Jetë pa vuajtje—Një premtim i besueshëm
«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.
A MUND t’i besojmë këtij premtimi që të ngroh zemrën? Të mendojmë pak për një nga paralajmërimet e para që mori njeriu. Perëndia i tha Adamit se, po të mos i bindej, ‘kishte për të vdekur’. (Zanafilla 2:17) E ndodhi tamam siç kishte thënë Perëndia. Vdekja e Adamit, bashkë me vdekjen dhe vuajtjet që ka trashëguar njerëzimi brez pas brezi, dëshmojnë se Perëndia është i denjë t’i besojmë. Atëherë, a ka ndonjë arsye për të dyshuar se nuk do të plotësohet premtimi i Perëndisë që ta kthejë tokën në gjendje të përsosur?!
Të mos harrojmë edhe cilësitë e Perëndisë, për të cilat u fol në artikullin e mëparshëm. Dëshira jonë që vuajtjet të mbarojnë, thjesht pasqyron dhembshurinë, dashurinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Veç kësaj, ngjarjet botërore dhe qëndrimet e përhapura sot provojnë se po afrohet me të shpejtë koha kur Perëndia do të veprojë.—Shih kutinë «Kur do të ndodhin këto gjëra?»
Pse Perëndia Jehova është plotësisht i aftë t’u japë fund vuajtjeve? Vëreni se si ai—nëpërmjet Birit të tij, Jezuit—është në gjendje dhe ka marrë masa t’i ndreqë shkaqet rrënjësore të vuajtjeve.
Vendimet personale.
Paraardhësi ynë, Adami, mori një vendim që i solli pasoja të rënda tërë pasardhësve të tij. Apostulli Pavël shkroi: «E gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Romakëve 8:22) Zgjidhja që dha Perëndia, pasqyronte drejtësi e mëshirë të pamasë, por ishte edhe mjaft e thjeshtë. Te Romakëve 6:23 shpjegohet: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»
Njeriu i përsosur Jezu bëri një jetë pa mëkat. Vdekja e tij në shtyllë torture siguroi çlirimin e njerëzve të bindur nga mallkimi i mëkatit dhe i vdekjes. Sot para nesh shpaloset perspektiva e jetës pa fund në një botë ku nuk do të ekzistojnë më prirjet mëkatare që çojnë në vendime të pamenda. Do të jenë zhdukur edhe ata që me dashje u shkaktojnë vuajtje të tjerëve, sepse «keqbërësit do të shfarosen».—Psalmi 37:9.
Rastësia dhe papërsosmëria.
Jezu Krishti, Mbreti që ka caktuar Perëndia, ka pushtet mbi forcat e natyrës. Në shekullin e parë të e.s., Jezui dhe apostujt e tij ndodheshin në një barkë peshkimi kur «shpërtheu një stuhi e egër dhe e fortë, dhe dallgët e përplasnin barkën, aq sa ajo po mbushej». Kur i kërkuan ndihmë, Jezui u ngrit, «qortoi erën dhe i tha detit: ‘Pusho! Marku 4:37-41.
Hesht!’ Era ra dhe u bë një qetësi e madhe.» Apostujt u befasuan dhe thanë: ‘Këtij i binden edhe era dhe deti.’—Nën sundimin e Jezuit, njerëzit e bindur ‘do të banojnë të sigurt dhe të patrazuar nga tmerri i gjëmës’. (Proverbat 1:33) Kjo përfshin edhe gjëmat që vijnë nga katastrofat natyrore. Veç kësaj, keqadministrimi i tokës, teknikat e pasigurta të ndërtimit, shpërfillja e forcave të natyrës, si edhe gabime të tjera të njerëzve, nuk do të ekzistojnë më. Askush nuk do të vuajë më ngaqë gjendet në vendin e gabuar në momentin e gabuar.
Kur ishte në tokë, Jezui zbuloi një tjetër aspekt të sundimit të tij që mund të fshijë çdo vuajtje që heqim sot nga ngjarjet e rastësishme, të paparashikuara. «Unë jam ringjallja dhe jeta»,—tha ai. (Gjoni 11:25) Vërtet, Jezui ka fuqinë dhe dëshirën t’i kthejë në jetë ata miliona që kanë vdekur tragjikisht nga katastrofa natyrore. Mos është një premtim bosh? Me ringjalljet që bëri kur ishte në tokë, Jezui na e forcoi besimin tek ai. Tri nga ato ringjallje janë dokumentuar në Bibël.—Marku 5:38-43; Luka 7:11-15; Gjoni 11:38-44.
«Sundimtari i kësaj bote.»
Perëndia e ka caktuar Krishtin Jezu ‘të asgjësojë atë që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, domethënë Djallin’. (Hebrenjve 2:14) Jezui deklaroi: «Ka një gjykim për këtë botë. Tani sundimtari i kësaj bote do të dëbohet.» (Gjoni 12:31) Ai ‘do t’i zhbëjë veprat e Djallit’ duke hequr ndikimin e Djallit në çështjet e njerëzimit. (1 Gjonit 3:8) Përfytyroni sa ndryshe do të jetë shoqëria njerëzore kur të zhduket fryma e lakmisë, korrupsionit dhe egoizmit që nxit Djalli!