Kërkonin ar, gjetën shtëpi
Kërkonin ar, gjetën shtëpi
LAGJJA kineze ose ndryshe Çaijnatauni. Në shumë vende të botës, kjo fjalë të sjell në mendje imazhe plot jetë të dyqaneve, restoranteve e festave kineze, si edhe të kërcimeve të dragoit. Megjithatë, çdo Çaijnataun ka historinë e vet. Sot, ato në Australi, u detyrohen pa masë brezave të hershëm të emigrantëve kinezë të guximshëm, të cilët erdhën në këto brigje jugore me shpresë që të pasuroheshin nga burimet e sapozbuluara të arit.
Mal Ari i Ri
Mërgimi i kinezëve në Australi në fillim ishte si një shi i lehtë por, në vitin 1851, kur u zbulua ari, u shndërrua në një rrebesh. Mijëra burra lanë deltën e lumit Perlë në provincën Guangdong të Kinës për një lundrim të vështirë drejt jugut. Ari ishte zbuluar më parë në Kaliforni të SHBA-së, dhe kinezët që flitnin gjuhën kantoneze i kishin quajtur ato burime Mal Ari. Prandaj, burimet e arit në Australi, u quajtën Mal Ari i Ri.
Nuk ishte thjesht shpresa për të gjetur ar që i nxiti burrat të linin vendin e tyre. Kinën e kishin goditur lufta civile, katastrofat natyrore dhe varfëria, të cilat i sollën mjaft vështirësi.
Tragjikisht, disa nga pionierët që ishin nisur drejt Australisë, vdiqën pa i parë me sy brigjet e saj. Vdiqën nga sëmundjet që pllakosën anijet e tejmbushura në këtë udhë të gjatë. Por edhe për të mbijetuarit, jeta nuk ishte aspak e lehtë kur më në fund mbërritën në vendin e ri.
Robtohen në miniera
Sipas traditës, gratë dhe fëmijët duhej të qëndronin në Kinë që të mos humbnin emrin në trungun e të parëve, ndaj shpejt vetmia u bë shoku i pandarë i këtyre burrave. Më 1861, në Australi jetonin mbi 38.000 burra kinezë
dhe vetëm 11 gra. Sidoqoftë, pak kishin planifikuar të rrinin atje. Pjesa më e madhe ishin të vendosur të ktheheshin në shtëpi dhe pranë familjeve, me pasuri e nder.Kjo dëshirë i shtyu të shkonin në kërkim të arit. Arkërkuesit jetonin në tenda dhe robtoheshin për orë të tëra nën diellin përvëlues. Disa, të paktën në fillim, kishin frikë të gërmonin nën dhé për shkak të besëtytnive. Prandaj, filluan të gërmonin e të lanin në tava dheun që gjendej në sipërfaqe, duke shpëlarë mbetjet në ulluqe arlarëse prej druri. Përpjekjet e tyre dhanë fryt. Regjistrimet tregojnë se në vitet 1854-1862, në Kinë u dërgua 18.662 kg ar që u gjet në shtetin e Viktorias.
Mjerisht, një pjesë të pasurisë së sapogjetur këta emigrantë e prishën në bixhoz e për opium, vese në të cilat të vetmuarit binin më kollaj. Shumë shpesh, si pasojë u dëmtohej shëndeti dhe humbitnin si fitimet, edhe shpresën për t’u kthyer në shtëpi. Disa i ndihmuan organizata kineze dhe individë mirëbërës, por të tjerë vdiqën para kohe, në mjerim dhe të vetmuar.
Gjithashtu, kinezët duhej të përballonin edhe xhelozinë dhe dyshimin e arkërkuesve të
tjerë jokinezë, të cilët i shihnin këta të huaj si një komunitet konkurrues kompakt e të suksesshëm. Kjo e keqe do të çonte në trazira e sulme ndaj kinezëve. U grabitën arin dhe u dogjën tendat e ushqimet. Në fund, kjo armiqësi u pakësua. Prapëseprapë, rreth 50 vjet pas zbulimit të arit, Ligji për Kufizimin e Imigrimit të vitit 1901, u mbylli derën imigrantëve aziatikë drejt Australisë, derë që nuk u hap deri më 1973.Kur ari reshti
Kur minierat nuk prodhonin më, disa kinezë zgjodhën të rrinin në Australi. Si rrjedhojë, qytetet që kishin lindur gjatë kohës së etheve të arit, u mbushën me lavanderi, restorante e ferma perimesh të kinezëve. Ata bënë emër edhe si prodhues mobiliesh dhe tregtarë frutash e perimesh të freskëta. Si rezultat, nga fundi i shekullit të 19-të, komunitetet kineze, ose Çaijnataunët, mund të gjendeshin në shumë qytete të Australisë, përfshirë Athertonin, Brisbeinin, Brumin, Darvinin, Kernsin, Melburnin, Sidnejin dhe Taunsvillin.
Ngaqë në Australi erdhën vetëm pak gra nga Kina, mjaft burra mbetën beqarë. Megjithatë, disa prej tyre u martuan me australiane, pavarësisht nga paragjykimet ndaj lidhjeve të tilla. Me kalimin e kohës, pasardhësit e këtyre martesave u bënë pjesë e shoqërisë australiane.
Sot, në Australi ka më shumë emigrantë kinezë se kurrë më parë. Shumica vijnë që të arsimohen më tej dhe të merren me biznes. Për më tepër, mes emigrantëve ka shumë gra. Nga ndryshimet ekonomike botërore, rolet kanë ndryshuar në mënyrë të çuditshme. Tani, mjaft kryefamiljarë, i lënë familjet në Australi e shkojnë në Azi për të punuar në Hong-Kong, Kinë, Singapor ose Tajvan.
Po, kohët kanë ndryshuar. Megjithatë, emigrantët në mbarë botën kanë pothuaj të njëjtat synime: të gjejnë siguri dhe të arrijnë sukses në një vend të huaj.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
MË TUTJE NGA Ç’MENDONIN
Që të shmangnin taksat e zbarkimit, pasagjerët kinezë zbarkonin gjatë bregut australian larg porteve kryesore dhe qindra kilometra nga minierat e arit. Robi, në Australinë e Jugut, ishte një nga këto vende. Në vitin 1857 ai kishte 100 deri 200 banorë, por vetëm brenda pesë muajve, në të kaluan të paktën 12.000 kinezë.
Me një qëndrueshmëri e bashkëpunim të jashtëzakonshëm, grupe me qindra burra hynin në brendësi të vendit e kalonin nëpër zona me popullsi të rrallë. Megjithatë, udhëtimi drejt minierave të arit zgjaste më shumë se ç’mendonin, deri në pesë javë. Para se të niseshin, emigrantët mblidhnin leshterikë, kurse, kur ishin në rrugë, hanin mish kanguri e vombati. Gjithashtu, gërmonin puse dhe linin gjurmë për të tjerët që do të vinin më pas.
Me bishtalecët tipikë dhe me kapelën karakteristike prej kashte, burrat shpesh ecnin në rresht me hapa të vegjël e të shpejtë, duke kënduar. Në udhën që përshkuan, janë gjetur monedha kineze. Të sapoardhurit i hidhnin ato kur mësonin se në Australi s’kishin vlerë.
[Burimi]
Image H17071, Biblioteka Shtetërore e Viktorias
[Kutia dhe figura në faqen 21]
DIÇKA MË E MIRË SE ARI
Ueijn Çu ishte shkencëtar mjedisi në Akademinë e Shkencave të Kinës. Për të bërë karrierë, ai bashkë me të shoqen, Sunë, shkuan në Evropë gjatë viteve 90 për t’u arsimuar më tej. Kur ishin atje, takuan Dëshmitarët e Jehovait dhe biseduan për Biblën. Në vitin 2000, Ueijni dhe Suja u transferuan në Australi. Atje që të dy vazhduan studimet, Suja për biologji molekulare. Po ashtu rifilluan edhe studimin e Biblës.
Uejni shpjegon: «Kishim harxhuar dekada nëpër universitete për të marrë tituj. Megjithatë, i thosha vetes: ‘Në fund të fundit, të gjithë plakemi, sëmuremi e vdesim. Ky është qëllimi i jetës?!’ Dukej se çdo gjë ishte e kotë. Mirëpo, Bibla na ka dhënë të dyve përgjigje logjike e të kënaqshme për pyetjet më të rëndësishme të jetës.
Studimi i Biblës na ka bërë të shqyrtojmë edhe një koncept që kurrë më parë nuk e kishim marrë në konsideratë, ekzistencën e një Krijuesi. Lexova librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, botuar nga Dëshmitarët, si edhe veprën e Çarls Darvinit për evolucionin. Këto, bashkë me kërkimet e mia shkencore, më bindën se ka një Krijues. Edhe Suja ka arritur në të njëjtin përfundim.
Diçka tjetër që na ka bindur se ka një Perëndi, është fuqia e Biblës për të ndryshuar jetën për mirë. Në fakt, ky libër i jashtëzakonshëm nuk na ka dhënë thjesht një shpresë për të ardhmen, por edhe miq të vërtetë e një martesë më të fortë. Suja dhe unë u pagëzuam në vitin 2005, të kënaqur që kishim gjetur diçka më të vyer se arsimimi i lartë e ‘ari që prishet’.»—1 Pjetrit 1:7.
[Figura në faqen 19]
Minierë ari kineze e viteve 60 të shekullit të 19-të
[Burimet e figurave në faqen 19]
Lagje kineze në Sidnej: © ARCO/G Müller/age fotostock; minierë ari: Biblioteka Xhon Oksli, Image 60526, Biblioteka Shtetërore e Kuislandit