Një vështrim rreth botës
Në Gjermani, në vitin 2010, rreth 33 për qind e fëmijëve kanë lindur jashtë martese, në krahasim me vitin 1993 që ishin 15 për qind.—ÄRZTE ZEITUNG dhe THE LOCAL, GJERMANI.
Sipas regjistrimit të vitit 2010, 69,4 për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara jetojnë me të dy prindërit, 23,1 për qind jetojnë vetëm me nënën, 3,4 për qind jetojnë vetëm me babanë dhe 4,1 për qind nuk jetojnë me asnjë nga prindërit.—ZYRA E REGJISTRIMEVE NË SHTETET E BASHKUARA.
Katastrofat natyrore i kushtuan ekonomisë globale rreth 380 miliardë dollarë në vitin 2011. Tërmeti në Japoni ishte «katastrofa më e kushtueshme e të gjitha kohëve, me një humbje prej 210 miliardë dollarësh, pa përfshirë incidentin bërthamor në Fukushimë».—NEW SCIENTIST, BRITANI.
Në mbarë botën, produkti që vidhet më tepër është djathi. Çdo vit vidhet më tepër se 3 për qind e djathit në shitjen me pakicë, kryesisht nga klientët dhe punonjësit.—QENDRA E KËRKIMEVE PËR SHITJET ME PAKICË, BRITANI.
Rreziku i gjuajtjeve me kokë në futboll
Gjuajtja me kokë në futboll është pjesë e lojës. Por studimet e fundit të bazuara në teknikat e përparuara të imazherisë dhe në testimet e aftësive mendore, kanë ngritur problemin e rrezikut kur topi gjuhet me kokë në mënyrë të përsëritur. Sipas studiuesve në fakultetin e mjekësisë «Albert Ajnshtajn» të Nju-Jorkut, SHBA, gjuajtja me kokë «rrit rrezikun e dëmtimit në tru dhe e dobësimit të aftësive mendore». Janë vënë re dëmtime ndër amatorët që e gjuanin topin më shumë se 1.000 deri 1.500 herë në vit, që i bie vetëm «pak herë në ditë për një amator që luan rregullisht».
Automjetet hibride, të rrezikshme për këmbësorët
«Grupe për mbrojtjen e të drejtave të këmbësorëve janë ankuar se makinat elektrike hibride vënë në rrezik jetën e këmbësorëve,—thotë Ministria e Transportit e Shteteve të Bashkuara.—Ata shqetësohen se këto makina duken disi më të qeta e nuk bëjnë zhurmë, që këmbësorët dhe ata me biçikletë të kuptojnë se një makinë po u afrohet kur janë në rrugë ose në kryqëzim.» Kjo ministri thotë se «këto makina kanë dy herë më tepër të ngjarë të aksidentojnë këmbësorët» sesa makinat e tjera kur bëjnë manovra të caktuara. Ja pse Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut Rrugor ka propozuar të kërkohet që makinat hibride dhe elektrike të bëjnë ndonjë lloj zhurme kur janë me shpejtësi të ulët.