Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Çfarë të bësh kur fëmija grindet?

Çfarë të bësh kur fëmija grindet?

VËSHTIRËSIA

Kur është i mërzitur, fëmija yt 2 vjeç ia kris këlthitjes, përplas këmbët dhe të gjuan. Ti thua me vete: «A është në rregull fëmija im? Mos e ka ngaqë nuk po bëj aq sa duhet? A do ta heqë këtë zakon kur të rritet?»

Mund ta ndihmosh fëmijën të ndryshojë sjellje. Prandaj, si fillim kupto pse bën kështu. *

PSE NDODH?

Fëmijët e vegjël janë pa përvojë për sa i përket kontrollimit të ndjenjave. Vetëm kjo mjafton që me raste të qajnë gjithë inat. Por ka edhe arsye të tjera.

Mendo për ndryshimin që fëmija përjeton rreth moshës dyvjeçare. Sapo lind, prindërit kujdesen për çdo nevojë të tij. Nëse qan, vijnë me vrap duke menduar: «Mos është sëmurë? Mos do të hajë? Mos do përkëdhelur ose ndërruar?» Prindërit bëjnë gjithçka që fëmija të ndihet mirë. Kjo është me vend, pasi foshnja varet krejtësisht nga prindërit.

Por, rreth moshës dyvjeçare, fëmija fillon të kuptojë që prindërit kujdesen gjithnjë e më pak për të. Në vend që prindërit të plotësojnë nevojat e tij, presin që fëmija t’u bindet dëshirave të tyre. Tani është ndryshe dhe dyvjeçari e ka të vështirë ta pranojë ndryshimin pa protestuar, ndoshta duke qarë gjithë inat.

Me kalimin e kohës, fëmija zakonisht përshtatet me idenë që prindërit janë mësuesit e tij, jo vetëm kujdestarët. Do të ishte mirë që, teksa rritet, të kuptojë që roli i tij është edhe ‘t’u bindet prindërve’. (Kolosianëve 3:20) Ndërkohë fëmija, sa herë qan nga inati, mund t’ua sprovojë durimin prindërve aty ku s’mban më.

 Ç’MUND TË BËSH?

Kuptoje fëmijën. Ai nuk është një i rritur me shtat të vockël. Ngaqë s’ka përvojë në kontrollimin e ndjenjave, mund ta ekzagjerojë kur mërzitet. Përpiqu ta shohësh situatën sipas botëkuptimit të tij.Parimi biblik: 1 Korintasve 13:11.

Ruaj qetësinë. Kur fëmija ia plas së qarit, të bëhesh edhe ti me nerva s’arrin gjë. Aq sa ke mundësi, shpërfille reagimin e fëmijës dhe mos u bëj zemërdobët. Nëse mban parasysh pse grindet, do ta kesh më të lehtë të ruash qetësinë.Parimi biblik: Proverbat 19:11.

Mos lësho pe. Nëse plotëson çdo kërkesë të fëmijës, ka të ngjarë t’ia krisë prapë së qarit herën tjetër që do diçka. Me qetësi vepro në atë mënyrë që fëmija ta kuptojë se e ke seriozisht.Parimi biblik: Mateu 5:37.

Nëse mban parasysh pse grindet, do ta kesh më të lehtë të ruash qetësinë

Ki durim. Mos prit që fëmija të ndryshojë sa hap e mbyll sytë, sidomos nëse i ke dhënë shkas të mendojë që sjellja e tij do të të lëkundë. Por, nëse vazhdimisht reagon në mënyrën e duhur dhe nuk ndryshon mendje, ka mundësi që të qarat të pakësohen, dhe me kalimin e kohës të pushojnë fare. Bibla thotë: «Dashuria është shpirtgjerë.»1 Korintasve 13:4.

Provo edhe këto sugjerime:

  • Kur fëmija grindet, merre në krahë (nëse është e mundur) dhe, pa e lënduar, mos e lër të të gjuaj. Mos i bërtit. Thjesht prit të qetësohet. Në fund fëmija do ta kuptojë se kjo sjellje nuk e çon gjëkundi.

  • Zgjidh një vend ku ta lësh fëmijën kur të grindet. Thuaji se mund të dalë pasi të jetë qetësuar dhe lëre atje.

  • Nëse ndodh që fëmija grindet në publik, largoje nga sytë e të tjerëve. Mos u tërhiq vetëm se je në qendër të vëmendjes, pasi fëmija do të nënkuptojë se mund të marrë çfarë të dojë duke u grindur.

^ par. 5 Edhe pse do t’i referohemi fëmijës në gjininë mashkullore, parimet vlejnë për të dyja gjinitë.