Familje me njerk që ia kanë dalë mbanë
Familje me njerk që ia kanë dalë mbanë
JO MË NJERËZ QË THJESHT JETOJNË NË NJË SHTËPI
Vajza 20-vjeçare e Filipit, Elisa, jetonte me të atin dhe bënte shumë nga punët e shtëpisë që më parë i bënte mamaja. Pasi Filipi u martua me Luizën, a mund të shkonin mirë njerkë e thjeshtër?
Luiza: Në fillim e kishim shumë të vështirë. Jam mjaft e dhënë pas shtëpisë dhe doja të sigurohesha që të isha unë zonja e shtëpisë.
Elisa: Luiza e sistemoi shtëpinë nga e para dhe hodhi shumë nga gjërat tona. Njëherë, rregullova shtëpinë, por disa gjëra i vura në vendin e gabuar, pasi nuk mbaja mend më se ku duhej të ishin. Luiza u mërzit, u grindëm dhe nuk i fola me gojë për një javë.
Luiza: Në një moment i thashë Elisës: «Nuk e di ku do arrijmë kështu, por s’mund të jetoj në këtë atmosferë.» Më vonë atë mbrëmje, erdhi tek unë dhe më kërkoi falje. E përqafova dhe qamë të dyja.
Elisa: Luiza nuk i hoqi disa nga fotografitë e mia nga muri dhe babi nuk i hoqi abazhurët që kisha vënë në dhomën e ndenjjes. Mund të duken gjëra të vogla, por fakti që nuk i lëvizën më jepte ndjesinë se shtëpia ime nuk ishte transformuar komplet. Gjithashtu, i jam mirënjohëse Luizës për mënyrën si kujdeset për vëllanë tim të vogël kur ai rri me ne. Tani kanë kaluar dy vjet dhe po filloj ta pranoj si pjesëtare të vërtetë të familjes.
Luiza: Ndiej që tani Elisa dhe unë nuk jemi thjesht njerëz që jetojnë në një shtëpi, por edhe shoqe të mira.
«UNITETI ËSHTË MË I RËNDËSISHËM»
Entoni dhe Mariliza kishin nga tre fëmijë kur u martuan gjashtë vjet më parë.
Entoni: Organizojmë gjëra së bashku si familje, si për shembull shkojmë për kamping, dhe kalojmë kohë me secilin nga fëmijët. Na u deshën disa vjet për t’u ndier si familje, por shumica e problemeve tona tani janë sheshuar.
Mariliza: Mendojmë se është e rëndësishme t’i konsiderojmë fëmijët si «tanët» jo si «të tutë e të mitë». Mbaj mend që njëherë e bëra të madhe kur m’u duk se Entoni disiplinoi pa të drejtë një nga djemtë e mi dhe e la vajzën e tij të ulej në vendin e preferuar në makinë. Mësova se në familje uniteti është më i rëndësishëm sesa të ulesh në vendin e parë. Përpiqemi të jemi të drejtë, edhe pse nuk arrijmë t’i trajtojmë të gjithë njësoj.
Gjithashtu, nuk flas për kohët e bukura me familjen e mëparshme, pasi ata që nuk kanë qenë pjesë e saj, do të mendonin se na pëlqente më shumë familja e parë. Por, shpreh mirënjohjen për familjen që kemi tani.
«NË FILLIM I LAVDËROJMË»
Fransisi u martua me Sesiljan katër vjet më parë. Ajo ka tre fëmijë të rritur, kurse ai një djalë adoleshent.
Fransisi: Përpiqem të jem i afrueshëm dhe të mos më mbetet qejfi kollaj. Hamë gjithmonë bashkë dhe përfitojmë nga kjo kohë për të biseduar si familje. Gjithashtu, i nxit të gjithë që të bëjnë punë shtëpie, meqë kjo është në të mirë të të gjithë familjes.
Sesilja: Kaloj kohë me secilin nga fëmijët tanë dhe i dëgjoj teksa më tregojnë se çfarë i frikëson e i acaron. Në mbledhjet si familje, në fillim i lavdërojmë dhe pastaj i inkurajojmë të bëjnë përmirësime. Dhe kur unë bëj ndonjë gabim, e pranoj dhe kërkoj falje me gjithë zemër.
I RRITUR ME DY NJERKË
Juki, 20 vjeç, s’e ka parë më të atin që kur ishte pesë vjeç. E ëma u martua më vonë me Tomonorin, por ajo vdiq kur Juki ishte dhjetë vjeç. Pesë vjet më vonë, pasi njerku i tij, Tomonori, u martua me Miokon, Juki përfundoi me dy njerkë.
Juki: Kur njerku vendosi të martohej prapë, mendova: «Edhe njerka më mungonte! S’mjaftojnë gjithë këto ndryshime që kam pasur në familje?!» Nuk doja ta pranoja këtë situatë dhe sillesha ftohtë me të.
Miokoja: Edhe pse burri nuk më detyronte që ta doja thjeshtrin e tij siç e donte ai, vura synim të krijoja një marrëdhënie me Jukin. Bënim çmos që ai të mos e ndryshonte rutinën e vet, përfshirë veprimtaritë që lidheshin me adhurimin e Perëndisë, zbavitjet dhe darkën e bisedën pas darke. Gjithashtu e kuptova akoma më tepër pasi folëm për humbjen e mamasë së tij.
Kur mbeta shtatzënë, kishim merak për Jukin dhe donim që ai të ndihej i sigurt për vendin që zinte në familje. Juki e ushqente bebin, e lante e i ndryshonte pelenat dhe e lavdëronim para të tjerëve për ndihmën e tij. Itsuki i vogël është mjaft i lidhur me Jukin. Fjala e parë që mësoi të thoshte nuk ishte «babi» ose «mami», por niinii që do të thotë «vëlla i madh».
Juki: Sigurisht, si thjeshtër ndihesh i vetmuar dhe i lënë mënjanë. Mund të përpiqesh t’ua shpjegosh situatën tënde të tjerëve, por nuk arrijnë ta kuptojnë. Gjithsesi, jam i lumtur që të bashkëkrishterët kanë qenë një mbështetje e vërtetë. Mosbesimin që kisha ndaj njerkës, tani nuk e kam më. Ajo më jep këshilla të mira dhe mund të flas me zemër të hapur me të.
[Diçitura në faqen 9]
Ki durim! Familjet me njerk mund të jenë të lumtura dhe të suksesshme