Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të bësh zgjedhje të mençura?

A do të bësh zgjedhje të mençura?

A do të bësh zgjedhje të mençura?

«Muzika që dëgjojnë prindërit e mi, është tmerrësisht e mërzitshme»,—ankohet Xhordani 17-vjeçar. *

«Muzika që dëgjon djali im, është plot ankth e inat»,—ankohet nëna e tij, Denisa.

PSE shpesh ka përplasje midis prindërve dhe fëmijëve adoleshentë në lidhje me muzikën? Një arsye është se shijet tona mund të ndryshojnë me moshën. Një tjetër është se vetë muzika ndryshon. Prandaj, ajo që pëlqehet sot, nesër mund të dalë jashtë mode.

Sidoqoftë, muzika ndikon te ne. A e ke vënë re se si ndikon muzika tek emocionet e tua? Kur mbreti Saul në Izraelin e lashtë ndihej i trazuar, muzika e ëmbël e qetësonte. (1 Samuelit 16:23) Në disa aspekte, këngët mund të jenë si njerëzit me të cilët shoqërohemi. Disa ngjallin te ne ndjenja pozitive, si lumturi dhe dashuri. Kurse disa të tjerë ngjallin ndjenja negative, si zemërim dhe urrejtje.​—Proverbat 13:20.

Ngaqë muzika ka ndikim të fuqishëm, prindërit dhe fëmijët duhet të tregohen të mençur e të jenë përzgjedhës për sa i përket muzikës. Nëse je prind, a i kushton vërtet vëmendje muzikës që dëgjojnë fëmijët e tu, të vegjël apo adoleshentë, dhe kohës që kalojnë me të? A vendos norma?

Kjo nuk do të thotë vetëm t’u ndalosh disa albume ose ndonjë lloj muzike të caktuar. Duhet t’i ndihmosh edhe të zgjedhin alternativa të pranueshme. Në një libër thuhet: «Nuk mund t’i heqësh njeriut diçka që e ka fort për zemër dhe ta lësh vendin bosh. Duhet ta zëvendësosh me diçka tjetër, me diçka të re që të zërë vendin e të mëparshmes, përndryshe do të kthehet tek e vjetra.»​—On Becoming Teenwise.

Një arsye tjetër për t’u shqyrtuar është kjo: sa kohë kalojnë fëmijët duke dëgjuar muzikë? A u merr muzika kohën që duhet të kalojnë me gjëra më të rëndësishme, si detyrat e shtëpisë, veprimtaritë frymore ose përgjegjësitë në shtëpi? Edhe Bibla thotë se «për çdo gjë ka një kohë të caktuar».​—Eklisiastiu 3:1.

Veçimi mund të jetë një problem tjetër. Sigurisht, të gjithë kemi nevojë për privacitet dhe duhet të lëmë kohë për të medituar në qetësi që të mos bëhemi sipërfaqësorë. (Psalmi 1:2, 3) Por, kur e teprojmë, veçimi të bën të përqendrohesh më shumë te vetja dhe të bën egoist. (Proverbat 18:1) Felipe, tani 20 vjeç, e konsideronte kohën që dëgjonte muzikë si ‘kohë të nevojshme për të qëndruar vetëm’. «Por mami,—thotë ai,—kishte merak se po veçohesha.»

Çfarë mund t’i ndihmojë të rinjtë si Felipe dhe prindërit e tij që të shmangin mosmarrëveshjet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët? Si mund të marrim të gjithë vendime të mençura? Shumë kanë parë që parimet biblike mund të ndihmojnë në këtë aspekt. Pse të mos shqyrtosh me fëmijët tri pyetjet e mëposhtme?

Çfarë mesazhi përçon muzika? «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju.» (Efesianëve 5:3) Mjaft këngë kanë tekste të pastra. Kurse disa të tjera, qoftë tërthorazi, qoftë haptazi, miratojnë e madje nxitin sjellje që dhunojnë parime të dobishme, si për shembull parimet biblike. Po, disa rryma muzikore njihen për shthurjen, urrejtjen dhe dhunën. «Tekstet e këngëve rep ndonjëherë janë tronditëse, ndonjëherë brutale, plot urrejtje ndaj grave dhe plot ndyrësi»,—thotë autorja Kerën Stërnhajmër. Tekstet e këngëve hevi metëll shpesh përmbajnë dhunë dhe okultizëm. Edhe popi tradicional mund të nxitë sjellje të diskutueshme. Prandaj, përdor ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’ për të bërë zgjedhje të mençura. (Romakëve 12:1) Mos prano verbërisht një lloj të caktuar muzike vetëm sepse pëlqehet nga shumica apo sepse ka melodi të bukur.

Si ndikon muzika në ndjenjat e mia? «Ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (Proverbat 4:23) Muzika që zgjedh jo vetëm nxjerr në pah personin tënd të brendshëm, por edhe ndikon në mendjen dhe zemrën tënde. «Disa lloj rrymash më mbushnin me zemërim dhe më bënin agresiv»,—thotë Xhordani që përmendëm më parë. Pyet veten: «Si ndikon muzika që dëgjoj në mendimet dhe gjendjen time shpirtërore? A më çlodh dhe përtërin apo më tensionon dhe më mërzit? A zgjon tek unë mendime të papastra?» (Kolosianëve 3:5) Nëse një këngë ngjall ndjenja të padëshirueshme ose ushqen mendime të papastra, tregohu i mençur dhe flake tej. (Mateu 5:28, 29) Hana, 17 vjeçe, thotë: «E kuptoj dëmin që shkakton muzika e keqe dhe nuk dua të kem të bëj fare me të.»

A do të ndikojë muzika te parimet e mia? «Urreni të keqen, doni të mirën»,—thuhet tek Amosi 5:15. Në ditët e sotme, kjo është mjaft e vështirë pasi, siç parashikonin profecitë biblike, njerëzit në përgjithësi janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1-4) Prandaj vargu 5 vazhdon: «Nga këta largohu.»

Si mund të largohesh nga këta lloj njerëzish? Kuptohet, nuk mjafton vetëm t’u qëndrosh larg fizikisht. Duhet edhe të mos pranosh materialet që nxjerrin, të cilat pasqyrojnë rrugët e tyre të paperëndishme. (Efesianëve 4:25, 29, 31) Por, a do të thotë kjo që do të jesh i kufizuar në zgjedhjen e muzikës? Aspak.

Zgjero shijet muzikore

Në mjaft familje, prindërve dhe adoleshentëve u pëlqen të eksplorojnë botën muzikore të njëri-tjetrit. Lena thotë: «Vajza ime 13-vjeçare më ndihmoi të njihja muzikën e saj të preferuar dhe tani më pëlqen ta dëgjoj.» Hedhërit, që është 16 vjeçe, dhe prindërive të saj u pëlqen të dëgjojnë muzikën e njëri-tjetrit dhe e kanë zakon të shkëmbejnë CD-të.

Në mbarë botën, miliona Dëshmitarë të Jehovait të të gjitha moshave dhe kulturave, shijojnë një gamë të gjerë rrymash muzikore, përfshirë edhe meloditë frymore që të japin zemër në librin Këndojini Jehovait. * E megjithatë, këto melodi ndryshojnë nga ajo që njerëzit në disa kultura janë mësuar të dëgjojnë.

Pavarësisht nëse je prind ose adoleshent, kur dëshiron të blesh a të shkarkosh ndonjë pjesë muzikore, pse të mos i bësh vetes këto pyetje: «Kush ma ka dhënë aftësinë ta shijoj muzikën? A nuk është Krijuesi im, Perëndia Jehova? Atëherë si mund t’i tregoj Atij se i vlerësoj vërtet dhuratat që më jep? A nuk do ta bëja këtë duke i mbajtur lart normat e tij për të drejtën dhe të gabuarën ose për atë që është e mençur ose jo e mençur?» Meditimi për këto pyetje do të të ndihmojë ta zgjedhësh me mençuri muzikën, dhe kjo do të gëzojë zemrën tënde dhe të Krijuesit.​—Proverbat 27:11.

[Shënimet]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 17 Mund t’i shkarkoni falas nga adresa e Internetit www.isa4310.com.

[Diçitura në faqen 7]

Disa rryma muzikore njihen për shthurjen

[Diçitura në faqen 8]

Ka një gamë të gjerë rrymash muzikore që mund të shijosh

[Kutia në faqen 7]

Pse bëra ndryshime?

«Vitet e adoleshencës sime ishin vite të mjegulluara nga alkooli, droga dhe dhuna,​—thotë Ashli 24-vjeçar,—​dhe muzika që më bënte ta doja këtë lloj jete, ishte hevi metëll dhe rep. Tekstet profane, plot urrejtje e ritmi i fortë dhe energjik më bënin të ndihesha i fuqishëm. Kjo lloj muzike më bashkoi me shokë që merrnin drogë. Grupet e repit dhe të hevi metëllit ishin idhujt dhe heronjtë tanë.

Megjithatë, shumë shpejt jeta më doli jashtë kontrollit. Kur isha 17 vjeç, për pak sa s’vdiqa nga një mbidozë droge. Kur u përmenda, iu luta Perëndisë për ndihmë. Njëherë, një djalë më kishte thënë se emri i Perëndisë është Jehova dhe mendja më shkoi te Dëshmitarët e Jehovait. Prandaj mora numeratorin telefonik, u telefonova Dëshmitarëve dhe fillova të studioja Biblën me ta.

Hoqa dorë nga veset e këqija dhe e flaka muzikën që dëgjoja. Por kur i hodha CD-të në koshin e plehrave, po rrija e po i shihja. S’më bënte zemra t’i hidhja. Por i thashë vetes se ishte pikërisht ajo muzikë dhe veset e mia që po më merrnin në qafë. U ktheva kurrizin dhe ika.

Sot, vite më vonë, akoma më tërheq muzika hevi metëll dhe rep. Prandaj i shmang si të ishin drogë. Tani shijoj shumë rryma të tjera muzikore, si për shembull baladat, rokun e lehtë dhe muzikën klasike. Por mbi të gjitha, tani e kam jetën time nën kontroll.»

[Kutia në faqen 9]

Këshilla të dobishme për prindërit

A ka ndonjë gjë në muzikën që dëgjon vajza ose djali yt që të shqetëson? Si mund ta ndihmosh pa filluar një luftë? Shqyrto këto sugjerime:

Informohu! Para se të flasësh, njih faktet. Dëgjoje muzikën, vëru veshin fjalëve, analizo kapakun e CD-së ose kontrollo në Internet faqen e grupit muzikor dhe shih videoklipet e tyre. Pyet veten: «A ka arsye për t’u shqetësuar apo është thjesht çështje shijesh?» Bibla thotë: «Njerëzit e mençur mendojnë para se të flasin; pastaj ajo që thonë është më bindëse.»​—Proverbat 16:23, Today’s English Version.

Trego aftësi dalluese! Muzika mund të të ndihmojë të kuptosh se çfarë bën, mendon ose ndien fëmija yt. Me terezi kupto mënyrën se si ndihet. Pyete: «Çfarë të pëlqen te kjo muzikë? A shpreh ato gjëra që të shqetësojnë?» Pastaj dëgjoje me kujdes. Proverbat 20:5 thotë: «Qëllimet në zemrën e njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.»

Jepi mësime ndërtuese! Qëllimi yt nuk duhet të jetë vetëm ta bësh fëmijën ta hedhë një CD të papërshtatshme. Përkundrazi, duhet t’i stërvitësh «aftësitë perceptuese . . . për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën» në mënyrë që të marrë vendime të mençura vetë. (Hebrenjve 5:14) Prandaj, lëri fëmijës një trashëgimi të përhershme: mësoje të bëjë kërkime dhe të arsyetojë në bazë të parimeve biblike. Në këtë mënyrë, do ta ndihmosh të zhvillojë aftësinë për të menduar dhe mençurinë hyjnore, të cilat janë shumë më të çmuara se gjithë ari i botës.​—Proverbat 2:10-14; 3:13, 14.

Ji i vendosur, i dhembshur dhe mirëdashës! ‘Vishu me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.’ (Kolosianëve 3:12) Kur të arsyetosh me fëmijën, mos ji strikt dhe debatues. Mos harro se edhe ti njëherë e një kohë ke qenë adoleshent.

[Figura në faqen 8]

Mbaj norma të larta kur zgjedh muzikën