NJË VËSHTRIM RRETH BOTËS
Shtetet e Bashkuara
«Një duhanpirës i kushton një punëdhënësi privat . . . 5.816 dollarë në vit më tepër se një joduhanpirës»,—thotë një raport i gazetës New York Times. Sipas të dhënave të grumbulluara nga studiuesit në Universitetin e Shtetit të Ohajos, kjo kosto shtesë vinte nga pushimi që bënin për të pirë duhan, nga shpenzimet më të mëdha për kujdesin shëndetësor dhe nga mungesat e shpeshta në punë. Një faktor tjetër ishte ulja e rendimentit, që ka të ngjarë të shkaktohej nga simptomat e lënies së duhanit.
Itali
«Kontradikta midis asaj që thonë e bëjnë pastorët dhe besimtarët, midis fjalëve dhe mënyrës së tyre të jetesës, po minon besueshmërinë e Kishës.»—Papa Françesku.
Malajzi
Autoritetet malajziane zbuluan 24 tonë fildish kontrabandë, më tepër se 1.000 dhëmbë elefantësh, që ishin fshehur në dy ngarkesa me dru mogani. Mbrojtësit e natyrës thanë se ky është sekuestrimi më i madh që është bërë ndonjëherë. Ngarkesa vinte nga Togoja, me destinacion Kinën.
Afrikë
Sipas një raporti të vitit 2012 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, 63 për qind e vdekjeve shkaktoheshin nga sëmundjet ngjitëse, sidomos HIV/SIDA, sëmundjet diarreike, malaria, tuberkulozi dhe nga sëmundjet e fëmijëve.
Australi
Te fëmijët janë përhapur shumë aplikacionet për smartphone dhe për pajisje të tjera elektronike që simulojnë lojërat e bixhozit. Disa prej këtyre aplikacioneve imitojnë lojërat e kazinove, veçse fitohet më kollaj. Një raport qeveritar paralajmëron se simulime të tilla mund t’i shtyjnë fëmijët ta konsiderojnë bixhozin si diçka normale «dhe mund t’i bëjnë bixhozçinj problematikë në të ardhmen».