Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cili është pikësynimi i një prindi?

Cili është pikësynimi i një prindi?

Pikëpamja e Biblës

Cili është pikësynimi i një prindi?

SI DO të donit të bëhej fëmija juaj adoleshent?

A. Një kopje juaja.

B. Një rebel që synon vetëm të bëhet e kundërta e asaj që jeni ju.

C. Një i rritur i përgjegjshëm që merr vendime të mençura.

Disa prindër që zgjedhin mundësinë C, veprojnë si të kishin zgjedhur mundësinë A. Përpiqen t’ia imponojnë fëmijës adoleshent parimet e tyre, si për shembull duke i thënë çfarë karriere të zgjedhë. Me ç’rezultat? Sapo fiton njëfarë pavarësie, turret në drejtim të kundërt. Si për ironi, shumë prindër që mbjellin për mundësinë A, korrin mundësinë B.

Pse dështojnë përpjekjet për ta mbajtur plotësisht nën kontroll?

Ju dëshironi që fëmija të bëhet një i rritur i përgjegjshëm që merr vendime të mençura. Por si ta arrini këtë? Një gjë është e sigurt: Mbajtja nën tutelë nuk është zgjidhje. Le të shohim dy arsye.

1. Mbajtja nën kontroll të plotë, nuk është biblike. Perëndia Jehova i krijoi njerëzit me vullnet të lirë. Ai i lejon njerëzit ta zgjedhin vetë udhën e tyre, e mirë a e keqe qoftë. Për shembull, kur Kaini ushqente një zemërim vrastar për të vëllanë, Abelin, Jehovai i tha: «Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim? Por nëse jo, mëkati po të përgjon te porta dhe digjet nga dëshira për ty. Por ti, a do ta mposhtësh?»​—Zanafilla 4:7.

Vini re se, ndonëse i dha Kainit një këshillë të qartë, Jehovai nuk e detyroi të bindej. Kaini duhej të zgjidhte nëse do ta mposhte zemërimin ose jo. Çfarë mësimi nxjerrim? Përderisa Jehovai nuk përpiqet t’i mbajë plotësisht nën kontroll krijesat e tij duke i detyruar t’i binden, as ju nuk duhet ta bëni këtë me fëmijën tuaj adoleshent. *

2. Mbajtja nën kontroll të plotë zakonisht ka efekt të kundërt. Imagjinoni sikur keni të bëni me një shitës që ju shtyn të blini diçka. Sa më shumë përpiqet t’jua shesë, aq më të vendosur bëheni ju për të mos e blerë. Edhe nëse keni nevojë për atë produkt, prapëseprapë ka të ngjarë që këmbëngulja e tij t’jua heqë dëshirën për ta blerë. Mezi prisni të largoheni prej tij.

Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me fëmijën tuaj adoleshent nëse përpiqeni t’i impononi standardet, bindjet dhe synimet tuaja. A do t’i «blejë» ai? Zor se po. Në fakt, kjo metodë mund të ketë efekt të kundërt, domethënë mund ta shtyjë adoleshentin t’i marrë zët standardet tuaja. Shumë shpesh, përpjekjet e prindërve për ta mbajtur nën tutelë fëmijën, dështojnë. Atëherë, çfarë mund të bëni?

Në vend që të përpiqeni ta mbani nën tutelë duke i imponuar parimet tuaja, siç mund të keni bërë kur ishte i vogël, ndihmojeni të kuptojë sa e mençur është të bëjë atë që është e drejtë. Për shembull, nëse jeni të krishterë, tregojini se si me kalimin e kohës do të jetë edhe më i kënaqur nëse jeton sipas parimeve të Perëndisë.​—Isaia 48:17, 18.

Ndërsa bëni këtë, lini shembullin. Jini personi që do të donit të bëhej fëmija juaj. (1 Korintasve 11:1) Bëjini të qarta parimet në bazë të të cilave keni zgjedhur të jetoni. (Proverbat 4:11) Nëse ai zhvillon dashuri për Perëndinë dhe standardet e Tij, do të marrë vendime të mençura, madje edhe kur të mos jeni me të.​—Psalmi 119:97; Filipianëve 2:12.

Mësojuni aftësi praktike

Siç u përmend edhe në faqen 2 të kësaj reviste, do të vijë dita​—ndoshta më shpejt nga ç’mund të mendoni—​kur vajza ose djali juaj i rritur «do të lërë babanë dhe nënën». (Zanafilla 2:24) Si prindër, doni që fëmija juaj të ketë aftësitë që i duhen për të jetuar si një i rritur i pavarur. Ja disa aftësi që mund ta ndihmoni t’i zhvillojë tani, ndërsa jeton ende me ju.

Punët e shtëpisë. A di fëmija juaj adoleshent të gatuajë, të lajë e të hekurosë rrobat, ta mbajë dhomën e tij të pastër e të rregullt, të mirëmbajë e të bëjë riparimet bazë të një makine? Këto aftësi do ta ndihmojnë vajzën ose djalin të mbajë shtëpinë kur të vijë dita. Apostulli Pavël tha: «Ju vetë e dini se me këto duar jam përkujdesur për nevojat e mia.»​—Veprat 20:34.

Marrëdhëniet me të tjerët. (Jakovi 3:17) Si shkon djali ose vajza juaj adoleshente me të tjerët? A di t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në mënyrë miqësore? A e keni stërvitur t’i trajtojë njerëzit me respekt dhe t’i zgjidhë konfliktet paqësisht? (Efesianëve 4:29, 31, 32) Bibla thotë: «Nderoni njerëzit e çdo lloji.»​—1 Pjetrit 2:17.

Administrimi i parave. (Luka 14:28) A mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë një zanat, t’i përmbahet një buxheti e të shmangë borxhet? A e keni mësuar të kursejë për gjërat që i duhen, të shmangë blerjet impulsive e të jetë i kënaqur me gjërat e nevojshme? (Proverbat 22:7) Pavli shkroi: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»​—1 Timoteut 6:8.

Adoleshentët që mësojnë të jetojnë sipas parimeve të drejta dhe që kanë zhvilluar disa aftësi praktike, janë vërtet të përgatitur për moshën e rritur. Prindërit e tyre e kanë arritur pikësynimin.​—Proverbat 23:24.

[Shënimi]

A DONI TË DINI?

● Çfarë synimi keni si prindër?​—Hebrenjve 5:14.

● Çfarë do të duhet të vendosë vetë fëmija juaj kur të rritet?​—Josiu 24:15.

[Figura në faqen 25]

Si do të donit të bëhej fëmija juaj adoleshent?

Një kopje juaja . . .

Një rebel . . .

Një i rritur i përgjegjshëm