PIKËPAMJA E BIBLËS
Shëndeti
A ka rëndësi për Perëndinë si kujdesemi për shëndetin?
«Mos rri me ata që pinë verë me tepri, as me ata që s’kanë të ngopur me mish.»—Proverbat 23:20.
PSE KA RËNDËSI?
Bibla nuk është libër mjekësor; as nuk vë rregulla për çdo aspekt të sjelljes njerëzore. Megjithatë, mund të nxjerrësh mjaft dobi nga pikëpamja e Perëndisë për shëndetin, siç tregohet në Bibël.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Shumë fragmente biblike zbulojnë si mendon Perëndia se duhet të kujdesemi për shëndetin. Për shembull, ajo dënon teprimet e dëmshme, si dehjen dhe grykësinë. (Proverbat 23:20) Në Ligjin e Perëndisë që iu dha Izraelit të lashtë, përfshiheshin masa për mbajtjen nën kontroll e madje në disa raste për parandalimin e sëmundjeve. Aty jepeshin edhe rregulla sigurie specifike që të mos vriteshin. (Ligji i përtërirë 22:8) Pra, Bibla na inkurajon të kujdesemi për veten dhe të marrim masa të arsyeshme për të mbrojtur shëndetin.
Sipas Biblës, pse sëmuremi?
«Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.»—Romakëve 5:12.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Shumë besojnë se sëmundjet janë veçse një kapriço e evolucionit. Të tjerë mendojnë se shkaku i problemeve shëndetësore janë forcat misterioze, si frymërat e liga.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Sipas Biblës, sëmuremi për shkak të rebelimit të parë njerëzor ndaj Perëndisë. (Romakëve 5:12) Para se të rebeloheshin, të parët tanë, Adami dhe Eva, kishin shëndet të përsosur. Ata e dinin se do të vdisnin po të shkëputeshin nga kujdesi i dashur i Perëndisë. (Zanafilla 2:16, 17) Megjithatë, zgjodhën të ndërpritnin miqësinë me Perëndinë dhe humbën përsosmërinë. *
Pasi Adami dhe Eva humbën përsosmërinë, ia trashëguan papërsosmërinë racës njerëzore. Prandaj, edhe pse bëhen shumë përpjekje për zhdukjen e sëmundjeve, prapëseprapë sëmuremi.
Ç’MUND TË BËSH?
Bibla mëson se, po t’i bindesh parimeve të mençura të Perëndisë, do të kesh një marrëdhënie të mirë me të. Si rezultat, në të ardhmen do të gëzosh shëndet të përsosur në parajsë, këtu në tokë. (Isaia 33:24) Perëndia premton se do të eliminojë dhembjen, sëmundjen dhe vdekjen.—Zbulesa 21:3, 4.
A është Bibla kundër trajtimeve mjekësore?
«Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.»—Mateu 9:12.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Disa përkrahin më tepër shërimet me anë të mrekullive (ose shërimet me anë të besimit), sesa trajtimet mjekësore.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Në kohët biblike, Perëndia lejonte që mes popullit të tij të kishte mjekë. (Zanafilla 38:28; Kolosianëve 4:14) Bibla në asnjë vend nuk lë të nënkuptohet se Perëndia ishte kundër përdorimit të bimëve mjekësore, pomadave, dietave të përshtatshme dhe kurave të tjera. Në fakt, Jezui e pranonte se «të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po».—Mateu 9:12.
Gjithsesi, Bibla nuk këshillon që të vëmë shëndetin mbi çdo gjë. Për shembull, Bibla nuk e aprovon shërimin me anë të mrekullive, siç bëjnë disa sot. Edhe kurat që kanë të bëjnë me spiritizmin Perëndia nuk i miraton. (Galatasve 5:19-21) Përveç praktikave që dënohen në Bibël, kur hasim një problem shëndetësor, është e mençur të kërkojmë shpejt kujdesin e duhur mjekësor, nëse është e mundur.
^ par. 10 Në këtë artikull, do të përdorim fjalët «i përsosur» dhe «përsosmëri» për t’iu referuar shëndetit të mirë me të cilin i krijoi Perëndia njerëzit e parë, të pandikuar nga sëmundja e vdekja.