Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Mbretëria e Perëndisë

Mbretëria e Perëndisë

A është Mbretëria e Perëndisë gjendje zemre?

«Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.»Marku 12:34.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Shumë njerëz besojnë se Mbretëria e Perëndisë është, siç e thotë edhe një sekt i madh i të ashtuquajturit krishterim, «mbretërimi i Perëndisë në zemrën dhe në jetën e individit».

ÇFARË THOTË BIBLA?

Mbretëria është një qeveri e vërtetë, jo thjesht një metaforë për dikë që i nënshtrohet Zotit me zemër. Mbretëria e Perëndisë do të sundojë në të gjithë tokën.Psalmi 72:8; Danieli 7:14

Atëherë, përse tha Jezui se «mbretëria e Perëndisë është brenda jush»? (Kursivi është yni; Luka 17:21, King James Version) S’ka se si Jezui të nënkuptonte se Mbretëria ishte në zemrat e dëgjuesve të tij. Pse jo? Sepse në atë rast dëgjuesit e tij ishin farisenjtë. Jezui tha se ata do të përjashtoheshin nga Mbretëria ngaqë adhurimi i tyre ishte hipokrit, dhe kështu bëhej i papranueshëm për Perëndinë. (Mateu 23:13) Sidoqoftë, me të drejtë Jezui mund të thoshte se Mbretëria e Perëndisë është «brenda jush» ose sipas Përkthimit Bota e Re, «mes jush». Pse? Sepse si Mbreti i ardhshëm i Mbretërisë, ai po qëndronte tamam para tyre.Luka 17:21.

 Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

«Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»Mateu 6:10.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Mbretëria është një qeveri reale e Perëndisë dhe ka sundimtar Jezu Krishtin. (Mateu 28:18; 1 Timoteut 6:14, 15) Misioni i saj është të përmbushë vullnetin e Perëndisë në qiell e në tokë. (Mateu 6:10) Kështu, me anë të Mbretërisë së tij, Perëndia do të zgjidhë problemet e njerëzve. Mbretëria do të bëjë atë që institucionet njerëzore nuk mund ta arrijnë kurrë.

Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, familja njerëzore do të gëzojë paqe, siguri dhe begati në një tokë parajsore. (Psalmi 46:9; Isaia 35:1; Mikea 4:4) Asnjë nuk do të sëmuret a vdesë më dhe sëmundjet do të eliminohen. (Isaia 33:24; Zbulesa 21:4) Madje, dalëngadalë të moshuarit do të bëhen përsëri të rinj. Bibla parathotë: «Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!»Jobi 33:25.

Ç’MUND TË BËSH?

Pavarësisht nga prejardhja ose vendlindja, mund të bëhesh nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë nëse zbaton atë që Perëndia kërkon nga ti. Bibla thotë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»Veprat 10:34, 35.

A do të vijë Mbretëria e Perëndisë nga përpjekjet njerëzore?

«Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë.»Danieli 2:44.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Disa besojnë se njerëzit do ta vendosin Mbretërinë e Perëndisë në tokë duke ua ndryshuar të tjerëve besimin, ose duke punuar për paqen dhe vëllazërinë botërore.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Mbretërinë e vendos Perëndia, jo njerëzit. (Danieli 2:44) Në themelimin e Mbretërisë, Zoti thotë: «[Unë] e kam vënë mbretin tim.» (Psalmi 2:6) Njerëzit as do ta sjellin Mbretërinë e Perëndisë dhe as mund t’i pengojnë punët e saj, pasi ajo do të sundojë nga qielli në mbarë tokën.Mateu 4:17.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Është krejt normale të dëshirojmë që një ditë njerëzit të sjellin paqe e unitet. Ndoshta jepesh me mish e me shpirt për të arritur këto gjëra, por më pas dëshpërohesh kur s’i arrin. Dijenia se pas Mbretërisë së tij qëndron fuqia e Zotit, do të të ndihmojë të përpiqesh për diçka që ia vlen, duke u bërë nënshtetas i kësaj Mbretërie.