandaj mos prit që fëmija ta zhvillojë vetëkontrollin brenda ditës. Një libër thotë: «Ky është një proces i gjatë e i ngadaltë, ku do të ketë rënie, por edhe përmirësim të vazhdueshëm.» (Teach Your Children Well) Megjithatë ia vlen barra qiranë. Ai vazhdon: «Fëmija që di të përmbahet, do ta ketë më kollaj të përmbahet edhe nga droga kur të jetë 12 vjeç apo nga seksi kur të jetë 14.»

^ par. 4 Ndonëse në këtë artikull përdoret gjinia mashkullore, parimet e shqyrtuara vlejnë për të dyja gjinitë.

^ par. 6 Marrë nga libri No: Why Kids—of All Ages—Need to Hear It and Ways Parents Can Say It.

^ par. 8 Marrë nga libri Too Much of a Good Thing—Raising Children of Character in an Indulgent Age.