Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si të bësh kompromis

Si të bësh kompromis

VËSHTIRËSIA

Ti dhe bashkëshorti keni preferenca të ndryshme për diçka. E vërteta është se ke të paktën tri mundësi:

  1. këmbëngulësh me kokëfortësi të të dalë e jotja.

  2. dorëzohesh para dëshirave të bashkëshortit pa u përpjekur fare.

  3. Të bëni kompromis të dy.

Ti ndoshta thua: «Nuk më pëlqen ideja e kompromisit. Duket sikur asnjëri nuk merr atë që do.»

Ji i sigurt se, po ta arrini siç duhet, kompromisi nuk sjell medoemos një zgjidhje ku humbni të dy. Por para se të shohim si të bëjmë kompromis, duhet të dimë disa gjëra për këtë aftësi të domosdoshme.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Kompromisi kërkon bashkëpunim. Para martese mbase ishe mësuar t’i merrje vetë vendimet. Tani ndryshon puna; ti dhe bashkëshorti duhet të vini martesën para preferencave personale. Në vend që ta shihni si minus, konsiderojeni si plus. Një grua me emrin Aleksandra thotë: «Kombinimi i mendimeve të dy personave mund të çojë në një zgjidhje më të mirë se zgjidhja që mund të paraqesë secili më vete.»

Kompromisi kërkon mendje të hapur. «Nuk është e thënë të jesh dakord me çdo fjalë ose mendim të bashkëshortit, ama duhet të jesh i gatshëm të marrësh parasysh me ndershmëri pikëpamjen e tij»—shkruan një këshilltar martesash, Xhon M. Gotmeni.—Nuk do të nxirrni gjë në dritë, nëse ti me duar kryq tund kokën në shenjë mohimi (ose mban këtë qëndrim në mendje) kur bashkëshorti përpiqet të diskutojë një problem me ty.» *

Kompromisi kërkon vetëmohim. Askujt nuk i pëlqen të jetojë me një bashkëshort që është i bindur se mendimi i tij është më i miri. Është shumë më mirë kur të dy kanë frymë vetëmohuese. Një grua me emrin Xhun pohon: «Ka raste kur unë hap rrugë që ta bëj tim shoq të lumtur, ama edhe ai bën njësoj për mua në raste të tjera. Kështu duhet të jetë marrëdhënia në çift, të japësh e të marrësh, jo vetëm të marrësh.»

 ÇFARË MUND TË BËSH?

Filloje mbarë. Zakonisht, biseda përfundon ashtu si niset, me të njëjtin ton. Nëse e fillon me fjalë të vrazhda, ka pak shanse të arrish me qetësi në kompromis. Prandaj ndiq këshillën e Biblës: «Vishuni me dhembshuri . . . mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.» (Kolosianëve 3:12) Cilësi të tilla do t’ju ndihmojnë të dyve të mos grindeni, por t’i hyni punës për ta zgjidhur problemin.—Parimi biblik: Kolosianëve 4:6.

Kërko të përbashkëtat. A përfundojnë në sherr përpjekjet për të bërë kompromis? Ndoshta kjo ndodh ngaqë ti dhe bashkëshorti po përqendroheni më tepër te ndryshimet në pikëpamjet tuaja. Në vend të kësaj, kërkoni të përbashkëtat. Sugjerimi i mëposhtëm mund t’ju ndihmojë për këtë.

Bëni secili një listë me dy kolona. Në të parën shkruani aspektet e çështjes për të cilat nuk lëshoni pe kollaj. Në të dytën, renditni aspekte në të cilat mund të bëni kompromis. Pastaj diskutojini listat së bashku. Mbase do të kuptoni se faktikisht aspektet ku të dy nuk lëshoni pe kollaj s’janë aq të papajtueshme. Nëse është kështu, nuk do të jetë shumë e vështirë të bëni kompromis. Edhe po të jenë të papajtueshme, do ta keni më të qartë situatën ngaqë i keni në letër të gjitha aspektet e çështjes.

Rrih mendimet. Disa çështje mund të jenë relativisht të thjeshta për t’u zgjidhur. Gjithsesi, me probleme të koklavitura burri dhe gruaja mund ta forcojnë lidhjen kur rrahin mendimet për të gjetur një zgjidhje që ndoshta asnjëri prej tyre nuk do ta gjente i vetëm.—Parimi biblik: Eklisiastiu 4:9.

Ji i gatshëm të përshtatësh pikëpamjen. Bibla thotë: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Kur mbizotërojnë dashuria dhe respekti, të dy bashkëshortët janë të gatshëm të marrin parasysh mendimin e tjetrit, e madje të ndryshojnë mendje. Një burrë që quhet Kameron pohon: «Ka gjëra që s’do të kishe qejf t’i bëje, ama falë ndikimit të bashkëshortes, më vonë i bën me dëshirë.»—Parimi biblik: Zanafilla 2:18.

^ par. 12 Nga libri The Seven Principles for Making Marriage Work.