Gazi natyror: Energji për shtëpitë
Gazi natyror: Energji për shtëpitë
GAZI NATYROR mbulon më shumë se 20 për qind të kërkesës për energji në mbarë botën. Nga vjen gazi natyror? Sa i pastër është? Dhe sa ka mbetur ende pa u shfrytëzuar?
Mjaft shkencëtarë besojnë se gazi natyror është formuar shumë e shumë vjet më parë nga shpërbërja e bimëve dhe e kufomave të kafshëve, përfshirë planktonet. Sipas kësaj teorie, gjatë periudhave të gjata, mikrobet, bashkë me presionin e sedimentit të grumbulluar nga sipër dhe të nxehtësisë nga thellësia e tokës poshtë, i kanë shndërruar mbetjet organike në lëndë djegëse fosile, si: qymyr, gaz dhe naftë. Me kalimin e kohës, pjesa më e madhe e gazit ka depërtuar nëpër shkëmbinjtë porozë, ndonjëherë duke formuar rezerva të mëdha, ose fusha gazi, që janë vulosur nën shtresa shkëmbore të padepërtueshme. Disa fusha gazi janë të stërmëdha dhe përmbajnë triliona metra kub me gaz. Si zbulohen depozitat e gazit?
Si zbulohet gazi natyror?
Satelitët me sensorë, sistemet e përcaktimit të vendndodhjes në glob, sizmologjia me reflektim dhe kompjuterët kanë ndihmuar për të bërë hamendësime sa më të sakta për vendndodhjen e gazit. Sizmologjia me reflektim bazohet në parimin se tingulli reflektohet nga shtresat shkëmbore nëntokësore, duke u dhënë kështu shkencëtarëve një panoramë akustike se çfarë ka nën tokë. Ata që studiojnë vendndodhjen e gazit zakonisht shkaktojnë valë zanore me sasi të vogla eksplozivi ose me vibratorë të vendosur në kamionë të veçantë. Valët e shkaktuara nga tronditja përshkojnë koren e tokës dhe reflektohen në aparaturat e monitorimit, që i ndihmojnë shkencëtarët të sigurojnë imazhe kompjuterike tridimensionale të formacioneve shkëmbore. Nga ana tjetër, këto imazhe, mund të japin shenja të depozitave të mundshme të gazit.
Në eksplorimet në det, valët zanore krijohen me pajisje të veçanta që shtijnë ajër të kompresuar, avull ose ujë në det. Valët e shkaktuara nga presioni, depërtojnë në shtratin e detit dhe kthehen e përplasen në hidrofonë që janë lidhur me
një kabllo prapa anijes së vëzhgimit. Ashtu si në tokë, studiuesit i përdorin sinjalet për të siguruar imazhe në kompjuter që t’i analizojnë.Në një fushë duhet të ketë gaz të mjaftueshëm për të justifikuar koston e nxjerrjes së tij. Prandaj, gjeologët duhet të sigurohen si për presionin, edhe për vëllimin e rezervave. Presioni mund të përcaktohet mjaft saktë me aparatura matëse. Kurse vëllimi është më i vështirë për t’u përcaktuar me saktësi. Një mënyrë është duke lexuar presionin fillestar, duke çliruar një sasi të caktuar gazi dhe pastaj duke e lexuar presionin përsëri. Një rënie e vogël në presion tregon një rezervë të madhe gazi, ndërsa një rënie e madhe nënkupton një rezervë të vogël.
Si bëhet gati për përdorim?
Pasi nxirret nga toka, gazi natyror çohet me anë të tubacioneve në rafineri, ku spastrohet nga lëndët e padëshiruara kimike, si dyoksidi i karbonit, sulfuri i hidrogjenit, dyoksidi i squfurit dhe avulli i ujit, që mund të gërryejnë tubat. Gazi natyror pastaj distilohet në temperatura shumë të ulëta për t’u pastruar nga nitrogjeni i padjegshëm dhe për të përftuar lëndë me vlerë, si heliumi, butani, etani dhe propani. Produkti përfundimtar është kryesisht metan i pastër, që është pa ngjyrë, pa erë dhe mjaft i djegshëm. Ngaqë metani është produkt natyror, quhet edhe gaz natyror.
Që gazi natyror të jetë i sigurt për t’u përdorur nëpër shtëpi, prodhuesit i shtojnë sasi shumë të vogla lëndësh që përmbajnë squfur dhe kanë erë të fortë, në mënyrë që nëse ka rrjedhje gazi, të kuptohet lehtë dhe të ndalohet para se të shpërthejë. Me gjithë këtë, gazi natyror është një lëndë djegëse shumë më e pastër se lëndë të tjera djegëse fosile, si qymyri dhe nafta.
Për të lehtësuar transportin, një pjesë e gazit natyror ftohet në temperatura shumë të ulëta dhe shndërrohet në gaz natyror të lëngëzuar. Butani dhe propani shpesh përfundojnë si gaze të lëngëzuara, që në disa vende përdoren gjerësisht për gatim nëpër shtëpi. Ai përdoret edhe për autobusë, traktorë, kamionë dhe mjete të tjera. Në fushën kimike, butani dhe propani tani përdoren në prodhimin e kauçukut, tretësve, fibrave sintetike dhe prodhimeve të tjera organike.
Burim i pashtershëm?
Ashtu si me të gjitha lëndët djegëse fosile, gazi natyror nuk është një burim i pashtershëm. Sipas llogaritjeve, në të gjithë botën 45 për qind e gazit gjendet akoma nën tokë. Nëse kjo është një shifër e saktë, me ritmin e tanishëm të konsumit, mund të kemi gaz edhe për 60 vjet. Por në mjaft vende, konsumi i energjisë po rritet gjithnjë e më shumë, kështu që parashikimet e tanishme mund të jenë shumë të pasakta.
Në të vërtetë, ritmi thuajse i çmendur i industrializimit në disa vende mund të japë përshtypjen se burimet e tokës janë të pashtershme. Kuptohet, kemi edhe energjinë bërthamore e burimet e ripërtëritshme të energjisë, si energjinë diellore dhe të erës. Por, a do të mund ta plotësojnë ato kërkesën në rritje për energji? Dhe a do t’i kontribuojnë një mjedisi të pastër e të sigurt? Koha do ta tregojë.
[Diagrami dhe figura në faqen 14]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Pasi nxirret nga toka, gazi natyror çohet në rafineri me anë të tubacioneve, ku përpunohet dhe bëhet gati për t’u shpërndarë nëpër shtëpi dhe biznese
[Diagrami]
Pus gazi
Rafineri
Kompani gazi
[Figura në faqen 13]
Një pajisje e veçantë përdoret për të krijuar valë zanore që pasqyrohen në aparaturat e monitorimit
[Figura në faqen 13]
Gjeologët analizojnë imazhet tridimensionale që përftohen nga valët zanore
[Burimet e figurave në faqen 13]
Sipër: © Lloyd Sutton/Alamy; poshtë: © Chris Pearsall/Alamy