Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Pse të shkoj në mbledhjet e krishtere?

Pse të shkoj në mbledhjet e krishtere?

A KËNAQESH NË MBLEDHJE?

PO → VAZHDO TË BËSH GJËRAT QË PO BËN

JO → Ç’MUND TË BËSH?

BIBLA i urdhëron të krishterët të mblidhen bashkë për të adhuruar Perëndinë. (Hebrenjve 10:25) Po nëse nuk i ke me qejf mbledhjet? E nëse të ndodh që ëndërron me sy hapur se çfarë mund të bëje sikur të ishe diku tjetër, kudo qoftë? Bëj ndryshime duke provuar një a më shumë nga sugjerimet në vijim.

1. JI I RREGULLT

Shkrimi kyç: «Disa e kanë prishur zakonin që të mblidhemi për adhurim, por ne nuk duhet ta bëjmë këtë.»​—Hebrenjve 10:25, Contemporary English Version.

Po pse u dashka të jesh i rregullt në diçka që duket se nuk e ke me qejf? Me pak fjalë, se kështu do të të hyjë në qejf. Shihe me këtë sy: sa i zoti mund të bëhesh në një sport dhe sa kënaqësi do të gjesh, sikur të shkosh vetëm tek-tuk në stërvitje? I njëjti parim vlen për mbledhjet e krishtere. Sa më shumë të marrësh pjesë, aq më në formë do të ndihesh frymësisht. Kjo do të të ngjallë dëshirën t’i ndjekësh mbledhjet vazhdimisht.​—Mateu 5:3.

Sugjerime: Pas çdo mbledhjeje, thuaji të paktën një oratori se çfarë vlerësove nga pjesa e tij. Shkruaj në ditar një dobi që pate nga mbledhja. Pastaj, përderisa një pjesë e mirë e materialit është për shërbimin e krishterë, vër si synim të bëhesh më i aftë për t’u folur të tjerëve rreth besimit tënd. Kështu informacionet që trajtohen në mbledhje do të kenë më tepër vlerë për ty.

«Më mësuan që në moshë të njomë se ndjekja e mbledhjeve nuk është sipas qejfit. As kur isha fëmijë s’më shkonte nëpër mend se mund të rrija pa vajtur në mbledhje. Këtë qëndrim e kam të rrënjosur deri sot e kësaj dite.»​—Kelsi.

Përfundimi: Ata që shkojnë rregullisht në mbledhje, i shijojnë më shumë dhe nxjerrin më shumë dobi.

2. KUSHTO VËMENDJE

Shkrimi kyç: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.»​—Luka 8:18.

Studiuesit thonë se në fund të ditës, një dëgjues zakonisht harron rreth 60 për qind të një fjalimi që ka dëgjuar. Sikur të zhdukeshin kaq shpejt edhe paratë, a s’do të bëje diçka që të mos të iknin duarsh?

Sugjerime: Ulu bashkë me prindërit diku në fillim të sallës, ku ka më pak mundësi të shpërqendrohesh. Mbaj shënime. Vërtet, secili ka stilin e vet në të mësuar, por shënimet të ndihmojnë ta mbash mendjen tek oratori, e madje janë një mënyrë e shkëlqyer që t’i kujtosh më vonë disa pika.

«Dikur me zor përqendrohesha në mbledhje, por tani jam përmirësuar. Mundohem të kujtoj arsyen pse jam këtu. Nuk është thjesht një rit, si të shkosh në kishë. Në mbledhje shkoj që të adhuroj Perëndinë dhe të mësoj, pra të marr me vete diçka që më vlen për jetën time.»​—Ketlina.

Përfundimi: Të shkosh në mbledhje e të mos kushtosh vëmendje është sikur të shkosh në një gosti e të mos hash.

3. PËRFSHIHU

Shkrimi kyç: «Njerëzit mësojnë nga njëri-tjetri, ashtu si hekuri mpreh hekurin.»​—Proverbat 27:17, Good News Translation.

Si i ri, ti luan rol të rëndësishëm në mbledhjet e kongregacionit. Kurrë mos e nënçmo vlerën e pranisë dhe të pjesëmarrjes sate, qoftë me anë të një komenti në një pjesë me pyetje e përgjigje, qoftë duke u shoqëruar me bashkëbesimtarët.

Sugjerime: Vër synimin të bësh të paktën një koment në një pjesë me pyetje e përgjigje. Merr iniciativën të ndihmosh në pastrim a në ndonjë punë tjetër që duhet bërë para, gjatë ose pas mbledhjes. Hap bisedën me dikë që zakonisht nuk ke rast të bisedosh.

«Aty nga mesi i adoleshencës, u tregova i gatshëm të mbaja mikrofonat dhe të rregulloja podiumin në mbledhje. Ato përgjegjësi më bënin të ndihesha i dobishëm dhe më nxitnin të ndiqja mbledhjet e të shkoja në orar. Kështu fillova të interesohesha më shumë për gjërat frymore.»​—Majlzi.

Përfundimi: Mos rri duarkryq, por bëj diçka! Gjithmonë kënaqesh më shumë kur merr pjesë, sesa kur je thjesht spektator.

Për më shumë artikuj nga rubrika «Të rinjtë pyesin», mund të shkarkoni numra të tjerë të revistës Zgjohuni! nga adresa e Internetit www.isa4310.com

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

JE I FTUAR!

A do të të pëlqente

● të mësoje të vërtetën për Perëndinë?

● të bëheshe njeri më i mirë?

● të gjeje miqtë më të mirë?

Mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait mund të të ndihmojnë të bësh këto gjëra e shumë më tepër. Dy herë në javë Dëshmitarët e Jehovait mblidhen për të adhuruar Perëndinë në Sallat e Mbretërisë. Nuk mblidhen para dhe vizitorët janë gjithnjë të mirëpritur.

Mos e humb rastin! Sallat e Mbretërisë nuk ngjajnë me asnjë nga vendet fetare ku mund të kesh shkuar. Në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait i jepet shumë rëndësi arsimimit biblik. Atje do të mësosh se si Fjala e Perëndisë të ndihmon ta jetosh jetën në mënyrën më të mirë.​—Ligji i përtërirë 31:12; Isaia 48:17.

Sai​Herën e parë që shkova në Sallën e Mbretërisë, u çudita që nuk kishte idhuj, askush nuk ishte i veshur si prift dhe askush nuk më kërkoi të jepja para. Të gjithë më mikpritën dhe u ndjeva i sigurt. Ajo që u tha në mbledhje kuptohej kollaj dhe ishte logjike. Ja e vërteta që po kërkoja!

Dejanira​Kur shkova për herë të parë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, isha 14 vjeçe. Menjëherë të gjithë më mikpritën. Dukej se për ta prania ime ishte e rëndësishme dhe u interesuan vërtet për mua. Ngaqë ajo përvojë e parë ishte e bukur, nuk kisha ndrojtje të shkoja përsëri.

[Kutia dhe figurat në faqen 22]

Shih çfarë materiali do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme. Zgjidh një pjesë të programit që të intereson dhe . . .

PRITE DHE KOPJOJE

Plotësoji kutitë para mbledhjes.

Titulli i pjesës:

․․․․․

Çfarë dua të di për këtë temë:

․․․․․

Plotësoji kutitë pasi është mbajtur pjesa.

Çfarë mësova:

․․․․․

Cilat pika mund t’i them oratorit se më pëlqyen:

․․․․․