Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | SI T’I PËRBALLOSH TRAGJEDITË?

Problemet shëndetësore

Problemet shëndetësore

Mejbëlli nga Argjentina, bënte një jetë aktive dhe punonte si fizioterapiste. Në vitin 2007, ajo filloi të ndihej shumë e këputur dhe kishte dhembje të forta koke çdo ditë. Ajo thotë: «Shkova te disa mjekë dhe provova të gjitha llojet e mjekimeve, por asgjë nuk më bënte efekt.» Në fund, bëri një rezonancë magnetike, që zbuloi se kishte tumor në tru. Ajo thotë: «U shtanga. Nuk arrija ta besoja që kisha jetuar me këtë armik brenda meje.

Megjithatë, e kuptova sa e rëndë ishte gjendja ime vetëm pasi bëra operacionin. Kur u përmenda në reanimacion, nuk arrija të lëvizja. E vetmja gjë që mund të bëja, ishte të shihja tavanin. Para se të operohesha, isha aktive dhe e pavarur. Papritur, s’isha në gjendje të bëja asgjë. Gjatë ditëve në reanimacion kishte shumë rrëmujë, dëgjoja zhurmat e pajisjeve mjekësore, alarmet e rasteve urgjente dhe rënkimet e pacientëve të tjerë. Përreth meje kishte vetëm dhembje e vuajtje.

Tani e kam marrë veten disi. Mund të eci vetë dhe ndonjëherë të dal pa ndihmën e dikujt. Por i shoh gjërat të dyfishuara dhe nuk kam bashkërendim të muskujve.»

SI TA PËRBALLOSH TRAGJEDINË?

Mbaj një pikëpamje pozitive. Te Proverbat 17:22, Bibla thotë: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç, por një frymë e dërrmuar i than kockat.» Mejbëlli kujton: «Gjatë periudhës së rimëkëmbjes, kisha po ato vështirësi që kishin pasur pacientët e mi. Ushtrimet ishin shumë të dhembshme dhe ndonjëherë më vinte të dorëzohesha. E detyroja veten t’i hiqja këto mendime negative, duke ditur se përpjekjet në fund shpërblehen.»

Përqendrohu te gjërat që të japin shpresë, që të mos dorëzohesh. «Nga Bibla kisha mësuar pse ndodhin tragjedi,—thotë Mejbëlli.—Dhe kisha mësuar edhe se pas çdo dite që kalon, jemi më afër kohës kur dhembjet do të zhduken përgjithmonë.» *

Prano që Perëndia interesohet për ty si individ. (1 Pjetrit 5:7) Mejbëlli kujton si e ndihmoi kjo dijeni: «Kur më futën në sallën e operacionit, provova sa të vërteta janë fjalët tek Isaia 41:10, ku Perëndia thotë: ‘Mos ki frikë, se unë jam me ty.’ Ndjeva një paqe të jashtëzakonshme sepse e dija që Perëndia Jehova nuk ishte indiferent ndaj asaj që po më ndodhte.»

A e dije? Bibla mëson se do të vijë një kohë kur njerëzimin nuk do ta mundojnë më problemet shëndetësore.Isaia 33:24; 35:5, 6.