Një vështrim rreth botës
«Në fillim të vitit 2011, në mbarë botën kishte 5,4 miliardë abonime në telefoninë celulare.»—UN CHRONICLE, SHBA.
Gjatë dekadës së kaluar, «katastrofat shkaktuan më shumë se 780.000 vdekje, e gati 60 për qind të këtyre vdekjeve u shkaktuan nga tërmetet».—THE LANCET, BRITANI.
«Në 20 vitet e fundit, afërsisht 800.000 rusë kanë kryer vetëvrasje.»—ROSSIISKAYA GAZETA, RUSI.
Në Filipine, një vend ku divorci nuk lejohet, numri i grave të moshës 15-49 vjeç që janë të martuara pa kurorë ose që «bashkëjetojnë, është shtuar më shumë se dyfish nga viti 1993 deri në vitin 2008».—THE PHILIPPINE STAR, FILIPINE.
Në Republikën e Gjeorgjisë, «79,2 për qind e popullsisë . . . dëmtohet ngaqë thith tymin e duhanit të të tjerëve». Në kryeqytet, Tbilis, «dëmtohen nga kjo 87,7 për qind e fëmijëve».—TABULA, GJEORGJI.
Turizmi mjekësor në Azi
Gjithmonë e më shumë pacientë nga pjesë të ndryshme të botës po udhëtojnë jashtë vendit për një kujdes mjekësor cilësor, shpesh me një pjesëz të çmimit që do paguanin në vendin e tyre. Në gazetën Business World thuhet se deri më 2015, në Filipine priten një milion «turistë mjekësorë» në vit, e po e njëjta shifër pritet në Korenë e Jugut deri më 2020. Edhe India, Malajzia, Singapori dhe Tajlanda janë vende të lakmuara. Nuk bëhet fjalë vetëm për perëndimorë që kërkojnë shërbimin e ortopedit, kardiologut a të mjekëve tjerëve. Siç thuhet në artikull, edhe shumë kinezë të pasuruar kohët e fundit, shkojnë te kirurgu plastik me fotografitë e «njerëzve të famshëm që duan t’u ngjajnë».
Shumë e për lumë
Teknologjia shpesh i detyron punonjësit të bëjnë njëkohësisht dy a më shumë detyra të ndërlikuara dhe t’u përgjigjen pyetjeve në çast. Mirëpo, «punëtorët që bëjnë shumë gjëra njëherazi, i bëjnë shkel e shko», siç thotë Kliford Nasi, drejtues i Laboratorit të Komunikimit mes Njerëzve dhe Medias Ndërvepruese në Universitetin e Stenfordit, SHBA. Sipas të dhënave, ata që bëjnë disa gjëra njëherësh janë shpesh të stresuar, shpërqendrohen më kollaj nga gjëra të kota, nuk mendojnë thellë, e kështu u shpëtojnë hollësi të rëndësishme. Nasi rekomandon: «Kur nis një punë, për 20 minuta mos bëj asgjë tjetër veç saj. Kjo të stërvit të përqendrohesh, të mendosh thellë.»