Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A E KE JETËN NËN KONTROLL?

Vështirësia kur të gjithë presin prej teje

Vështirësia kur të gjithë presin prej teje

FËMIJËT kanë nevojë për vëmendjen tënde​—në moment. Po kështu edhe punëdhënësi. Nga ana tjetër bashkëshorti kërkon ndihmën tënde. Dhe të gjitha këto duhet t’i bësh ndërsa kujdesesh për prindin e sëmurë. Sa ndryshe e kishe planifikuar jetën! Po të shteren fuqitë nga dita në ditë. Ti mendon: «Ç’të bëj? Kanë nevojë për mua.» T’u plotësosh çdo kërkesë mund të mos jetë gjëja më e mirë për ty, e as për ta. Si ta rimarrësh situatën nën kontroll?

SHEMBULL BIBLIK: MOISIU

Në kohët biblike, kur Moisiu ishte i vetmi gjykatës i Izraelit, mund të ketë menduar se po bënte veçse atë që ishte e nevojshme. Mirëpo, vjehrri i tha: ‘Nuk është mirë kështu si vepron ti. Do të rraskapitesh.’ Dhe i sugjeroi që shumë nga çështjet gjyqësore t’ua linte disa burrave të zotë, ndërsa çështjet më të vështira t’ia paraqitnin Moisiut. Cili do të ishte rezultati? Vjehrri e siguroi: «Ke për t’i bërë ballë punës, dhe njerëzit do të kthehen në paqe në shtëpitë e veta.»​—Dalja 18:17-23.

SI IA BËN DELINA?

Siç thamë në artikullin e parë, Delina vuan nga distonia, një çrregullim neuromuskulor. Përveç kësaj, duhet të kujdeset edhe për tre vëllezërit me çrregullime mendore. Ajo tregon: «Kam parë se jam më pak e stresuar nëse i marr ditët një nga një dhe nuk i zvarris gjërat. Ngaqë kam folur hapur me të tjerët, më kanë ndihmuar, madje edhe im shoq. Gjithashtu, çdo mëngjes punoj pak në kopsht, dhe kjo më çlodh shumë.»

«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.»​—Eklisiastiu 3:1

ÇFARË MUND TË BËSH?

Nëse je shumë i ngarkuar dhe nuk i ke gjërat nën kontroll, provo sugjerimet e mëposhtme.

  • Mendo se kush mund të të ndihmojë. A ke fëmijë që jetojnë me ty? A ke pjesëtarë të familjes ose miq që banojnë afër teje?

  • Thuaju për çfarë ke nevojë. Për shembull, fol me punëdhënësin nëse kërkesat e tij i kalojnë caqet e arsyes. Por ki kujdes, mos e kërcëno që do ta lësh punën. Thjesht vëre në dijeni të vështirësive që ke. Ndoshta do të jetë i gatshëm të ta lehtësojë ngarkesën.

  • Hidh në letër programin e punëve të një jave. A mund ta bëjë dikush tjetër ndonjë prej tyre?

  • Ji përzgjedhës me ftesat shoqërore. Nëse nuk mund të shkosh ngaqë s’ke kohë dhe je i lodhur, thuaj jo me mirësjellje.

Përfundimi: Nëse përpiqesh të bësh gjithçka, mund të mos jesh në gjendje të bësh asgjë.