Shkaqet e dhunës
Shkaqet e dhunës
RRËNJËT e dhunës zakonisht janë të ndërlikuara. Shpesh nuk përfshihet vetëm një faktor, si për shembull shoqëria, zbavitja ose mjedisi shoqëror. Mund të ndikojnë shumë elemente, si:
Dëshpërimi. Ndonjëherë njerëzit përdorin dhunën kur shtypen, diskriminohen, përjashtohen nga shoqëria, u privohen gjërat e nevojshme ose mendojnë se nuk e kanë në dorë jetën e tyre.
Ndikimi i turmës. Siç shihet shpesh në ngjarjet sportive, kur janë në grupe ose turma, njerëzit duket se frenohen më pak, prandaj sillen keq. Pse? Sepse, siç thotë libri Social Psychology, «i harrojnë normat e tyre morale dhe janë shumë më të prirur të reagojnë dhunshëm ose me agresivitet ndaj gjërave që i provokojnë». Këta, thotë një botim tjetër, mund të bëhen kukulla pa mend që humbasin «çdo ndjenjë përgjegjësie shoqërore».
Urrejtja dhe xhelozia. Vrasja e parë e dokumentuar në historinë njerëzore u krye nga një njeri me emrin Kain. (Zanafilla 4:1-8) I ndezur nga urrejtja dhe xhelozia, Kaini vrau të vëllanë, edhe pse Perëndia e paralajmëroi që të kontrollonte ndjenjat dhe i premtoi se do ta bekonte nëse i bindej. Sa të vërteta janë fjalët e Biblës: «Ku ka xhelozi dhe frymë grindjeje, ka edhe trazirë dhe çdo gjë të poshtër.»—Jakovi 3:16.
Abuzimi me alkoolin dhe drogën. Abuzimi me këto substanca jo vetëm dobëson aftësitë fizike e mendore, por edhe pengon funksionimin e qendrave të kontrollit në tru. Si rezultat, ai që është nën ndikimin e tyre, mund të jetë më i prirur të sillet dhunshëm dhe të reagojë më me agresivitet ndaj provokimeve.
Sistemi tolerant i drejtësisë penale. «Ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq»,—thuhet tek Eklisiastiu 8:11. Sistemet e dobëta, të paafta ose të korruptuara të drejtësisë nxitin dhunën në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Feja e rreme. Feja ka lidhje shpesh me dhunën, përfshirë terrorizmin dhe dhunën sektare. Por, nuk duhen fajësuar vetëm fanatikët dhe ekstremistët. Gjatë dy luftërave botërore, pjesëtarë të feve kryesore—«të krishtere» dhe jo të krishtere—e masakruan njëri-tjetrin, shpesh me bekimin e udhëheqësve të tyre fetarë. Kjo sjellje e fyen Perëndinë.—Titit 1:16; Zbulesa 17:5, 6; 18:24.
A është e mundur të bëhesh njeri paqësor në këtë botë ku ka shumë faktorë që i japin shtysë ose e lartësojnë dhunën? Po, siç do ta shohim tani.
[Kutia në faqen 6]
DHUNA BURON NGA BRENDA
Edhe pse dhuna mund të ketë një sërë shkaqesh, burimi i saj kryesor gjendet brenda nesh. Në ç’kuptim? Jezu Krishti, që e njihte thellësisht zemrën e njeriut, tha: «Nga zemra e njerëzve, dalin arsyetime të dëmshme: kurvëri, vjedhje, vrasje, kurorëshkelje, lakmi, vepra ligësie, mashtrim, sjellje e shthurur, sy ziliqar, blasfemi, fodullëk, paarsyetueshmëri.» (Marku 7:21, 22) I ushqejmë këto prirje të gabuara kur shohim, dëgjojmë ose mendojmë shpesh gjëra të këqija.—Jakovi 1:14, 15.
Nga ana tjetër, kur e mbushim mendjen me gjëra të përshtatshme, si ato që përmenden tek artikulli në faqen 8, nuk i ushqejmë e ‘i bëjmë të vdesin’ dëshirat e këqija dhe kultivojmë dëshirat e mira. (Kolosianëve 3:5; Filipianëve 4:8) Pastaj, Perëndia do të na ndihmojë ‘të bëhemi të fuqishëm në njeriun që jemi përbrenda’.—Efesianëve 3:16.
[Kutia në faqen 7]
EKSPERTËT S’E SHPJEGOJNË DOT
Pse shkalla e vrasjeve në disa vende është 60 herë më e lartë se në vende të tjera? Pse luftërat dhe forma të tjera dhune kanë qenë pjesë e pandarë e historisë njerëzore? Pyetjet që nuk gjejnë shpjegim janë të shumta; përgjigjet bindëse janë të pakta.
Disa studiues thonë se varfëria dhe pabarazia sjellin dhunë. Sipas disa statistikave të vitit 2000, rreth 90 për qind e vdekjeve të dhunshme, përfshirë vetëvrasjet, kanë ndodhur në vendet më pak të zhvilluara dhe shkalla e krimeve në lagjet e varfra të qyteteve shpesh është e lartë. Por, a janë vërtet më të dhunshëm të varfrit? Apo vuajnë më tepër nga dhuna ngaqë komunitetet e tyre nuk paguajnë dot për një polici të fortë? Nga ana tjetër, ka vende si Kalkuta në Indi ku miliona njerëz jetojnë në varfëri ekstreme, e megjithatë ka një shkallë vrasjesh nga më të ulëtat në botë.
Të tjerë mendojnë se shoqëria bëhet më e dhunshme atje ku mund të sigurohen më lehtë armët. Sigurisht, me armë në dorë njerëzit e dhunshëm bëhen më të rrezikshëm. Por, pse në disa shoqëri ka më tepër njerëz të dhunshëm? Edhe për këtë ekspertët nuk bien dakord.