Pikëpamja e Biblës
A ka nevojë të shkoni në një ndërtesë fetare për t’iu lutur Perëndisë?
SHUMË njerëz shkojnë rregullisht në ndonjë ndërtesë fetare për t’iu lutur Perëndisë. Të tjerë bëjnë udhëtime të gjata pelegrinazhi për në vende të tilla. A mendoni se duhet të shkoni në tempull, faltore ose kishë për t’iu lutur Perëndisë? Apo mendoni se mund të flisni me të në çdo vend e në çdo kohë? Çfarë thotë Bibla?
Në fillim të historisë njerëzore, nuk kishte ndërtesa fetare. Shtëpia e prindërve tanë të parë ishte një kopsht i bukur. (Zanafilla 2:8) Që aty kishin mundësi të komunikonin me Krijuesin e tyre, Perëndinë Jehova. Më vonë, ndërsa familja njerëzore shtohej, njerëz të drejtë, si Noeja, ‘ecën me Perëndinë e vërtetë’ dhe këtë e bënë pa ndihmën e ndërtesave fetare. (Zanafilla 6:9) Ata i luteshin Jehovait, e donin dhe ishin të miratuar në sytë e tij.
Perëndia nuk banon në ndërtesa të bëra me dorë
Besnikët e lashtësisë e dinin se Krijuesi i tokës dhe i universit të pafund nuk banon në ndërtesa të bëra me dorë. Mbreti i mençur Solomon pyeti: «Mos vallë do të banojë vërtet Perëndia me njerëzit në tokë?!» Pastaj me të drejtë pranoi: «Ja! Qiejt, po, qiejt e qiejve nuk të mbajnë dot.» (2 Kronikave 6:18) Dihet që izraelitët e lashtë kishin një tabernakull dhe më vonë një tempull ku mblidheshin për festat e përvitshme fetare siç kërkonte Ligji i Perëndisë. (Dalja 23:14-17) E megjithatë mund t’i luteshin Perëndisë në çdo kohë—kur kullotnin kopetë, kur punonin në fusha, kur kalonin kohë si familje ose kur rrinin vetëm.—Psalmi 65:2; Mateu 6:6.
Po kështu, edhe ne mund t’i lutemi Perëndisë në çdo vend e në çdo kohë. Jezu Krishti, modeli që imitojmë, shpesh shkonte në vende të qeta e të veçuara për t’u lutur. (Marku 1:35) Për shembull, njëherë «ai shkoi në mal që të lutej dhe kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë».—Luka 6:12.
Sigurisht, si jude besnik që ishte, Jezui shkonte në festat fetare që mbaheshin në tempullin e Jerusalemit. (Gjoni 2:13, 14) Megjithatë, ai paratha se do të vinte një kohë kur tempulli nuk do të ishte më qendra e adhurimit të vërtetë. Duke folur me një samaritane pranë një mali në Samari, ku bashkëkombësit e saj kishin një tempull, Jezui tha: «Po vjen ora kur ju nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.» Pastaj shtoi se adhuruesit e vërtetë ‘do ta adhuronin Atin me frymë dhe të vërtetë’.—Gjoni 4:21, 23.
Po, gjëja kryesore për Jezuin nuk ishin ndërtesat me llaç e tulla, por adhurimi i vërtetë nga një zemër e sinqertë. Por, a do të thotë kjo se ithtarët e Jezuit, që më vonë u quajtën të krishterë, nuk do të përdornin kurrë ndërtesa fetare në adhurimin e tyre? (Veprat 11:26) Jo, dhe për arsye të forta.
Populli i Perëndisë është një familje
Shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë janë një familje—një familje në besim. (Luka 8:21) Pjesëtarët e një familjeje të mirë bëjnë shumë gjëra bashkë, si për shembull hanë bashkë, dhe kjo forcon lidhjen e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për familjen në besim. Mbledhjet e krishtere janë si një banket, në kuptimin që aty ushqehet njeriu ynë i brendshëm dhe forcohen lidhjet tona me motrat e vëllezërit në besim. Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin.»—Hebrenjve 10:24, 25.
Prandaj, adhuruesit e vërtetë, e pranojnë se kongregacioni ka një rol kyç, pasi ai i jep mundësi çdo pjesëtari të zhvillojë cilësi të krishtere që nuk mund të zhvillohen plotësisht kur je i veçuar. Ndër këto cilësi renditen dashuria, falja, mirëdashja, butësia dhe paqja.—2 Korintasve 2:7; Galatasve 5:19-23.
Ku mblidheshin të krishterët e hershëm për t’u shoqëruar e për të adhuruar Perëndinë? Shpesh takoheshin në shtëpitë e tyre. (Romakëve 16:5; Kolosianëve 4:15) Për shembull, kur po i shkruante një të bashkëkrishteri, apostulli Pavël ia drejtoi letrën edhe ‘kongregacionit që mblidhej në shtëpinë e tij’. *—Filemonit 1, 2.
Po kështu sot, populli i Perëndisë nuk ka nevojë për ndërtesa fetare të zbukuruara, por për vende të rehatshme që mund të mbajnë të gjithë ata që vijnë. Dëshmitarët e Jehovait kanë vende të tilla dhe i quajnë Salla Mbretërie. Në fakt, ka shumë mundësi që të ketë një Sallë Mbretërie në zonën tuaj. Këto ndërtesa janë funksionale e modeste dhe mbledhjet që mbahen atje janë të thjeshta. Gjatë një mbledhjeje këndohet, bëhen lutje dhe shqyrtohet Bibla.
Dëshmitarët e Jehovait i çmojnë momentet që kalojnë vetëm për vetëm me Perëndinë. Prandaj, luten çdo ditë, qoftë si familje, qoftë vetëm. «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet»,—thuhet te Jakovi 4:8.
[Shënimi]
^ par. 13 Fjala greke për «kongregacion» në disa Bibla përkthehet «kishë».
A DONI TË DINI?
● A banon Perëndia në ndërtesa të bëra me dorë?—2 Kronikave 6:18.
● Ku e kaloi Jezui një natë duke u lutur?—Luka 6:12.
● Pse mblidhen së bashku adhuruesit e vërtetë?—Hebrenjve 10:24, 25.
[Diçitura në faqen 15]
A ka më tepër gjasa që lutjet tuaja të dëgjohen në disa vende të caktuara?