Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Si ta mësosh adoleshentin të ruhet nga rreziqet e Internetit?

Si ta mësosh adoleshentin të ruhet nga rreziqet e Internetit?

VËSHTIRËSIA

Lajmet në media të lënë përshtypjen se Interneti është vatra e prepotentëve elektronikë, grabitqarëve seksualë dhe hajdutëve të identitetit. Ti, me të drejtë, je në merak: fëmija yt adoleshent rri shumë në Internet dhe duket se nuk është i vetëdijshëm për rreziqet.

Ti mund ta mësosh fëmijën tënd të ruhet nga rreziqet e Internetit. Por në fillim shqyrto disa gjëra që duhet të dish për jetën online.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Adoleshentët mund të hyjnë në Internet edhe me anë të pajisjeve portative. Rregulli se kompjuteri duhet vendosur në një vend të dukshëm për gjithë familjen, është ende i vlefshëm. Por, me anë të një tablete ose një celulari të lidhur me Internetin, fëmija yt mund të hyjë në botën e Internetit si kurrë më parë—madje pa mbikëqyrjen tënde.

Fakti që disa njerëz bëjnë aksidente nuk do të thotë se është e gabuar të ngasësh makinën. I njëjti parim vlen edhe për Internetin. Fëmija yt ka nevojë të mësojë si «të ngasë» me kujdes

Disa adoleshentë kalojnë tepër kohë online. «E ndez kompjuterin për pesë minuta sa për të kontrolluar email-in dhe përfundoj duke parë video për orë të tëra,—pranon një 19-vjeçare.—Më duhet shumë vetëkontroll.»

Në Internet, adoleshentët mund të tregojnë për veten më shumë gjëra se ç’duhet. Njerëzit e paskrupull mund të lidhin komentet me fotografitë që ka postuar në Internet një adoleshent, për të zbuluar informacione, si: vendi ku jeton, në çfarë shkolle shkon dhe oraret kur nuk do të ketë njeri në shtëpi.

Disa adoleshentë nuk i kuptojnë pasojat e gjërave që postojnë. Gjithçka që postohet online, mbetet online. Ndonjëherë, komentet dhe fotografitë e turpshme zbulohen më vonë, si për shembull, nga një punëdhënës i ardhshëm që bën kërkime për një kandidat pune.

Pavarësisht nga këto, ki parasysh: Internetin nuk e ke armik. Përkundrazi, telashet vijnë nga përdorimi jo i mençur i tij.

 ÇFARË MUND TË BËSH?

Mësoji fëmijës të vendosë përparësi dhe të dijë si ta organizojë kohën. Që të bëhet një i rritur i përgjegjshëm, ai ka nevojë edhe të mësojë të vërë në vend të parë gjërat kryesore. Komunikimi në familje, detyrat dhe punët e shtëpisë janë më të rëndësishme se lundrimi në Internet sa për të kaluar kohën. Nëse të shqetëson koha që kalon fëmija në Internet, vër kufij—edhe nëse të duhet të përdorësh kronometër.Parimi biblik: Filipianëve 1:10.

Mësoje fëmijën adoleshent të mendohet mirë para se të postojë diçka. Ndihmoje të bëjë pyetje të tilla, si: a do të lëndojë dikë ky koment që po postoj? Si do të ndikojë kjo fotografi në reputacionin tim? A do të më vinte turp nëse këtë fotografi ose koment do ta shihnin prindërit ose të rritur të tjerë? Çfarë do të mendonin për mua nëse do ta shihnin? Çfarë do të mendoja unë për dikë që ka postuar një fotografi ose një koment të tillë?—Parimi biblik: Proverbat 10:23.

Mësoje fëmijën të jetojë sipas parimeve, jo vetëm sipas rregullave. Nuk mund t’i rrish dot nga mbrapa fëmijës për ta kontrolluar orë e çast. Për më tepër, synimi yt si prind nuk është ta kontrollosh, por ta ndihmosh fëmijën t’i ketë «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Prandaj, në vend që t’u mëshosh rregullave dhe dënimit si faktor kryesor, bëji thirrje ndjenjës morale të fëmijës. Çfarë reputacioni dëshiron ai të ketë? Cilat nga cilësitë e tij do ai që të spikatin? Synimi yt është që ta ndihmosh të marrë vendime të mençura, pavarësisht nëse je me të apo jo.—Parimi biblik: Proverbat 3:21.

«Fëmijët dinë më tepër për teknologjinë. Por prindërit dinë më tepër për jetën»

Lundrimi në Internet, ashtu si ngarja e një makine, kërkon gjykim të mirë, jo vetëm aftësi teknologjike. Prandaj, drejtimi yt si prind është i domosdoshëm. Në fund të fundit, është ashtu siç vëren Perri Aftabi, ekspertja për sigurinë e Internetit: «Fëmijët dinë më tepër për teknologjinë. Por prindërit dinë më tepër për jetën.»