PIKËPAMJA E BIBLËS
Meditimi
Çfarë është meditimi?
«Do të meditoj për tërë bëmat e tua, dhe do të mbaj në mendje veprat e tua.»
—Psalmi 77:12.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Meditimi merr forma të ndryshme, disa prej të cilave i kanë rrënjët në fetë e Lindjes së lashtë. «Mendja duhet të zbrazet që të shohë qartë»,—tha një shkrimtar për këtë argument. Fjalët e tij pasqyrojnë pikëpamjen se zbrazja e mendjes teksa përqendrohesh në disa fjalë ose pamje të caktuara, nxit paqe të brendshme, mendje të kthjellët dhe ndriçim hyjnor.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Bibla i jep shumë rëndësi meditimit. (1 Timoteut 4:15) Megjithatë, lloji i meditimit që nxit ajo, nuk nënkupton të zbrazësh mendjen ose të përsëritësh ndonjë fjalë ose shprehje të caktuar, që ndonjëherë quhet mantra. Përkundrazi, meditimi sipas Biblës do të thotë të mendosh qëllimisht për tema të dobishme, si: cilësitë, normat dhe krijimet e Perëndisë. Një besnik i Perëndisë u lut: «Meditoj për gjithçka që ke bërë. Plot ëndje mbaj në mend veprën e duarve të tua.» (Psalmi 143:5) Gjithashtu, ai tha: «Të kujtoj në shtratin tim, gjatë ndërresave të natës meditoj për ty.»
Si mund të nxjerrësh dobi nga meditimi?
«Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.»
—Proverbat 15:28.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Meditimi i shëndetshëm na përmirëson personalitetin e brendshëm, na jep vetëkontroll dhe forcë morale; të gjitha këto na e shtojnë gjykimin e thellë dhe kuptueshmërinë, si në fjalë, edhe në sjellje. (Proverbat 16:23) Prandaj, një meditim i tillë na e bën jetën më të lumtur e më të kënaqshme. Në lidhje me njeriun që mediton rregullisht për Perëndinë, Psalmi 1:3 thotë: «Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën.»
Gjithashtu, meditimi na ndihmon të përmirësojmë kuptueshmërinë dhe kujtesën. Ta ilustrojmë: kur studiojmë një aspekt të krijimit ose një temë biblike, mësojmë shumë fakte interesante. Por, kur meditojmë për këto fakte, shohim si lidhen ato me njëra-tjetrën dhe me gjërat që kemi mësuar në të kaluarën. Pra, ashtu si një ndërtues që i kthen materialet e ndërtimit në një ndërtesë tërheqëse, meditimi na ndihmon «t’i bashkojmë» faktet në një strukturë ose model koherent.
A duhet mbajtur nën kontroll meditimi?
«Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?»
—Jeremia 17:9.
ÇFARË THOTË BIBLA?
«Nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin arsyetime të dëmshme: [imoralitet seksual], vjedhje, vrasje, kurorëshkelje, lakmi, vepra ligësie, mashtrim, sjellje e shthurur, sy ziliqar, . . . [dhe] paarsyetueshmëri.» (Marku 7:21, 22) Po, ashtu si zjarri, meditimi duhet mbajtur nën kontroll. Përndryshe, nga mendimet e papërshtatshme mund të lindin dëshira të dëmshme që mund të dalin jashtë kontrollit dhe të na çojnë në vepra të liga.
Ja pse Bibla na nxit të meditojmë për ‘gjëra që janë të vërteta, të drejta, të dëlira, të dashura, për të cilat flitet mirë, të virtytshme dhe të denja për t’u lëvduar’. (Filipianëve 4:8, 9) Kur zhvillojmë këto mendime të shkëlqyera dhe «i mbjellim» në mendjen tonë, korrim cilësi të bukura, të folur të hijshëm dhe marrëdhënie të ngrohta me të tjerët.