Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Para se të dilnin kompjuterët, [botanistët] e kishin gati të pamundur të bënin hulumtime të hollësishme në literaturë para se t’i vinin emër një lloji të ri, kështu që emrat e përsëritur filluan të bëheshin pirg.» Tani është vërejtur se nga afro një milion emra të regjistruar, të paktën 477.601 janë sinonime.—SCIENCE, SHBA.
«Vetëm 6 për qind e kinezëve e quajnë veten të lumtur.» Sipas një ankete, rreth 39 për qind e të anketuarve mendojnë se «faktori kryesor që ndikon te lumturia» është «pasuria».—CHINA DAILY, KINË.
«Nga një hetim . . . rreth vërtetësisë së statistikave të krimeve në Rusi, u zbulua një ‘falsifikim gjigant’ i shifrave në mbarë vendin.» Organet e rendit akuzohen se janë orvatur të «zbukurojnë fytyrën e vërtetë të krimit» dhe se kanë paraqitur shifra të fryra të çështjeve të zgjidhura.—RIA NOVOSTI, RUSI.
«Një në tre studentë në kryeqytetin e Gjermanisë [Berlin] i konsiderojnë punët që lidhen me seksin [si prostitucioni dhe kërcimet erotike] si mjet për të financuar arsimimin e tyre.»—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, GJERMANI.
Pispillosja e nënave të reja
Mediat shoqërore po ndikojnë në mënyrën se si gratë njoftojnë se kanë lindur. Ndërkohë që gjyshet e tyre dërgonin telegrame, «nënat e reja e përhapin lajmin e gëzuar me anë të Internetit», siç thotë një raport i kanalit televiziv amerikan ABC. Lajmi shpesh shoqërohet me fotografi të nënës e fëmijës pak pas lindjes. Kështu, brezi i ri i grave që janë të fiksuara pas pamjes, bëjnë trajtime kozmetike gjatë shtatzënisë, si trajtime për fytyrën, manikyr dhe pedikyr. «Madje disa marrin masa që t’i shoqërojë në spital një parukiere»,—thuhet në raport. Përse? ‘Që të duken bukur kur të lindin’,—shpjegon Toni Goleni, shefe e pavijonit të lindjeve në Qendrën Mjekësore Beth Israel Deaconess në Boston.
Mbaje trupin në lëvizje, ruaj shëndetin
Studiuesit thonë se qëndrimi i gjatë pa lëvizur në punë, në shkollë ose para televizorit ka lidhje me sëmundjet kronike. «Kur rri ulur, bie me shpejtësi aktiviteti i lipazës së lipoproteinave, enzima falë së cilës muskujt marrin yndyrnat që qarkullojnë në gjak dhe i djegin»,—thuhet në gazetën Vancouver Sun. Sipas gazetës, për të ruajtur shëndetin «nuk mjaftojnë seancat e ushtrimeve kardiovaskulare që bëjnë të të rrahë fort zemra». «Kemi nevojë të bëjmë rregullisht e vazhdimisht aktivitete fizike të lehta e deri me intensitet mesatar, që të mbajmë në punë metabolizmin.»