A duhet të besosh te Triniteti?
Mbi dy miliardë njerëz thonë se janë të krishterë. Shumica u përkasin kishave që mësojnë Trinitetin, doktrinë sipas së cilës Ati, Biri dhe fryma e shenjtë formojnë një Perëndi. Si u bë Triniteti doktrinë zyrtare? Ç’është më e rëndësishmja, a përputhet me Biblën ky mësim?
BIBLA përfundoi në shekullin e parë të e.s. Mësimet që ndikuan te krijimi i Trinitetit, zyrtarisht nisën të formuloheshin në vitin 325 të e.s.
A ËSHTË JEZUI PERËNDIA?
Kur Kostandini u bë sundimtari i vetëm i Perandorisë Romake, të ashtuquajturit të krishterë u përçanë për sa i përket lidhjes mes Perëndisë dhe Krishtit. A ishte Jezui Perëndia? Apo u krijua nga Perëndia? Për të zgjidhur këtë çështje, Kostandini mblodhi udhëheqësit e Kishës në Nice, jo sepse kërkonte të vërtetën fetare, por sepse nuk donte që feja t’ia përçante perandorinë.
«Për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati.»
Ai u kërkoi peshkopëve, që ishin me qindra, të binin në një mendje, por nuk pati rezultat. Atëherë propozoi që këshilli të adoptonte konceptin e mjegullt se Jezui përbëhej nga «e njëjta substancë» (homoousios) me Atin. Ky term filozofik grek e jobiblik hodhi themelin për mënyrën si do të paraqitej doktrina e Trinitetit më vonë në mësimet e Kishës. Në fakt, nga fundi i shekullit të katërt, në thelb Triniteti kishte marrë formën që ka sot, bashkë me të ashtuquajturën pjesë të tretë të Hyjnisë, frymën e shenjtë.
PSE DUHET TË TË INTERESOJË?
Jezui tha se «adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me . . . të vërtetë». (Gjoni 4:23) Kjo e vërtetë është dokumentuar në Bibël. (Gjoni 17:17) A mëson Bibla se Ati, Biri dhe fryma e shenjtë janë tre persona në një Perëndi?
Pikësëpari, Bibla nuk e përmend fare fjalën Trinitet. Përveç kësaj, Jezui nuk tha kurrë se ishte i barabartë me Perëndinë. Përkundrazi, ai e adhuronte Perëndinë. (Luka 22:41-44) Një linjë e tretë dëshmie ka të bëjë me marrëdhënien e Jezuit me dishepujt. Edhe pasi u ngrit nga të vdekurit për të shkuar në qiell, Jezui i quajti dishepujt ‘vëllezërit e mi’. (Mateu 28:10) A ishin ata vëllezër të Perëndisë së Plotfuqishëm? Pa dyshim që jo. Por, përmes besimit te Krishti, Birit të parëlindur të Perëndisë, edhe ata bëheshin bij të të vetmit Atë. (Galatasve 3:26) Krahaso disa shkrime të tjera me pohimet e mëposhtme të kredos së Këshillit të Nicesë.
Çfarë thotë kredoja e Nicesë:
«Ne besojmë . . . në një Zotëri Jezu Krisht . . . që është e njëjta substancë me Atin, Perëndinë e Perëndive, Dritën e Dritave, thelbin e vetë Perëndisë.»
Çfarë thotë Bibla:
«Ati është më i madh se unë [Jezui].»
—Gjoni 14:28. * «Unë [Jezui] po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.»
—Gjoni 20:17. «Për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati.»
—1 Korintasve 8:6. «Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht.»
—1 Pjetrit 1:3. «Këtë thotë Ameni, [Jezui], . . . Fillimi i krijesës së Perëndisë.»
—Zbulesa 3:14. *
^ par. 13 Kursivi është yni. Të gjitha citimet në këtë pjesë, janë marrë nga Bibla Diodati i Ri.
^ par. 17 Botimi për studim biblik Çfarë mëson vërtet Bibla? përmban edhe këto dy mësime: «Cila është e vërteta rreth Perëndisë?» dhe «Kush është Jezu Krishti?» Mund ta merrni këtë libër nga Dëshmitarët e Jehovait ose ta lexoni online në www.isa4310.com/