Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i ndihmojmë ata me çrregullime ankthi?

Si t’i ndihmojmë ata me çrregullime ankthi?

Si t’i ndihmojmë ata me çrregullime ankthi?

«Shpesh zemra sa s’më del nga kraharori, më mbulojnë djersë të ftohta dhe mezi mbushem me frymë. Më pushtojnë ndjenja frike, ankthi dhe ndihem e pështjelluar.»—Izabela, një grua në të dyzetat që vuan nga krizat e panikut.

ANKTHI mund të përshkruhet si «një ndjenjë frike ose shqetësimi». Për shembull, a ju ka kapur ndonjëherë frika përballë një qeni të xhindosur? Çfarë ndodh kur ikën qeni? Bashkë me të ikën edhe frika e shqetësimi, apo jo? Po çfarë janë çrregullimet e ankthit?

Ankthi kthehet në çrregullim kur bëhet kronik, domethënë kur vazhdon edhe pasi nuk ka më arsye për të pasur ankth. Sipas një studimi të Universitetit Teknik të Dresdenit, rreth 14 për qind e popullsisë evropiane vuan nga çrregullimet e ankthit. Mendoni për Izabelën, që cituam në fillim të artikullit. Ankthi i vazhdueshëm, siç e përjeton ajo, mund të jetë me pasoja të rënda për të sëmurin.

Përveç tij, edhe familja vuan. Por, situata nuk është e pashpresë. Në një botim të të njëjtit institut thuhet: «Ekzistojnë terapi të efektshme për çrregullimet e ankthit dhe nga studimet po zbulohen trajtime të reja që ndihmojnë shumë njerëz me çrregullime ankthi të bëjnë një jetë produktive dhe të kënaqshme.»

Edhe familja e miqtë mund ta ndihmojnë dikë që vuan nga një çrregullim ankthi. Si?

Si ta ndihmoni?

Mbështeteni: Monika, që vuan nga çrregullimi i ankthit të përgjithshëm dhe stresi post-traumatik, shpjegon për një vështirësi që ka: «Shumë njerëz e kanë të vështirë t’i kuptojnë problemet e mia emocionale.»

Si rezultat, ata që vuajnë nga çrregullimet e ankthit shpesh kanë kaq frikë se mos i keqkuptojnë, sa përpiqen ta fshehin problemin. Kjo mund të sjellë ndjenja faji që e keqësojnë gjendjen e tyre emocionale. Prandaj, është jashtë mase e rëndësishme që familja dhe miqtë t’i mbështetin.

Mësoni më tepër për çrregullimin: Ky sugjerim mund të jetë i përshtatshëm sidomos për ata që kanë lidhje të ngushta me atë që vuan. Këtu bëhet fjalë për anëtarët e familjes ose miqtë e ngushtë.

Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin: Pavli, misionar i shekullit të parë, i nxiti miqtë në qytetin e lashtë të Selanikut në Greqi ‘të vazhdonin të ngushëllonin njëri-tjetrin dhe të ndërtonin njëri-tjetrin’. (1 Selanikasve 5:11) Këtë mund ta bëjmë me fjalë dhe me tonin e zërit. Duhet t’u tregojmë se interesohemi vërtet për mikun tonë dhe duhet t’i lëmë mënjanë hamendësimet lënduese.

Le të marrim shembullin e tre shokëve të rremë të Jobit, një burrë nga i cili mori emrin një nga librat e Biblës. Siç mund ta dini, ata gabimisht nënkuptuan se Jobi në njëfarë mënyre po fshihte ndonjë mëkat dhe se vuajtjet e tij ishin pasojë e kësaj gjëje.

Prandaj, tregoni kujdes për ndjenjat e dikujt që vuan nga ankthi. Dëgjojeni me kujdes. Përpiquni t’i shihni gjërat me sytë e tij, jo me sytë tuaj. Mos arrini në përfundime të nxituara ndërsa flet me ju. Kështu bënë shokët e rremë të Jobit dhe si rezultat u quajtën «ngushëllues të bezdisshëm». Në të vërtetë, e bënë të ndihej më keq.—Jobi 16:2.

Pra, lëreni të shprehet lirshëm se si ndihet. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë se çfarë po kalon. Dhe mendoni për rezultatin e bukur: mund ta ndihmoni të bëjë një jetë më të plotë dhe më domethënëse.

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Llojet e çrregullimeve të ankthit

Është shumë e rëndësishme të dish rreth çrregullimeve të ankthit, sidomos kur këtë problem e ka një pjesëtar i familjes ose një mik i ngushtë. Le të shohim pesë lloje të këtyre çrregullimeve.

Çrregullimi i panikut. E mbani mend Izabelën në fillim të artikullit? Ajo nuk vuan vetëm nga krizat e ankthit. «Në periudhat midis krizave, jetoj me frikën e krizës së ardhshme»,—thotë ajo. Si rezultat, ai që vuan, i shmang vendet ku ka pësuar një krizë. Disa kufizohen aq shumë, sa nuk dalin fare nga shtëpia ose arrijnë të përballen me një situatë të frikshme për ta, vetëm nëse kanë në krah një njeri të besuar. Izabela shpjegon: «Thjesht mendimi se je vetëm të shkakton një krizë. Mami më bën të ndihem e sigurt; nuk bëj dot pa të afër.»

Çrregullimi obsesivo-kompulsiv. Ai që është i fiksuar pas mikrobeve ose pisllëkut, mund të zhvillojë një impuls të fortë për të larë duart pa pushim. Kurse Renani që ka një problem tjetër të ngjashëm, thotë: «Mendjen e kam vazhdimisht të turbulluar ndërsa bluaj e bluaj gabimet e mëparshme, i analizoj për të disatën herë dhe i shoh nga çdo kënd i mundshëm.» Si rezultat personi ka fiksimin t’ua rrëfejë ato të tjerëve. Renani ka nevojë ta sigurosh vazhdimisht. Por mjekimet e kanë ndihmuar që ta mbajë nën kontroll këtë fiksim. a

Stresi post-traumatik (PTSD). Kohët e fundit, ky term është përdorur për të përshkruar një sërë simptomash psikologjike që njerëzit mund të kenë pas një ngjarjeje jashtëzakonisht traumatike ku janë dëmtuar fizikisht ose kanë rrezikuar të dëmtohen. Ata që vuajnë nga ky problem frikësohen shpejt, irritohen, mpihen emocionalisht, humbasin interesin për gjërat që më parë u pëlqenin dhe e kanë të vështirë të ndiejnë dashuri për të tjerët, sidomos për ata me të cilët kanë qenë shumë të lidhur. Disa bëhen agresivë, madje të dhunshëm, dhe kanë prirjen t’i shmangin situatat që u kujtojnë incidentin traumatik.

Fobia sociale ose çrregullimi i ankthit social. Ky është një term që përdoret për ata që janë tepër të ankthshëm dhe jashtëzakonisht në siklet në situatat shoqërore të përditshme. Disa me këtë çrregullim kanë një frikë të madhe dhe të vazhdueshme se mos të tjerët po i shohin ose po i gjykojnë. Shqetësohen për ditë e javë të tëra para se të marrin pjesë në një veprimtari. Frika mund t’u theksohet kaq shumë, sa u bëhet pengesë në punë, shkollë ose veprimtari të tjera të përditshme dhe ua bën të vështirë të zënë shokë e t’i mbajnë.

Çrregullimi i ankthit të përgjithshëm. Monika që përmendëm më parë, vuan nga ky çrregullim. Ajo e kalon ditën plot «shqetësime të tepruara» ndonëse ka pak ose aspak arsye për t’u shqetësuar. Njerëzit me këtë çrregullim mendojnë se do të ndodhë ndonjë fatkeqësi dhe janë tepër të shqetësuar për gjendjen shëndetësore, paratë, problemet familjare ose vështirësitë në punë. Vetëm ideja se kanë një ditë tjetër përpara tyre, mund t’u shkaktojë ankth. b

[Shënimet]

a Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë trajtim mjekësor të veçantë.

b Informacionet e mësipërme bazohen në një botim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Publike.

[Figura në faqen 26]

«Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin»