A ka vërtetuar shkenca se Perëndia nuk ekziston?
A ka vërtetuar shkenca se Perëndia nuk ekziston?
PËR 50 vjet, filozofi britanik Entoni Flu ishte mjaft i respektuar si ateist nga brezi i tij. «Teologjia dhe falsifikimi», botimi i tij i vitit 1950, «ishte botimi filozofik më i rishtypur i shekullit [të 20-të]». Në vitin 1986, ai u quajt «kritiku më i fortë bashkëkohor i teizmit» (besimi te një Perëndi ose te disa perëndi). Kështu, për shumë njerëz ishte një tronditje e madhe kur, në vitin 2004, Fluja shpalli se kishte ndryshuar pikëpamje.
Çfarë e bëri Flunë të ndërronte mendje? Me pak fjalë: shkenca. Ai u bind se universi, ligjet e natyrës dhe vetë jeta, nuk mund të kenë ardhur në ekzistencë fare rastësisht. A është ky një përfundim i logjikshëm?
Nga dolën ligjet e natyrës?
Fizikani dhe autori Pol Dejvis thekson se shkenca bën një punë të mrekullueshme për të shpjeguar fenomenet fizike, si shiu. Por, ai thotë: «Kur bëhet fjalë për. . . pyetje të tilla, si ‘pse ekzistojnë ligjet e natyrës?’, përgjigjja nuk është shumë e qartë. Zbulimet shkencore nuk kanë kontribuar shumë për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Shumë nga këto çështje kanë mbetur në vend-numëro që nga zanafilla e civilizimit, dhe sot e kësaj dite na bezdisin akoma.»
«Pika e rëndësishme nuk është thjesht te rregullsitë që gjenden në natyrë,—shkroi Fluja në vitin 2007,—por te fakti që këto rregullsi janë mjaft të sakta matematikisht, universale dhe ‘të ndërlidhura’. Ajnshtajni foli për to si ‘mishërimi i arsyes’. Pyetja që duhet të bëjmë është: si është formuar natyra në këtë mënyrë? Kjo është pyetja që kanë bërë shkencëtarët që nga Njutoni e deri tek Ajnshtajni e Heisenbergu—dhe në fakt i kanë dhënë përgjigje. Përgjigjja e tyre ka qenë: Mendja e Perëndisë.»
Po, mjaft shkencëtarë më se të respektuar nuk e konsiderojnë joshkencore të besojnë te një Nismëtar inteligjent. Përveç kësaj, të thuash se universi, ligjet e tij dhe jeta erdhën në ekzistencë rastësisht, nga ana logjike nuk është shumë bindëse. Nga përvoja e përditshme e dimë se pas çdo pajisjeje që përdorim, është dora e një projektuesi.
Cilin besim do të zgjidhni?
Megjithëse ateistëve të rinj u pëlqen ta konsiderojnë shkencën si përkrahësen kryesore të bindjeve të tyre, fakti është se as ateizmi e as teizmi nuk mbështeten plotësisht në shkencë. Në të dyja rastet, është çështje besimi—ateizmi beson te rastësia e verbër dhe e paqëllimshme, kurse teizmi te një Nismëtar inteligjent. Siç shkruan Xhon Lenoksi, profesor matematike në Universitetin e Oksfordit, Angli, ateistët e rinj përhapin idenë se «të gjitha besimet fetare janë të verbra». Ai shton: «Duhet ta theksojmë fort se gabohen.» Prandaj, pyetja që lind, është: cili nga këto besime mund të vërtetohet, ai i ateistëve apo ai i besimtarëve fetarë? Le të shqyrtojmë, për shembull, origjinën e jetës.
Evolucionistët e pranojnë pa rezerva se origjina e jetës mbetet mister, megjithëse ka shumë teori që bien ndesh me njëra-tjetrën. Një nga krerët e ateistëve të rinj, Riçard Dokinsi, pretendon se, duke pasur parasysh numrin tejet të madh të planetëve që duhet të ekzistojnë në univers, diku do të shfaqej jeta. Por shumë shkencëtarë me emër, nuk janë kaq të sigurt. Një profesor i Kembrixhit, Xhon Barrou, shprehet se besimi tek «evolucioni i jetës dhe i mendjes» të çon «në rrugë pa krye në çdo fazë të tij. Ka kaq shumë mënyra në të cilën jeta nuk arrin të evoluojë në një mjedis kompleks dhe të pafavorshëm, sa do të ishte vetëm arrogancë të hamendësojmë se, thjesht me karbonin dhe kohën e mjaftueshme, çdo gjë është e mundur.»
Kini parasysh edhe se jeta nuk është vetëm një përzierje e elementeve kimike. Përkundrazi, ajo bazohet në një formë informacioni tepër të sofistikuar, që është koduar tek ADN-ja. Prandaj, kur flasim për origjinën e jetës, po flasim gjithashtu për origjinën e informacioneve biologjike. A do të mund të lindnin krejt aksidentalisht e rastësisht informacione komplekse, si një program kompjuteri, një formulë algjebrike, një enciklopedi, e madje një recetë keku? Sigurisht që jo. E megjithatë, kur bëhet fjalë për sofistikim dhe efektshmëri, asnjëri prej këtyre as që do të krahasohej me informacionin që përmban kodi gjenetik i një organizmi të gjallë.
Zanafillë krejt e rastësishme—E pranueshme nga ana shkencore?
Pol Dejvisi shpjegon se, sipas ateistëve, «universi është ashtu si është, në mënyrë të mistershme, dhe thjesht rastisi që e mbështet jetën». Ata thonë: «Po të kishte qenë ndryshe, nuk do të ishim këtu duke diskutuar për këtë gjë. Në thelb të tij, universi mund të karakterizohet ose jo nga një harmoni e brendshme, por në vetvete nuk është sipas një projekti, një qëllimi ose një synimi—të paktën asnjë që do të kishte kuptim për ne.» «Përparësia e kësaj bindjeje,—vëren Dejvisi,—është se është mjaft e lehtë ta mbrosh, kaq e lehtë sa mund ta përdorësh si pretekst», domethënë si një mënyrë të leverdisshme për t’i bërë bisht çështjes.
Në librin e tij Evolucioni: Një teori në krizë, biologu molekular Majkëll Denton arriti në përfundimin se teoria e evolucionit «i ngjan më shumë një parimi të astrologjisë së mesjetës, sesa një teorie shkencore . . . serioze». Gjithashtu, ai e quajti evolucionin e Darvinit një nga mitet më të mëdha të kohëve tona.
Sigurisht, të besosh se gjithçka erdhi rastësisht, është si të besosh te një trillim. Imagjinoni: një arkeolog sheh një copë shkëmbi të papërpunuar që ka pak a shumë formë katrore. Për këtë formë do t’ia jepte meritën rastësisë, dhe kjo do të ishte më se e arsyeshme. Por më vonë gjen një copë shkëmbi në formën e bustit të njeriut, një formë e përsosur deri në hollësi. A do t’ia jepte përsëri meritën rastësisë? Jo. Logjika i thotë: «Dikush duhet ta ketë bërë këtë.» Në të njëjtën linjë arsyetimi, Bibla thotë: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) A jeni dakord me këto fjalë?
«Sa më shumë mësojmë për universin,—shkruan Lenoksi,—aq më e besueshme bëhet hipoteza se ka një Krijues Perëndi që e projektoi universin me një qëllim dhe ky duket si shpjegimi më i mirë i ekzistencës sonë.»
Të vjen keq që, ndër gjërat që minojnë besimin te Perëndia janë edhe ligësitë që bëhen në emër të tij. Si pasojë, disa kanë arritur në përfundimin se njerëzimi do të ishte më mirë pa fe. Po ju, çfarë mendoni?