Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ta lë shkollën?

A ta lë shkollën?

Të rinjtë pyesin

A ta lë shkollën?

Sipas mendimit tënd, sa vite shkollë duhet të bësh?

․․․․․

Po prindërit e tu, sa vite shkollë mendojnë se duhet të bësh?

․․․․․

A PËRPUTHEN përgjigjet e këtyre dy pyetjeve? Edhe nëse je në të njëjtin mendim me prindërit dhe je akoma në shkollë, mund të ketë momente që do të doje ta lije. A je ndier ndonjëherë si në rastet më poshtë?

«Ndonjëherë stresohesha aq shumë sa s’doja të çohesha nga krevati. Mendoja: ‘Pse duhet të shkoj në shkollë e të mësoj gjëra që s’kanë për të më hyrë kurrë në punë?’»​—Rakela.

«Shumë herë ndihesha i lodhur nga shkolla dhe doja vetëm ta lija e të gjeja një punë. Mendoja se shkolla ishte humbje kohe e që do ishte më mirë po të kisha një punë ku të paktën të fitoja ca para.»​—Xhoni.

«Detyrat e shtëpisë më hanin deri në katër orë çdo ditë. Më merrnin frymën gjithë ato detyra, projekte dhe provime njëri pas tjetrit. Nuk e përballoja dot e doja ta lija.»​—Sindi.

«Kemi pasur një lajmërim për bombë, tri tentativa për vetëvrasje, një vetëvrasje dhe dhunë bandash. Ndonjëherë ishte e papërballueshme e doja ta lija.»​—Roza.

A je përballur edhe ti me vështirësi të tilla? Nëse po, cila prej tyre të ka bërë të mendoje për ta lënë shkollën?

․․․․․

Ndoshta tani je duke menduar seriozisht për ta lënë shkollën. Por pse mendon se po e lë shkollën: se tani ke marrë arsimimin e mjaftueshëm apo thjesht se të ka ardhur në majë të hundës? Para se t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, le të shohim tani çfarë do të thotë të lësh shkollën.

E arsyeshme apo jo?

A e di se në disa vende janë të detyrueshme vetëm pesë deri në tetë vjet shkollë? Në vende të tjera nxënësit duhet të bëjnë dhjetë deri në dymbëdhjetë vjet shkollë. Prandaj nuk ka një moshë ose një nivel arsimor të caktuar për çdo njeri në çdo vend të botës.

Kurse, në disa vende nxënësit kanë mundësi të marrin mësime të disa ose të të gjitha lëndëve mësimore në shtëpi, pa shkuar në shkollë. Për nxënësit që shkollohen në këtë mënyrë, me lejen dhe bashkëpunimin e prindërve, sigurisht që nuk mund të themi se e kanë lënë shkollën.

Megjithatë, në qoftë se po mendon për ta ndërprerë shkollën para se ajo të mbarojë​—edhe nëse je në një shkollë normale, edhe nëse merr mësime nga shtëpia​—duhet të shqyrtosh pyetjet e mëposhtme:

Çfarë kërkon ligji? Siç u tha edhe më sipër, ligjet që vendosin vitet e detyrueshme të shkollimit për një nxënës, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Cili është niveli minimal i shkollimit që kërkon ligji në vendin tënd? A ke arritur tashmë në këtë nivel? Nëse e shpërfill këshillën e Biblës ‘për t’u nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’ dhe e ndërpret shkollën para se të arrish në atë nivel, atëherë mund të themi se po e lë.​—Romakëve 13:1.

A i kam arritur synimet e mia për arsimimin? Cilat janë ato synime që dëshiron të arrish me anë të arsimimit? Ndoshta nuk je i sigurt? Është mirë të dish çfarë do. Përndryshe, do të ishe si një pasagjer në një tren që nuk e ka idenë se ku dëshiron të shkojë. Prandaj ulu bashkë me prindërit e tu dhe plotëso kutinë  «Synimet e mia për arsimimin», që gjendet në faqen 28. Kjo do të të ndihmojë që të jesh i përqendruar dhe që bashkë me prindërit të planifikosh për sa kohë do ta vazhdosh shkollën.​—Proverbat 21:5.

Pa dyshim që mësuesit dhe të tjerë do të të këshillojnë se për sa kohë duhet të vazhdosh. Por në fund janë prindërit që kanë autoritetin të thonë fjalën e fundit. (Proverbat 1:8; Kolosianëve 3:20) Nëse e ndërpret shkollën para se të arrish ato synime për arsimimin që ti me prindërit ke vendosur, atëherë mund të themi se po e lë.

Pse dua ta lë? Kujdes se mos mashtron veten. (Jeremia 17:9) Është një prirje njerëzore t’i veshim arsye fisnike veprimeve egoiste.​—Jakovi 1:22.

Shkruaj më poshtë arsyet fisnike që mund të kesh për ta ndërprerë shkollën para kohe.

․․․․․

Shkruaj këtu disa arsye egoiste për ta lënë.

․․․․․

Çfarë arsyesh fisnike shkrove? Dy arsye mund të jenë: për të mbështetur familjen nga ana ekonomike ose për të bërë punë vullnetare. Kurse arsye egoiste mund të jenë: për të shmangur provimet ose për të shpëtuar nga detyrat e shtëpisë. Gjëja më e vështirë është të dallosh nëse arsyeja kryesore është fisnike apo egoiste?

Hidhi përsëri një sy arsyeve që shkrove dhe rendit me ndershmëri nga 1-shi te 5-a arsyet për të cilat dëshiron të lësh shkollën (1-shi të tregojë arsyen më pak të rëndësishme, kurse 5-a më të rëndësishmen). Nëse e lë shkollën thjesht për të shpëtuar nga problemet, ka shumë mundësi të gjendesh para problemeve më të mëdha.

Ç’të keqe ka ta lësh shkollën?

Ta lësh shkollën është si të hidhesh nga treni pa shkuar në vendmbërritje. Treni mund të jetë i parehatshëm dhe pasagjerët jomiqësorë. Por nëse hidhesh nga treni, nuk do të arrish atje ku do dhe mund të vritesh keq. Në mënyrë të ngjashme, nëse e lë shkollën, nuk do të arrish synimet e tua për arsimimin e do t’i hapësh vetes probleme të menjëhershme dhe afatgjata si ato që përmenden në vijim:

Probleme të menjëhershme: Ka shumë mundësi ta kesh më të vështirë të gjesh punë dhe nëse gjen, ndoshta do të marrësh një pagë më të vogël se ajo që do të merrje po ta kishe mbaruar shkollën. Për të siguruar nevojat bazë të jetesës, ndoshta do të të duhet të punosh me orar më të zgjatur në ambiente më pak të këndshme se ambienti i tanishëm i shkollës.

Probleme afatgjata: Kërkimet tregojnë se ata që lënë shkollën janë më të prirur të kenë një shëndet më të dobët, të bëhen me fëmijë që në moshë të re, të përfundojnë në burg dhe të përfshihen në programet e asistencës sociale.

Sigurisht, mbarimi i shkollës nuk përbën një garanci se s’do të kesh nga këto probleme. Por pse ta futësh veten më kot në vështirësi duke e lënë shkollën?

Dobitë kur nuk e lë shkollën

Mund të ndodhë që, kur nuk e merr një provim ose kur kalon një ditë të keqe në shkollë, të vjen ta lësh. Çdo problem i ardhshëm mund të duket i papërfillshëm në krahasim me atë që po heq tani. Por para se «t’i biesh shkurt», shiko se çfarë dobish kanë nxjerrë nxënësit e përmendur në fillim të artikullit ngaqë nuk e lanë përgjysmë shkollën.

«Kam mësuar të jem e durueshme dhe mendërisht e fortë. Kam mësuar se, nëse dëshiron të gjesh kënaqësi në diçka, kjo varet nga ti. Gjatë kohës së shkollës, kam mësuar shumë për artet figurative që do të më hyjnë në punë pasi ta mbaroj atë.»​—Rakela.

«Tani e di që po të punoj fort, mund t’i arrij synimet e mia. Po bëj një lëndë teknike shumë praktike në shkollë të mesme që do të më kualifikojë për punën time të preferuar si mekanik shtypshkronje.»​—Xhoni.

«Shkolla më ka bërë më të aftë për të zgjidhur problemet, qoftë në klasë ose jashtë saj. Gjetja e mënyrave për të përballuar vështirësitë mësimore, shoqërore dhe fizike më ka ndihmuar vërtet të rritem.»​—Sindi.

«Shkolla më ka ndihmuar të përgatitem për sfidat në ambientin e punës. Gjithashtu, jam përballur me mjaft situata që më shtynin të shqyrtoja arsyet e besimit tim, kështu që shkolla më ka forcuar bindjet fetare.»​—Roza.

Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Më mirë se fillimi i një çështjeje është ajo që vjen pas saj. Më mirë kush është i durueshëm, se ai që ka frymën e fodullëkut.» (Eklisiastiu 7:8) Pra, në vend që ta lësh shkollën, përballoji me durim problemet e saj. Nëse vepron kështu, do ta shohësh se ajo që do të vijë pas shkollës, do të jetë shumë më e mirë për ty.

PËR TË MENDUAR

● Si të ndihmojnë synimet afatshkurtra për arsimimin, të përfitosh sa më shumë nga shkolla?

● Pse është e rëndësishme të krijosh një ide për punën që do të doje të bëje pas shkollës?

[Kutia dhe figurat në faqen 27]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«Pikërisht në shkollë mësova t’i dua librat. Është bukur kur arrin të kuptosh mendimet dhe ndjenjat e dikujt nëpërmjet leximit.»

«Zakonisht kam probleme me organizimin e kohës. Por pa shkollën do të isha edhe më keq. Ajo më ndihmon të kem një program të rregullt, t’i përmbahem atij dhe të bëj gjërat që janë të rëndësishme.»

[Figurat]

Esmei

Kristoferi

[Kutia në faqen 28]

SYNIMET E MIA PËR ARSIMIMIN

Qëllimi kryesor i arsimimit është të të përgatitë të gjesh një punë për të mbajtur veten dhe familjen që mund të kesh në të ardhmen. (2 Selanikasve 3:​10, 12) A ke vendosur se çfarë pune do të doje të bëje dhe si mund të të ndihmojë koha që po kalon në shkollë që të përgatitesh për të? Që të kuptosh nëse arsimimi që po merr po të çon në drejtimin e duhur, përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:

Cilat janë pikat e mia të forta? (Për shembull, a je i zoti në komunikim me të tjerët? A të pëlqen të punosh me duar, të krijosh ose të ndreqësh gjëra? A je i zoti për të analizuar dhe për të zgjidhur probleme?)

 ․․․․․

Në ç’lloj pune do të mund t’i përdorja pikat e mia të forta?

․․․․․

Çfarë mundësish për punë ka në vendin tim?

․․․․․

Çfarë lëndësh mësimore po bëj tani që do të më përgatitin për tregun e punës?

․․․․․

Ç’mundësi të tjera arsimimi kam që do të më ndihmojnë t’i arrij më mirë synimet e mia?

․․․․․

Mos harro, synimi yt është të diplomohesh në një fushë që do të të hyjë në punë. Prandaj, mos kalo në ekstremin tjetër dhe të mbetesh student i përjetshëm, domethënë si ai që nuk zbret nga «treni» vetëm e vetëm që të shpëtojë nga përgjegjësitë e moshës së rritur.

[Kutia në faqen 29]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

«Mësuesit e mi janë të mërzitshëm.» «Na japin shumë detyra.» «Për mua mjafton të kaloj klasën​—pse ta vras mendjen?» Për këto arsye, disa të rinj tundohen ta lënë shkollën para se të fitojnë aftësitë e duhura për të jetuar. Çfarë të bësh nëse djali apo vajza jote do që ta lërë shkollën?

Shqyrtoni qëndrimin që ju keni ndaj arsimimit. A e shihnit shkollën si humbje kohe​—si të ishit «të dënuar me burg» që duhej të duronit deri ditën që mund të arrinit synime më interesante? Nëse po, qëndrimi juaj ndaj shkollës mund të ndikojë edhe te fëmijët. Në fakt, një arsimim i përgjithshëm do t’i ndihmojë të fitojnë ‘mençuri dhe aftësi për të menduar’, cilësi që do t’u nevojiten për të pasur sukses kur të rriten.​—Proverbat 3:21.

Sigurojuni kushtet dhe mjetet. Disa që mund të marrin nota edhe më të mira, thjesht nuk dinë si të studiojnë ose nuk kanë një ambient të përshtatshëm për të studiuar. Një vend i mirë studimi, do të ishte një tavolinë jo e ngarkuar, me dritë të mjaftueshme dhe me mjetet e duhura të studimit. Mund ta ndihmoni fëmijën të çajë në jetë dhe të bëjë përparim në marrëdhënien e tij me Perëndinë, duke e stërvitur dhe duke i siguruar vendin e duhur për të bluar mendime dhe ide të reja.​—1 Timoteut 4:15.

Përfshihuni. Konsiderojini mësuesit dhe këshilltarët e shkollës si aleatë e jo si armiq. Takohuni me ta. Mësojuani emrat. Bisedoni me ta për synimet dhe vështirësitë e fëmijës suaj. Nëse fëmija ka probleme me notat, përpiqu të kuptosh cili është shkaku. Për shembull, a mendon fëmija se po të jetë nxënës i mirë do të bëhet shënjestër sulmesh nga fëmijët e tjerë? Mos vallë ka probleme me ndonjë mësues? Apo ka vështirësi në ndonjë lëndë? Fëmija duhet ndihmuar që ta arrijë potencialin e tij duke ia shtuar gradualisht vështirësinë e lëndëve që të mos e lëshojë zemra. Një mundësi tjetër është: mos ka ndonjë problem fizik, për shembull me shikimin ose me aftësinë për të mësuar?

Sa më shumë të përfshiheni në stërvitjen e fëmijës për të çarë në jetë dhe për të përparuar në marrëdhënien e tij me Perëndinë, aq më e madhe do të jetë mundësia që t’ia dalë mbanë.​—Proverbat 22:6.

[Figura në faqen 29]

Ta lësh shkollën është si të hidhesh nga treni pa shkuar në vendmbërritje