Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sëmundja e mishrave të dhëmbëve—A përbën rrezik për ty?

Sëmundja e mishrave të dhëmbëve—A përbën rrezik për ty?

ËSHTË një nga sëmundjet orale më të zakonshme në botë. Por, në fazat e para kjo sëmundje mund të mos ketë simptoma të menjëhershme. Kjo fshehtësi e rrezikshme është tipike e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve. Një botim periodik (International Dental Journal) e rendit sëmundjen periodontale ndër çrregullimet orale që paraqesin «një problem serioz për shëndetin publik». Ai shton se ndikimi i kësaj sëmundjeje orale «është i konsiderueshëm te individët dhe komunitetet sepse sjell dhembje e vuajtje, vështirësi në të ngrënë dhe jetë më pak cilësore». Një shqyrtim i kësaj sëmundjeje të përhapur mund të të ndihmojë të ulësh rrezikun.

Fakte

Kjo sëmundje ka faza të ndryshme. Faza e parë, e quajtur gingivit, është acarimi i mishrave të dhëmbëve. Një shenjë e kësaj faze mund të jetë gjakosja e mishrave të dhëmbëve. Kjo mund të ndodhë kur përdor furçën dhe fillin dentar ose pa ndonjë arsye të qartë. Po kështu, nëse gjatë kontrollit dentar del gjak nga dhëmbët, edhe kjo mund të jetë tregues i gingivitit.

Kur sëmundja e mishrave në këtë fazë përparon, kalon në atë që quhet periodontit. Në këtë pikë, fillon të shkatërrohet struktura orale që mban dhëmbët, si kocka dhe indi mishor. Kjo lloj sëmundjeje mund të mos japë simptoma derisa arrin në një fazë të përparuar. Periodontiti mund të ketë disa shenja, si: formim të xhepave në mishrat e dhëmbëve; lëvizje të dhëmbëve; krijim të hapësirave midis dhëmbëve; erë të keqe të gojës; gjakosje të mishrave dhe tërheqje të mishit nga dhëmbët, domethënë mishrat e dhëmbëve nuk janë më të puthitura pas dhëmbit, gjë që e bën dhëmbin të duket më i gjatë.

Shkaqet dhe pasojat

Ka disa faktorë që mund të rritin rrezikun e kësaj sëmundjeje. Pllakëzat dentare, shtresat e holla të baktereve që formohen vazhdimisht mbi dhëmbë, janë shkaku më i zakonshëm.  Nëse pllakëzat nuk hiqen, bakteret mund të shkaktojnë ënjtje të mishrave. Ndërsa gjërat përkeqësohen, mishrat fillojnë të veçohen nga dhëmbët, duke i lejuar pllakëzat plot baktere të hyjnë poshtë vijës ndarëse të mishrave me dhëmbët. Kur bakteret hyjnë deri në këtë pikë, acarimi përkeqësohet duke shkatërruar kockën dhe indin mishor. Pllakëzat dentare, qoftë sipër, qoftë poshtë vijës ndarëse, mund të ngurtësohen e të kthehen në gurëza. Edhe gurëzat mbulohen nga baktere dhe ngaqë janë të ngurta e të ngjitura pas dhëmbëve, nuk hiqen aq kollaj sa pllakëzat. Kështu, bakteret mund të vazhdojnë t’i dëmtojnë mishrat e dhëmbëve.

Ka edhe faktorë të tjerë që mund të të çojnë drejt kësaj sëmundjeje. Ata mund të jenë mungesa e një higjiene orale të mirë, mjekimet që dëmtojnë sistemin imunitar, infeksionet virale, stresi, diabeti që nuk mbahet dot nën kontroll, konsumimi me tepri i alkoolit, duhani dhe ndryshimet hormonale nga shtatzënia.

Sëmundja e mishrave të dhëmbëve mund të të sjellë ndërlikime të tjera. Nga dhembjet e gojës ose nga rënia e dhëmbëve mund ta kesh të vështirë të hash dhe ta shijosh atë që ha. Mezi flet dhe nuk dukesh bukur. Për më tepër, studimet kanë treguar se shëndeti oral lidhet ngushtë me shëndetin në tërësi.

Diagnostikimi dhe trajtimi

Si ta kuptosh nëse e ke këtë sëmundje? Ndoshta ke vënë re te vetja disa nga shenjat e përmendura në këtë artikull. Nëse po, mund të jetë e mençur të konsultohesh me një dentist të aftë që mund të vlerësojë gjendjen e mishrave të dhëmbëve të tu.

A është e kurueshme kjo sëmundje? Në fazat e para, dëmet mund të zhbëhen. Nëse arrihet deri në periodontit, atëherë synimi është të ndalohet përparimi i sëmundjes para se të shkatërrojë kockën dhe mishin anës dhëmbëve. Profesionistët në fushën dentare përdorin mjete të specializuara për të hequr pllakëzat dhe gurëzat nga dhëmbët, si sipër edhe poshtë vijës ndarëse.

Edhe nëse ke pak ose aspak mundësi për të shkuar te dentisti, çelësi për të ulur rrezikun e kësaj sëmundjeje të fshehtë e megjithatë tejet shkatërrimtare, është parandalimi. Kujdesi vetjak i duhur dhe i rregullt për gojën është gjëja më e mirë për të ulur rrezikun e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve.