Pse urrehen dishepujt e vërtetë të Jezuit?
Pikëpamja e Biblës
Pse urrehen dishepujt e vërtetë të Jezuit?
«Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin, dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.»—MATEU 24:9.
JEZUI i tha këto fjalë vetëm pak ditë para se ta vritnin mizorisht. Natën para vdekjes u tha apostujve besnikë: «Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20, 21) Pse vallë njerëzit do t’i urrenin ata që i binden Jezuit dhe përpiqen ta imitojnë? Tekefundit, ai nuk e kurseu veten për të mirën e të tjerëve, duke ngushëlluar të varfrit e duke u dhënë shpresë të nëpërkëmburve.
Bibla i tregon haptas shkaqet konkrete të kësaj urrejtjeje. Kur mendojmë pak për to, e kuptojmë pse ata që i binden Krishtit sot hasin thuajse të njëjtin kundërshtim si ai.
Kundërshtarë nga padija
Jezui u tha dishepujve të vet: «Po vjen ora kur ata që do t’ju vrasin, do të kujtojnë se i kanë bërë shërbim të shenjtë Perëndisë. Por këto gjëra do t’i bëjnë, sepse nuk kanë arritur të njohin as Atin, as mua.» (Gjoni 16:2, 3) Domosdo, shumë përndjekës pretendonin se i shërbenin të njëjtit Perëndi që i shërbente Jezui, mirëpo ndikoheshin nga bindjet e rreme fetare dhe traditat. Ata kishin «zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Një nga kundërshtarët ishte Sauli nga Tarsi, i quajtur edhe Pavël, që më vonë u bë apostull i krishterë.
Sauli i përkiste grupit të farisenjve, një sekti jude me influencë dhe i fuqishëm politikisht, që i kundërvihej krishterimit. Më vonë, Sauli pranoi: «Isha blasfemues, përndjekës dhe i pacipë.» Gjithashtu, tha: «Isha në padije dhe veproja me mungesë besimi.» (1 Timoteut 1:12, 13) Megjithatë, pasi mësoi të vërtetën për Perëndinë dhe Birin e Tij, ndryshoi sakaq.
Kështu ka ndodhur edhe sot me shumë ish-përndjekës. Madje disa prej tyre, ashtu si Sauli, i provuan në kurriz përndjekjet. Gjithsesi, nuk e kthyen të keqen me të keqe, por ndoqën këshillën e Jezuit: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44) Dëshmitarët e Jehovait bëjnë çmos të veprojnë sipas këtyre fjalëve, plot shpresë se të paktën disa kundërshtarë do të ndryshojnë qëndrim, siç ndodhi me Saulin.
Kundërshtarë smirëzinj
Shumë njerëz e kundërshtonin Jezuin nga smira. Për shembull, guvernatori romak Ponc Pilati «e dinte mirë që krerët e priftërinjve e kishin dorëzuar [Jezuin] nga zilia» dhe donin të vihej në shtyllë. (Marku 15:9, 10) Pse krerët fetarë judenj e kishin zili Krishtin? Një arsye ishte popullariteti që gëzonte mes njerëzve të thjeshtë, të cilët krerët fetarë i shihnin me përbuzje. Farisenjtë qaheshin: «Bota po shkon pas tij.» (Gjoni 12:19) Po ashtu, kur njerëzit më vonë e mirëpritnin mesazhin që predikonin dishepujt e Krishtit, kundërshtarët fetarë prapë «vlonin nga xhelozia» dhe ia shfrenin inatin ungjillëzuesve të krishterë.—Veprat 13:45, 50.
Kishte edhe armiq që u vinte plasja kur shihnin sjelljen e mirë të shërbëtorëve të Perëndisë. Apostulli Pjetër u tha bashkëbesimtarëve: 1 Pjetrit 4:4) Ky qëndrim negativ vërehet edhe sot. Natyrisht, ndërkohë që shmangin sjelljen e gabuar, të krishterët e vërtetë nuk hiqen si më të drejtë ose më të mirë se të tjerët. Kjo do të ishte e papranueshme për një të krishterë, pasi të gjithë njerëzit mëkatojnë dhe kanë nevojë për mëshirën e Perëndisë.—Romakëve 3:23.
«Meqë nuk vazhdoni të vraponi me ta [të ligjtë] në këtë udhë, drejt të njëjtit batak shfrenimi, atyre u vjen çudi dhe vazhdojnë t’ju shajnë.» (Të urryer ‘ngaqë nuk janë pjesë e botës’
«Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë»,—thotë Bibla. (1 Gjonit 2:15) Për çfarë bote e kishte fjalën apostulli Gjon? Për njerëzimin e larguar nga Perëndia dhe të nënshtruar ndaj Satanait. Ai është «perëndia i kësaj bote».—2 Korintasve 4:4; 1 Gjonit 5:19.
Mjerisht, disa nga ata që e duan botën dhe rrugët e saj të liga, u kundërvihen atyre që përpiqen të jetojnë sipas mësimeve biblike. Ja pse Jezui u tha apostujve të tij: «Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e veta. Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, bota ju urren.»—Gjoni 15:19.
Sa e trishtueshme që shërbëtorët e Jehovait urrehen se nuk e duan një botë plot korrupsion, padrejtësi e dhunë ku sundon Satanai! Shumë njerëz të sinqertë dëshirojnë ta bëjnë botën një vend më të mirë, por nuk maten dot me sundimtarin e saj të padukshëm. Vetëm Perëndia Jehova është në gjendje ta zhdukë Satanain dhe do ta bëjë këtë, duke e asgjësuar sikur ta përpijë zjarri!—Zbulesa 20:10, 14.
Kjo perspektivë e mrekullueshme është pjesë thelbësore e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’. Dëshmitarët e Jehovait po e shpallin anekënd botës këtë lajm të çmuar. (Mateu 24:14) Ata janë të bindur se vetëm Mbretëria e Perëndisë, qeveria e tij që drejtohet nga Krishti, do të sjellë paqe dhe lumturi të përhershme në tokë. (Mateu 6:9, 10) Prandaj, do të vazhdojnë ta shpallin Mbretërinë, sepse për ta ka shumë më tepër rëndësi miratimi i Perëndisë sesa i njerëzve.
A DONI TË DINI?
● Pse Sauli nga Tarsi u kundërvihej dishepujve të Krishtit?—1 Timoteut 1:12, 13.
● Ç’qëndrim i keq i motivonte disa armiq të Jezuit?—Marku 15:9, 10.
● Ç’pikëpamje kanë të krishterët e vërtetë për botën?—1 Gjonit 2:15.
[Figura në faqen 21]
Më 1945, Dëshmitarët e Jehovait duruan dhunën e turmave në Kuebek, Kanada, se predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë
[Burimi]
Me mirësjellje nga Canada Wide