Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia më ka ngushëlluar në të gjitha sprovat

Perëndia më ka ngushëlluar në të gjitha sprovat

Perëndia më ka ngushëlluar në të gjitha sprovat

Treguar nga Viktoria Kojoi

Një mjek i tha mamasë: «S’kemi ç’i bëjmë më vajzës tënde. Do t’i duhet të përdorë paterica dhe pajisje ortopedike për këmbët për gjithë jetën.» U trondita jashtë mase. Çfarë jete do të bëja nëse nuk do të mund të ecja?

LINDA më 17 nëntor të vitit 1949 në Tapaçula të Çiapasit, Meksikë. Isha një fëmijë i qeshur e i shëndetshëm, e para nga katër fëmijët. Por kur isha gjashtë muajshe, papritur nuk mund të ecja dot më këmbadoras dhe mezi lëvizja. Dy muaj më vonë, nuk mund të lëvizja fare. Mjekët e qytetit tonë u habitën, pasi edhe fëmijë të tjerë në Tapaçula kishin simptoma të ngjashme. Prandaj, erdhi një ortoped nga qyteti i Meksikos dhe na vizitoi. Diagnoza jonë ishte: poliomielit.

Kur isha tre vjeçe, u operova në kërdhokull, gjunjë dhe kyçet e këmbëve. Më vonë, më filluan problemet me shpatullën e djathtë. Në moshën 6-vjeçare, më çuan në qytetin e Meksikos që të vazhdoja trajtimin në një spital fëmijësh. Mamaja punonte në një fermë në Çiapas, kështu që në qytetin e Meksikos rrija te gjyshja. Megjithatë, shumicën e kohës qëndroja në spital.

Aty nga mosha 8-vjeçare, u përmirësova disi. Por më vonë u bëra më keq, derisa nuk mund të lëvizja më me këmbët e mia. Atëherë mjekët thanë se duhej të përdorja paterica dhe pajisje ortopedike për gjithë jetën time.

Deri në moshën 15-vjeçare, kisha bërë 25 operacione. Këto ndërhyrje ishin në shtyllën kurrizore, në këmbë, gjunjë, kyçet e këmbëve dhe gishtat e tyre. Pas çdo operacioni, kaloja një periudhë rehabilitimi. Pas një operacioni, m’i futën këmbët në allçi. Kur hoqa allçinë, më duhej të bëja ushtrime që më dhembnin në shpirt.

Gjej ngushëllim të vërtetë

Kur isha 11 vjeçe, mamaja më erdhi në spital gjatë kohës që merrja veten pas një operacioni. Ajo kishte mësuar se Jezui kishte shëruar të sëmurët e madje kishte bërë një të paralizuar të ecte. Më dha një kopje të Kullës së Rojës, revistë e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, nga e cila kishte mësuar këto gjëra. E fsheha poshtë jastëkut, por kur e kërkova një ditë, ishte zhdukur. Infermieret e kishin gjetur dhe e kishin marrë. Më bërtitën që e lexoja.

Gati një vit më vonë, mamaja erdhi përsëri nga Çiapasi për të më parë. Në këtë kohë kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët. Më solli librin Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar. * Ajo më tha: «Nëse do që të jetosh në botën e re të premtuar nga Perëndia, ku Jezui do të të shërojë, duhet të studiosh Biblën.» Kështu, me gjithë kundërshtimet e gjyshes, kur isha 14 vjeçe fillova të studioja me Dëshmitarët. Vitin pasues më thanë se duhej të largohesha nga spitali, sepse ishte vetëm për fëmijë.

Përballoj vështirësitë

Isha shumë e dëshpëruar. Për shkak të kundërshtimeve të gjyshes, m’u desh të kthehesha në Çiapas dhe të jetoja me prindërit. Në shtëpi kishim probleme, sepse babai ishte i alkoolizuar. Për ca kohë, nuk shihja asnjë arsye për të jetuar. Doja të helmoja veten. Por ndërsa vazhdoja studimin e Biblës, ndryshova pikëpamje. Premtimi i Biblës për një tokë parajsore, më bënte të lumtur.

Fillova t’u flisja të tjerëve për shpresën e mrekullueshme që jep Bibla. (Isaia 2:4; 9:6, 7; 11:6-9; Zbulesa 21:3, 4) Më 8 maj 1968, kur isha 18 vjeçe, u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait. Që nga viti 1974, kam kaluar mbi 70 orë në muaj duke folur me të tjerët për shpresën që më riktheu dëshirën për të jetuar.

Një jetë e frytshme dhe e kënaqshme

Pas ca kohësh, unë me mamanë shkuam për të jetuar në qytetin e Tihuanës, afër kufirit midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Jetojmë bashkë në një shtëpi të përshtatur për nevojat tona. Tani për tani mund të lëviz nëpër shtëpi me paterica e pajisje ortopedike dhe përveç tyre përdor një karrige me rrota kur gatuaj, laj e hekuros rrobat. Kurse kur dal në shërbim, përdor një karrocë elektrike që është përshtatur për nevojat e mia.

Përveçse u flas njerëzve në rrugë ose në shtëpitë e tyre për mësimet biblike, shkoj rregullisht edhe në një spital aty afër ku bisedoj për Biblën me ata që presin të bëjnë vizitat mjekësore. Kur mbaroj me ta, shkoj me karrocën elektrike në treg për të blerë gjërat e nevojshme dhe pastaj kthehem në shtëpi për të ndihmuar mamanë me gatimin dhe punët e shtëpisë.

Për të plotësuar nevojat financiare, shes rroba të përdorura. Tani mamaja është 78 vjeçe dhe është e kufizuar nga ana shëndetësore, sepse ka kaluar tre infarkte në zemër. Kështu që më duhet të kujdesem për ilaçet dhe dietën e saj ushqimore. Pavarësisht nga kufizimet shëndetësore, bëjmë çmos që të mos mungojmë në mbledhjet e kongregacionit. Më tepër se 30 veta me të cilët kam studiuar Biblën gjatë viteve, tani marrin pjesë në shërbimin e krishterë.

Jam e bindur për përmbushjen përfundimtare të premtimit të Biblës që thotë: «[Në botën e re të Perëndisë] i çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre.» Ndërkohë, fjalët e Perëndisë më ngushëllojnë: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»​—Isaia 35:6; 41:10. *

[Shënimet]

^ par. 10 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1958, por tani nuk shtypet më.

^ par. 18 Viktoria Kojoi vdiq më 30 nëntor 2009 në moshën 60-vjeçare. Kurse e ëma vdiq më 5 korrik 2009.

[Figura në faqen 12]

Me pajisjet ortopedike në këmbë kur isha shtatë vjeçe

[Figura në faqen 13]

Kur dal për të predikuar, përdor një karrocë elektrike të përshtatur për nevojat e mia