Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A E KE JETËN NËN KONTROLL?

Vështirësia kur ke ndjenja negative

Vështirësia kur ke ndjenja negative

A JE i sfilitur nga ndjenjat negative, si trishtimi, zemërimi ose keqardhja? Nëse po, nuk të mbetet edhe aq kohë e fuqi për gjërat vërtet të rëndësishme për ty. Çfarë të bësh? *

SHEMBULL BIBLIK: DAVIDI

Mbreti David përjetoi një sërë ndjenjash, si ankth e hidhërim. Çfarë e ndihmoi të ecte përpara? I la gjërat në dorë të Zotit. (1 Samuelit 24:12, 15) Madje i hodhi në letër ato që ndiente. Dhe ngaqë kishte besim te Perëndia, lutej pareshtur. *

SI IA BËN GREGORI?

Siç thamë në artikullin e parë, Gregori vuan nga një çrregullim ankthi. Ai thotë: «Ankthi që më zinte, i kapërcente kufijtë e arsyes dhe e humbja toruan.» Si e mori situatën nën kontroll? Gregori shpjegon: «Që të rifitoja ekuilibrin, pranova ndihmën e dashur të gruas dhe të miqve. Madje kërkova edhe ndihmën e mjekut dhe u informova më tepër për gjendjen time. Pasi bëra ca ndryshime në mënyrën e jetesës, ndjeva sërish se e kisha unë jetën në dorë dhe jo ajo mua. Edhe pse akoma kam kriza ankthi të përkohshme, tani e kuptoj më mirë se çfarë i shkakton dhe di si të veproj në këto raste.»

«Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.»​—Proverbat 17:22

ÇFARË MUND TË BËSH?

Nëse ndjenjat negative të kanë vënë përfund, provo sugjerimet e mëposhtme.

  • Në një ditar shkruaj çdo ditë si ndihesh.

  • Fol me një të afërm a mik të ngushtë.

  • Mendo nëse ndjenjat e tua negative janë me vend. Për shembull, pyet veten: «A është vërtet e justifikueshme pikëpamja negative që kam për veten?»

  • Mos mbaj ankth e mëri dhe mos u zemëro. Përdori energjitë për diçka më të dobishme. *

Përfundimi: Shpesh ndjenjat negative nuk vijnë nga faktorë të jashtëm, por vijnë nga ne, nga mënyra si i konceptojmë ato.

^ par. 3 Disa ndjenja negative mund të jenë pasojë e ndonjë problemi shëndetësor që mund të ketë nevojë për trajtim mjekësor. Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë metodë të veçantë trajtimi. Çdokush duhet të shqyrtojë me kujdes mundësitë para se të marrë një vendim.

^ par. 5 Shumë psalme në Bibël janë lutje të Davidit, që i hodhi me shkrim.

^ par. 13 Për më shumë informacion, shih serinë «Si ta përballosh ankthin?» në Kullën e Rojës të 1 korrikut 2015.